Të punësuarit e “Jugohromit” përsëri kërkojnë takim me kryeministrin Dimitriev

Organizata Sindikale e Kombinatit “Jugohrom” përsëri kërkon takim me kryeministrin, Emil Dimitriev, pasi që për kërkesën për takim që është dërguar më 4 janar, kanë marrë përgjgigje se me përfaqësuesit do të takohet këshilltari i kryeministrit, njofton Portalb.mk.

“Jemi të gatshëm që takimi të përshtatet në kuadër të terminëve tuaja në të cilën do ditë dhe në cilën do kohë (ju ngelemi në disponim 24 orë). Kërkojmë që takimi të realizohet sa më shpejtë që është e mundur. Ju theksojmë se kërkesa është për shkak të trysnisë së madhe nga 700 të punësuarve të cilët janë të shqetësuar për statusin e tyre të punës”, thuhet në kërkesën.

Në kërkesën për takim që është e dërguar më 4 janar, të punësuarit thonë se ndjehen të mashtruar nga disa institucione pasi që, siç thonë ata, fillimisht janë vonuar me dhënien e lejes për ndërtimin e patjetërsueshëm të filtrave, ndërkaq më pas kanë urdhëruar ndalim të furrave, transmeton Portalb.

“Jemi të gatshëm që të vazhdojmë edhe me protesta më radikale dhe me mënyra tjera të shprehjes së  pakënaqësisë. Por, përpara se të marrim masa tjera, duam të takohemi me ju, t’i këmbejmë informatat dhe të shikojmë se a ka mundësi që problemi të zgjidhet në rrugë institucionale. Vlerësojmë se mundet, me ndihmën dhe ndërmjetësimin tuaj, mund të gjendet ndonjë zgjidhje e pranueshme e cila do të sigurojë ekzistencë të punëtorëve”, thonë nga Organizata  Sindikale e Kombinatit “Jugohrom”.

Përndryshe, sipas një dokumenti të publikuar nga  mediat në vend, nga Inspektorati i Ministrisë së Ekologjisë sqarohet se shkaku për mbylljen e “Jugohromit” është mosrespektimi i afatit dhe i njëjti do të mbyllet vetëm për 90 ditë. Nga kjo mund të kuptohet se Kombinati “Jugohrom” do të jetë mbyllur vetëm deri pas zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit.

Në vendimin e lëshuar nga ana e inspektoratit të ekologjisë thuhet: “Ndalohet kryerja e punës për subjektin “Jugohrom Alzar” nga Jegunovca, me adresë në Jegunovc të Komunës së Jegunovcës e cila udhëhiqet nga Vasko Skenderovski në një periudhë prej 90 ditësh për shkak të mos realizimit të punëve me planin operativë të A kategorisë që është paraparë me planin operativ ”.

Ministri i Ekologjisë Bashkim Ahmeti më 1 nëntor kur kumtoi lajmin për mbylljen e kombinatit tha se vendimi nuk ka të bëjë me periudhën parazgjedhore.

Inspektorati pranë ministrisë së ekologjisë më 1 nëntor vendosi për ndërprerjen e punës në “Jugohrom”, me arsyetimin se kombinati nuk ka vendosur filtrat. Por nga Jugohromi njoftuan se kanë bërë kërkesë për vazhdimin e afatit edhe për 18 muaj me arsyetimin se janë ballafaquar me pengesa burokratike për vendosjen e filtrave.

Prej kur është mbyllur fabrika, që cilësohen si një ndër ndotësit më të mëdhenj në rajonin e Pollogut, disa herë të punësuarit kanë protestuar me qëllim që fabrika t’i rindezë furrat, ndërkaq ata të kthehen në punë.

Me mbylljen e Kombinatit, pa punë do të ngelen rreth 1.000 punëtor. /Portalb

LEXO: Jugohromi mbyllet vetëm për 90 ditë!
LEXO: Mbyllja e Jugohromit, për të mirën e qytetarëve apo për shkak të zgjedhjeve?!
LEXO: Të punësuarit në “Jugohrom”: Kërkojmë që kombinati të fillojë me punë
LEXO: “Eco Guerilla” reagon ndaj kërkesës së të punësuarve të “Jugohromit”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button