Doping në peshëngritje, Kina rrezikon të pezullohet për 1 vit

Peshëngritja kineze rrezikon të pezullohet me 1 vit nga aktivitetet ndërkombëtare. Tre sportiste të vendit aziatik, pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të vitit 2008, ku fituan medalje të arta, rezultuan pozitive pas rikryerjes së testeve antidoping, transmeton Top Channel.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar bëri të ditur se peshëngritëset të cilat kanë rezultuar me doping janë Çao Lei, në peshën 75 kg, Chen Xiexia, në kategorinë 48 kg dhe Liu Chunhong, në peshën deri në 69 kg. Në të njëtjën kohë, IOC bëri të ditur se këtyre peshëngritëseve u janë hequr medaljet e arta të fituara në Pekin dhe ato pritet t’u shkojnë sportisteve nga Tajvani, Rusia dhe Kazakistani.

Por jo vetëm kaq. IOC mori vendimin për të skualifikuar edhe 5 atletë të tjerë pjesëmarrës në Lojërat Olimpike të Pekinit dhe Londrës dhe këtu përfshihet edhe bjellorusja Nadzeya Ostapchuk, fituese e medaljes së bronztë në hedhjen e gjyles në lojërat e vitit 2008.

Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes vitin e kaluar bëri të ditur se vendet me 3 ose më shumë raste dopingu në Pekin dhe Londër ka shumë të ngjarë që të pezullohen me 1 vit nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare.

Nga rikryerja e testeve antidoping në Lojërat e Pekinit dhe Londrës deri tani kanë rezultuar pozitivë mbi 100 sportistë, ku Rusia është ajo që dominon. Disiplinat sportive më të prekura nga ky fenomen kanë qenë peshëngritja, atletika, çiklizmi, noti dhe mundja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button