ANALISTI POLITIK: Ç’ËSHTË KY?

Ka një kohë që një kategori sociale frekuente në media na përball me një sintagmë fort aktuale, “analist politik”, që në esencë është shprehje me taban, e institucionalizuar globalisht, por në kushtet tona shumë kë e irriton, që herë të lë pa tekst e herë të bën të hapësh sytë, t’i fërkosh dhe të thuash: “Auu, nga doli ky tani?”, “Prej kur u bë analist?”, “Cilat analiza i ka bërë?”, “Sa tekste, libra, së paku sa kolumna ka në këtë fushë?” Çështja e tajfës në rritje eksponenciale të analistëve politikë, të llojeve të ndryshme, të shfaqur si kërpudhat pas shiut, që nga anonimusë ose të paemër mediatikisht, bëhen pjesë e shoqërisë së spektaklit, në veçanti të atij politik, përmes prononcimeve nëpër media të shkruara, portale e TV stacione e të ngjashme flet për të vërtetën e analistëve të vetëprodhuar, të shtyrë nga mediat apo nga partitë politike, me gjysëmkarrierë ose pa të fare, madje pa asnjë rezultat në regjistrin e rrjetit të rrjeteve (google).

Po çfarë në fakt nënkupton shprehja analist politik? Analisti politik është njeri që analizon politikën dhe politikanët e kohës, që komenton dhe ofron opinione lidhur me zgjedhjet edhe ngjarjet e tjera nga jeta politike. Ai vlerëson politikat e brendshme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gjeneron material për politikbërësit e shoqërisë së vet. Në Shtetet e Bashkuara një person për të marrë epitetin analist politik duhet të ketë diplomë deridiplomike (universitare) në fushat si shkencat politike ose marrëdhëniet ndërkombëtare, përfshirë edhe historinë dhe sigurinë nacionale. Analistët politikë merren ne sistemet, teoritë dhe çështjet politike. Ata duhet të jenë të përfshirë në hulumtime rreth problemeve politike dhe të administratës publike, me raportet mes shteteve dhe institucioneve, me politikën e vendeve të ndryshme. Duhet të analizojnë edhe punë e qeverisë dhe të realizojnë matje të opinionit publik, sondazhe, me të cilat tregohet pulsi i politikës në një kontekst të caktuar, duhet të analizojnë dokumente publike. Analistët politikë duhet të flasin rrjedhshëm një gjuhë të huaj pos amtares. Detyrë e tyre është të analizojnë atmosferën politike aktuale, pra të shpjegojnë pse liderët marrin vendime të caktuara, në çfarë legjislacioni është duke u punuar dhe të parashohin se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Ata duhet të njohin mirë kulturën, vlerën, burimet, nivelin arsimor, dhe mijëra faktorë të tjerë që ndikojnë që liderët të qeverisin apo t’i menaxhojnë me çështjet publike apo të shtetit, t’i detektojnë rreziqet e mundshme si përleshjet guerile ose terrorizmi. Ka edhe analistë politikë që specializohen në një rajon specifik të botës. Tipi më negativ i analistëve politikë janë partizanët (anëmbajtësit) që synojnë të ndikojnë elektoratin, kurse një pjesë e mirë e tyre përqendrohen në interpretimin e ngjarjeve duke mos synuar nxitjen e çfarëdo ndryshimi. Në vendet me kulturë të lartë politike partitë ose organizatat angazhojnë analistë politikë me qëllim të këshillimit të politikanëve gjatë procesit të politikbëries. Këta individë në saje të dijes së vet lidhur me ngjarjet e së kaluarës japin sugjerime që janë produktive dhe ua tërheqin vërejtjen politikanëve që të qëndrojnë larg ideve dhe diskursit që është provuar si joproduktiv. Analistët politikë duhet të shfaqen si panelistë, të shkruajnë kolumna nëpër gazeta ose portale. Shkurt, analiza politike duhet të jetë e ndryshme prej teksteve dhe ligjëratave propaganduese. Suksesi i analizës politike varet nga begatia e të dhënave objektive, nga komentimi i qëndrueshëm i tyre, nga ndërtimi i konceptualizimeve origjinale. Ndër analistë politikë më të njohur në korniza botërore janë Fareed Zakaria (CNN), Norman Orstein (BBC), Ezra Klein (Washington Post), Mike Barnicle (The Weekly Standard), Michael Murphy (NBC News), Arianna Huffington (The Huffington Post) etj.

Në trojet e ish-Jugosllavisë dallohen kultura politike kroate dhe ajo serbe, me themel akademik, e dyta goxha e ideologjizuar. Në Shqipëri ndonëse shkruhen artikuj të niveltë (Bogdani, Zheji, Stefani, Fuga, M. Nano), me asete mediatike-teknike më të avancuara, shënohen edhe debate politike si të “pazarit të Korçës”, ku rejtingu ngulfat idenë. Në Kosovë, ka një sasi analistësh (Gorani, Matoshi, Surroi, Haxhiu, zvicerano-kosovari Robelli), ndërkohë që epitetin analist politik e kanë arritur madje edhe këngëtarë (imagjinoni nga kënga “Zemrën ti ma then” te analizat e proceseve zgjedhore). Në kontekstin tonë, përveç dy-tre shembuj të analistëve cilësorë (Bakiu, Nesimi), që flasin për atë që dinë, në përgjithësi gjendja është deprimuese. Para disa vitesh një parti politike pati angazhuar një analist me nam si Bugajski, kurse në zgjedhjet e fundit u shënua një rënie në fundin e fundit, në këtë kategori hynë edhe persona të panjohur, pa CV, që botërisht njihen si subjektivë, të frustruar, të padenjë për të analizuar fenomenet politike për opinionin publik kur merret parasysh e vërteta se nga avioni duket se është tifoz i një opsioni politik, pa fije objektiviteti dhe pa paanësi. Lançimi i analistëve politikë të çastit, pa bagazh politologjik, me frymë partiake, për të mbrojtur aksh kauzën partiake, pa njohuri teorike është një kob i kulturës politike shqiptare të Maqedonisë. S’duhet harruar as ish-komunistët analistë, servilët që shkruajnë me vite duke e lëmuar pushtetin, madje që thirren edhe në akademizëm.

Kur e kemi parasysh se çfarë “plejade” analistësh politikë shqiptarë gravitojnë në vendin tonë, s’duhet të na habisë fakti i kiosqeve që merren me analiza politike! Një gazetar yni me renome (Tahiri) para nja dhjetë ditësh në rrjetet pati postuar “S’bëhe analist politik pa bërë analiza politike, njësoj siç nuk mund të bëhesh xhetar pa punuar në xeherore!” Ndërsa një tjetër pati potencuar se analistët tanë të gjithëdijshëm fokusojnë politikën e brendshme e ndërkombëtare, rrokin edhe çështjet e Evropës, Azisë, Lindjes së Mesme, Amerikës, madje edhe të Antartikut. (Dauti) Ndoshta është koha e “mjeteve rrethanore”. Mbetet shpresa te një brez i ri, me taban shkencor. Në këtë drejtim shkolla e UEJL-së duket se prin me figura të reja të analistëve-politologëve që premtojnë si M. Jashari, D. Memedi, L. Veliu, R. Dauti, por edhe nga institucione të tjera si Xh. Sulimani, Xh. Iseni, M. Aliu, A. Rama. Koha është për ndryshime, për cilësi, edhe në analiza edhe në politikë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button