Ersen Sali largohet nga Partizani

Duke filluar nga dita e sotme, Ersen Sali nuk do të jetë më pjesë e skuadrës së Partizanit. Sulmuesi që ishte një nga blerjet e bujshme të të kuqve në muajin dhjetor, mësohet se ka zgjidhur gjatë ditës së djeshme kontratën me klubin e Partizanit, pasi nuk ka qenë në planet e trajneri Sampaio. 

Sali firmosi një kontratë dyvjeçare me Partizanin në ditët e fundit të muajit dhjetor dhe u bë pjesë e skuadrës gjatë minifazës përgatitore që ajo zhvilloi për 14 ditë në Turqi. Megjithatë gjatë 5 ndeshjeve miqësore që të kuqtë zhvilluan në tokën turke, futbollisti luajti vetëm në një, për shumë pak minuta. Fillimisht ai kishte një dëmtim të lehtë dhe më pas një gjendje gripale, çka bëri që të zhvillonte stërvitje të diferencuar.

Largimi – Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Sali nuk ka qenë në stërvitjen e skuadrës, duke diskutuar me drejtuesit për të ardhmen e tij. Sulmuesit i është komunikuar se nuk është më në planet e trajnerit Sampaio për pjesën e mbetur të sezonit dhe i është kërkuar të diskutohet në lidhje me kontratën për të gjetur edhe një rrugë të përbashkët. Burime të sigurta pranë klubit të kuq, kanë bërë me dije se pas diskutimeve, mes palëve është arritur edhe akordi, duke prishur kontratën me futbollistin. Ky i fundit, ka rënë dakord që të largohet nga Partizani, por ende nuk janë bërë të ditura termat financiarë me të cilat Sali ka pranuar të largohet.

Klubi – Ndërkohë për mungesën e Salit në seancën e djeshme stërvitore, klubi i kuq ka nxjerrë edhe një njoftim për shtyp. “Ersen Sali ishte mungesa e vetme e skuadrës, kjo pasi sulmuesit i është ripërsëritur dëmtimi që e ka shqetësuar ditët e fundit. Pas një vizite mjekësore paraditen e sotme (djeshme), lojtari ka udhëtuar drejt Maqedonisë, për t’iu nënshtruar një mjekimi të specializuar”, lexohet në deklaratën e klubit në lidhje me Salin. Mesa duket mes palëve është rënë dakord që largimi i Salit të argumentohet me faktin që kishte një dëmtim edhe pse gjatë ditës së martë, sulmuesi ka zhvilluar një seancë të plotë stërvitore dhe nuk ka pasur asnjë shqetësim. / partizani.net

Lajme të ngjashme

Back to top button