Shkëndija kërkon tituj dhe përforcime të reja

Skuadra tetovare Shkëndija tanimë disa ditë nën urdhërat e trajnerit të ri Tomas Brdariç është duke realizuar fazën e parë të përgatitjeve dimërore, ku ekipi insiston të arrijë nivel sa më të lartë fizik dhe teknio taktik para fillimit të gjysmësezonit pranveror ku ekipi synon titullin e kampionit. “Sigurisht se ambiciet janë titulli i kampionit dhe Kupa. Angazhimi i trajnerit Brdariç dhe lëvizjet që do të bëhen në klub janë në drejtim të realizimit të këtyre ambicieve. Shpresojmë që gjërat të shkojnë në kahjen e dëshiruar dhe në fund të gjithë që identifikojnë veten me Shkëndijën t’u gëzohen sukseseve të dëshiruara”, reflektojnë ambiciet e klubit nga Zyra për Marëdhënie me Publik e Klubit të Futbollit Shkëndija.

Moti e keq, temperaturat e ulta dhe të reshurat e borës kanë imponuar ndryshime në planin e përgatitjeve, mirëpo nga ekipi ‘kuqezi’ thonë se stafi teknik është duke përshtatur punën me kushtet që janë në dispozicion. “Tani më katër ditë skuadra është duke punuar fazën e parë të përgatitjeve dhe pas matjeve dhe ekzaminimeve mjekësore të ditëve të para, skuadra tani më punon në teren nën urdhërat e trajnerit gjerman Tomas Brdariç. Sigurisht se moti i keq sjell probleme të papritura, mirëpo janë gjëra që nuk varen nga ne dhe stafi teknik mundohet të përshtat stërvitjet me kushtet që kemi. Nuk është njejtë të punosh jashtë në krahasim me palestrat që kemi në dispozicion, por besojmë se do ja dalim kështu, deri në përmirësimin e kushteve ose transferimin e ekipit në Antalia”, thonë nga Shkëndija. Sigurisht se ambiciet dhe planet janë të njohura për opinionin dhe ajo që pritet me padurim lidhet me risitë në skuadër dhe angazhimin e përforcimeve eventuale.

“Normal se do të kemi risi në skuadër dhe besojmë të marrim përforcime të qëlluara. Trajneri i ri ka kërkuar disa ditë për tu njoftuar prej afër me ekipin, pasi paraprakisht ka shikuar shumë ndeshje dhe ka informata të detajuara për gjithë futbollistët. Planifikojmë të angazhojmë përforcime në pozitat ku ekipi ka nevojë dhe ku stafi teknik vlerëson se duhet, normal për tu mbuluar si duhet, por edhe për të rritur konkurencën. Përforcimet janë e drejtë ekskluzive e trajnerit dhe stafit drejtues, ne kemi emrat që i duam dhe kryesia është në bisedime intenzive, por asgjë nuk mund të thuhet e kryer deri sa nuk vjen zyrtarizimi. Së shpejti do të ketë risi për të cilat publiku dhe mediat si zakonisht do të njoftohen në kohë reale”, sqarojnë nga ZMP e Shkëndijës, të cilët pastrojnë një dilemë në lidhje me disa emra futbollistësh të cilët përmenden në media si përforcime të mundshme të Shkëndijës, në mes tyre edhe Elis Bakaj.

“Po është e vërtetë se këto ditë është folur për disa emra reth angazhimit të tyre tek Shkëndija, por siç edhe jeni në dijni ne nga KF Shkëndija asnjëherë nuk përmendim emra para se gjithçka të jetë zyrtare. Është e vërtetë që ne jemi në kontakte të vazhdueshme me disa lojtarë për mundesinë e angazhimit të tyre në klubin tonë, ne kemi shumë respekt për Elis Bakajn dhe për shumë futbollistë tjerë që janë apostrofuar nga mediat këto ditë, por ne konfirmojmë që nuk kemi biseduar apo kontaktuar Elisin, pasi i njëjti nuk bën pjesë në planet tona për këtë gjysmë sezonë. Bakaj është lojtar shumë cilësor dhe ne i dëshirojmë gjithë të mirat dhe shumë suksese në karrierë”, bindin nga Shkëndija duke kërkuar në vazhdim që mediat mos të hezitojnë për tu drejtuar direkt në zyrat e klubit për gjithçka që u intereson në lidhje me ekipin ‘kuqezi’.

“Falënderojmë publikisht gjithë mediat për bashkëpunimin e deritanishëm shumë korekt dhe ju inkurajojmë që në çdo kohë për gjithçka që ju intereson rreth Shkëndijës të mos hezitoni të drejtoheni direkt tek zyra jonë. Ne jemi në dispozicionin tua për tu përgjigjiur apo konfirmuar çdo lajm që ka të bëjë me apo rreth klubit tonë”, përfundojnë nga Zyra për Marëdhënie me Publik e Klubit të Futbollit Shkëndija. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button