LB: Në vend të protestës, Maqedonia të respektojë të drejtat e shqiptarëve

Lëvizja për Bashkim ka reaguar ndaj reagimit të Maqedonisë për takimin e krerëve të Kosovës e të Shqipërisë me përfaqësuesit e liderëve të partive politike shqiptare nga Maqedonia, shkruan Koha.net, transmeton Portalb.mk.

Lëvizja për Bashkimi ka thënë se Maqedonia po ua mohon shqiptarëve të drejtën si komb shtetformues.
Ky është reagimi i Lëvizjes për Bashkim:

Në reagimin e tij lidhur me takimet e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Kosovës me krerët e partive politike shqiptare në Maqedoni, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Popovski, duke akuzuar këta të dy për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë, ndër të tjera tha se Maqedonia ka qenë gjithnjë e drejtë në bashkëpunimin me fqinjët dhe se do të ishte shumë mirë, nëse ata i bashkohen Shkupit, jo të vendosin mina në këtë rrugë.

Lëvizja për Bashkim e konsideron këtë deklaratë mjaft shqetësuese sepse përmes saj shprehet mungesa e gatishmërisë së shtetit maqedonas për të reflektuar mbi realitetin ekzistues në këtë shtet dhe mohimin e padrejtë të të drejtave të shqiptarëve atje, si komunitet shtetformues. Konsultimi dhe koordinimi politik midis përfaqësuesve të një kombi, për avancimin e të drejtave të një pjese të tij nuk përbën kurrfarë veprimi agresiv apo precedenti në marrëdhëniet ndërkombëtare. Lidershipi maqedonas, duke u përpjekur ta pengojë komunikimin midis shqiptarëve në rajon, po dëshmon edhe një herë papjekurinë politike dhe mentalitetin e vet jodemokratik e izolues. Nuk mund të konsiderohet bashkëpunim i mirë i Maqedonisë me Republikën e Kosovës dhe Shqipërisë përderisa ky bashkëpunim synon të qëndrojë mbi vazhdimin e padrejtësive ndaj një pjese të kombit tonë.

Lëvizja për Bashkim i fton krerët e partive politike shqiptare në Maqedoni që të qëndrojnë të vendosur në unitet dhe t’i artikulojnë sa më qartë kërkesat e tyre. Gjithashtu, i ftojmë përfaqësuesit e popullit maqedonas që këtë moment ta shohin si një rast të mirë reflektimi për padrejtësitë e vazhdueshme ndaj shqiptarëve.

Përndryshe, reagimi i Popovskit vjen pas Platformës së përbashkët të partive shqiptare BDI, Lëvizjes BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, e cila ka dalë nga takimet me krerët e Shqipërisë dhe Kosovës.

Paraprakisht, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka deklaruar se Tirana nuk lidhet me asnjë rast me skenarët e mundshëm për krijimin e Qeverisë në Maqedoni.

Sa i përket zbatimit të platformës së nënshkruar nga partitë shqiptare, Bushati thekson se ky është momenti i duhur që ata të bëheshin bashkë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me anë të një publikimi në Twitter ka përshëndetur platformën e përbashkët.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka përgëzuar liderët e partive shqiptare në Maqedoni për bashkimin e tyre rreth një platforme, e cila siguron se do të punohet edhe më fuqishëm për realizimin e të drejtave të shqiptarëve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button