Donald Tramp: NATO është vjetruar, nuk ka rëndësi nëse BE-ja do të mbijetojë

Presidenti amerikan Donald Tramp konsideron se kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë gabim katastrofal me politikën e dyerve të hapura, përmes së cilës në Gjermani kanë hyrë një milion emigrantë.

Presidenti Donald Tramp, theksoi se mund t’iu japë fund disa sanksioneve ekonomike kundër Rusisë, në këmbim të një marrëveshjeje me presidentin rus, Vladimir Putin, për të reduktuar armët bërthamore.

Ai tha se do që arsenalet bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë të “reduktohen ndjeshëm”.

Tramp dha detaje për synimet e tij në politikën e jashtme në një intervistë për gazetën britanike “Times” dhe atë gjermane “Bild”.

Tramp kritikoi Moskën për ndërhyrjen e saj ushtarake në luftën civile të Sirisë, duke e përshkruar atë si “një gjë shumë të keqe”, e cila ka çuar në “situatë të tmerrshme humanitare”.

Presidenti i zgjedhur po ashtu tha se NATO-ja është “vjetëruar” dhe se nuk ka bërë shumë për të luftuar terrorizmin. Megjithatë, ai shtoi se aleanca është ende “shumë e rëndësishme” për të.

Tramp përsëriti kritikat e tij se shumë vende anëtare të NATO-s nuk paguajnë mjaftueshëm për sigurinë e tyre.

Ai lavdëroi daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian dhe tha se politikat liberale të bllokut ndaj emigrantëve mund të bëjnë që edhe vende të tjera të lënë BE-në.

Tramp tha se britanikët nuk do ta braktisnin BE-në po të mos ishin përfshirë nga kriza me emigrantë.

Tramp tha se kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka bërë “gabim katastrofik” me pranimin e mbi një milion emigrantëve në vend, në vitin 2015.

Ai tha se Merkel, deri më tani, ka qenë udhëheqësja më e rëndësishme e Evropës dhe se Bashkimi Evropian është bërë mjet për Gjermaninë.

Duke u ndalur te Lindja e Mesme, Tramp dënoi pushtimin e Irakut më 2003 dhe tha se ai mund të ketë qenë gabimi më i keq në historinë e SHBA-së.

Tramp tha se do të emërojë dhëndrin e tij, Xhared Kushner, për të ndërmjetësuar marrëveshjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Ai po ashtu theksoi se prioritet i tij do të jetë krijimi i marrëveshjeve më të drejta tregtare për SHBA-në dhe forcimi i kufijve.

“Njerëzit nuk duan që të vijnë njerëz të tjerë dhe të shkatërrojnë vendin e tyre. Ne do t’i forcojmë kufijtë nga dita që marr detyrën”, tha Tramp.

Lidhur me rrënjët e tij familjare gjermane, Tramp tha se është krenar që ka paraardhës nga Gjermania dhe se e do vendin. Në pyetjen se cilat karakteristika të tij i ndërlidh me rrënjët e tij gjermane, Tramp konsideron se ato janë rendi dhe fuqia që e ka.

Presidenti i zgjedhur, Donald Tramp, do të marrë detyrën e presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara më 20 janar.

Paraardhësi i tij, Barak Obama, përfundon detyrën pas dy mandatesh katërvjeçare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button