Dialogu me Serbinë: Shqiptarët vlerësojnë se Beogradi po e prish procesin

Përfaqësuesit politik të shqiptarëve dhe të serbëve nga koalicioni qeverisës në Kosovë, kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket “fajit” për çështjen e zbatimit të ngadalshëm apo të moszbatimit të marrëveshjeve të rënë në dakord në Bruksel. Shqiptarët vlerësojnë se Beogradi po ndërhyn në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, kurse serbët mendojnë se Prishtina nuk ka guxim dhe vullnet të mjaftueshëm politik për t’i zbatuar marrëveshjet. Ndërkaq, partitë e opozitës kërkojnë ndërprerjen e plotë të dialogut, duke e konsideruar se është i dëmshëm për Kosovën.Zenun Pajaziti deputet dhe shef i grupit parlamentar të partisë në pozitë, Partia Demokratike e Kosovës, në një intervistë për Anadolu Agency u shpreh se ngjarjet e fundit në Kosovë, si ndërtimi i murit në veri të Mitrovicës si dhe ndalimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj me fletarrest të lëshuar nga Serbia, kanë për qëllim ta pengojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Duke theksuar se raste të tilla ka pasur edhe më herët, Pajaziti shtoi se Kosova nuk ka rënë asnjëherë në grackën e provokimeve të tilla.

“Historia jonë e lirisë së Kosovës, ka treguar që prioritet gjithmonë i kemi dhënë dialogut, edhe në kohën kur askush nuk ka menduar se ka vend për dialog. Mendoj që duhet ta bëjmë të njëjtën gjë, të japim shanse bisedave, por në rrethanat e tilla është gati se ka humb besimi për dialogun”, shprehu Pajaziti.

Pajazit shtoi se me rishikimin e fletarresteve të lëshuara nga Serbia mund të hapet një rrugë e mirë për dialogun, por vuri në dukje se kjo është më shumë në dorën e Serbisë, të cilët sipas tij nuk kanë zbatuar pothuajse asnjë marrëveshje të arritur me vullnet të mirë.

“Gjithmonë ka pasur diçka shtesë dhe gjithmonë Brukseli ka pasur angazhime shtesë në raport me Beogradin në radhë të parë, për implementimin e këtyre marrëveshjeve. Edhe në Prishtinë gjithmonë po merremi me pasojat të cilat i shkaktojnë veprimet e Beogradit në raport me ne, qoftë me urën, qoftë me pengimin e përfaqësuesve politikë të serbëve në pjesëmarrjen në institucionet tona, qoftë me këto fletarreste të njëanshme që i dërgojnë në INTERPOL”, u shpreh Pajaziti.

Sa i përket krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, Pajaziti u shpreh se ata nuk po e lënë hapësirën e nevojshme për të biseduar në realizimin e të gjitha atyre që u takojnë me Kushtetutë. Duke vlerësuar se Beogradi kishte reagim të ashpër dhe kërcënues ndaj kthimit të deputetëve të Listës Serbe në institucionet e Kosovës, Pajaziti theksoi se kjo politikë e Beogradit do t’i kushtojë më së shumti serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u penguar për të qenë pjesë normale e jetës në shtetin e Kosovës.

“Është për t’u dhimbsur pozita e serbëve që jetojnë në Kosovë me një presion të pashembullt që po u bëhet nga ana e Beogradit”, tha së fundi ai.

Nga ana tjetër, deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiç njëherësh kryetar i Partisë Progresive Demokratike thekson se zhvillimet e fundit në Kosovë akoma nuk kanë vënë në rrezik dialogun Kosovë-Serbi, por gjithsesi e kanë ngadalësuar. Në një prononcim për AA ai thekson se dialogu në Bruksel përfshinë dy faza, arritjen e marrëveshjes dhe më vonë zbatimin e saj për të shtuar se problemet shfaqen “pikërisht te zbatimi i të dakorduarës”.

“Shembulli i fundit është dokumenti i cili u nënshkrua lidhur me Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe dhe kjo duhej të zbatohet, ndërsa statuti duhej përfunduar me kohë, por kjo nuk është duke ndodhur. Është më se e qartë se ka mungesë të vullnetit, me siguri nga të dyja palët, por parasëgjithash nga Prishtina në këtë rast, sepse mendoj se nuk ka kapacitete, as vullnet, por as guxim që të zbatojnë pjesë të tij”, thotë Rashiç.

Akoma më e keqe sipas Rashiçit është ajo që qeveria e Kosovës nuk ka asnjë nismë, ndërkohë që përfaqësuesit serb kanë mbi tre muaj që nuk marrin pjesë në punimet e institucioneve qendrore të Kosovës pikërisht nga shkaku i mungesës në komunikimit brenda koalicionit qeveritar.

Rashiç vlerëson se përgjegjësinë më të madhe e bart kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili sipas tij nuk ka guxim të marrë përmbi vete përgjegjësinë dhe të zbatojë detyrimet nga Brukseli, por edhe Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në dialog.

“Pavarësisht sa ngadalë po ecin punët, sa i stërzgjatur që është procesi, pavarësisht vonesave, është më mirë të ketë dialog, ndoshta ai nuk është në nivelin më të lartë të cilësisë, por procesi duhet të kalojë në mënyrë që Beogradi dhe Prishtina, konkretisht serbët dhe shqiptarët në Ballkan të mund të bëjnë një program të përbashkët siç është afrimi drejt Bashkimit Evropian”, thotë Rashiç.

Ndërkaq, deputetja Albulena Haxhiu nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje në një deklaratë me shkrim për Anadolu Agency (AA) u shpreh se dialogu me Serbinë nuk duhet dhe nuk mundet të vazhdojë jo vetëm për shkak të ngjarjeve të fundit, por edhe meqë sipas saj ky dialog “në thelb është i padrejtë e i pabarabartë, pra i dëmshëm për Republikën e Kosovës”. Ajo ka shtuar se dialogu po e shkatërron Republikën dhe sovranitetin e vendit, përmes projekteve antikombëtare, si ai i “Zajednicës”

Haxhiu po ashtu ka theksuar se Kosova ka nevojë për dialog me serbët e këtij vendi. “Pra, për një dialog të institucioneve tona, i cili është gjithëpërfshirës dhe i cili ka synim integrimin e tyre në shoqëri, në aspektin politik dhe socio-ekonomik. Kurse karshi shtetit të Serbisë është e detyrueshme që të vendosen kushte, që nënkupton dialog me parime. Bëhet fjalë për dialog i cili nuk prodhon koncesione të dëmshme për Kosovën e favore për Serbinë”, është shprehur Haxhiu.

Duke vënë në dukje se “Zgjidhja është vetëm ndërprerja e dialogut”, Haxhiu ka shtuar se “Kosova po e vuan barrën e këtij dialogu me vite të tëra”. Sa i përket ndërmjetësimit të BE-së, Haxhiu është shprehur se “Ne fillimisht duhet ta ndihmojmë veten. Nëse nuk duam ta ndihmojmë veten, nuk mund të na ndihmojë askush”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button