Me pak vullnet politik mund të zgjidhet kënaqshëm statusi i gjuhëve në Maqedoni

Këtyre ditëve më të madhe po komentohet formimi qeverisë së re në Republikën e Maqedonisë. Thënë më troç, në kohë të fundit, po komentohet platforma politike e shqiptarëve, respektivisht zyrtarizmi i gjuhës shqipe në këtë Republikë, që për kreun e VMRO-së së, Nikolla Gruevski, që tashmë është mandatar për krijimin e qeverisë së re, është i papranueshëm me arsyetimin se gjuha shqipe nuk ka kurrfarë përdorimi ose peshe në hapësirat e pastra etnike maqedonase si në Strumicë, Kavadar, Berovë e kështu me radhë.

Fakt i pamohueshëm është se statusi i gjuhëve në këtë Republikë duhet ndryshuar. Modele për këtë ka, madje aq të avancuara sa tashmë në botën demokratike janë mjaft të aplikueshme.

Nëse shikohet ose nëse analizohet realisht nga ky kënd Gruevski do të kishte të drejtë, sikurse kjo e drejtë të vlente edhe për hapësirat e pastra etnike shqiptare, respektivisht sikur të analizonte se cila është pesha e gjuhës maqedonase, për shembull në komunën e Likovës, Shipkovicës ose në ndonjë tjetër komunë të pastër etnike shqiptare ku nuk ka asnjë maqedonas.

Nëse merret modeli i Kosovës për zgjidhjen e kësaj çështjeje, atëherë ai nuk ka pse nuk zbatohet në Maqedoni pa hamendje, sepse në Kosovë komuniteti serb është në proporcion vetëm 4 për qind e popullatës, ndërsa në Maqedoni shqiptarët zyrtarisht përbëjnë më se 26 për qind.

Nëse me këtë nuk do të pajtohej pala maqedonase, përsëri ka zgjidhje. Zgjidhja përsëri është e thjeshtë. Nëse ka vullnet për të, madje raste të tilla ka mjaftueshëm në botën demokratike, ku çështja e gjuhëve është e tejkaluar me elegancë. Aty ku etniteti është i pastër do të përdorej gjuha e etnitetit të caktuar, kurse në meset e përziera do të përdoreshin dy gjuhët. Andaj platforma politike e shqiptarëve në Maqedoni, përpos që është e qëndrueshme, është edhe e realizueshme.

Në institucionet zyrtare të sistemit, në të gjitha nivelet, do të përdoreshin dy gjuhët. Në mbishkrime të rrugëve dhe të shkollave do të përdorej gjuha e komunitetit që jeton në atë pjesë, ndërsa në pjesët e përziera etnikisht do të përdoreshin njëherësh dy gjuhët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button