Bideni frymëzim dhe model i përkryer për Thaçin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar zëvendëspresidentin në largim Joe Biden, i cili për Thaçin vazhdon të jetë inspirim dhe model i përkryer shkruan Koha.net, transmeton Portalb.mk.

Thaçi ka thënë se përkushtimi i SHBA-ve dhe përkushtimi personal i Bidenit për paqe në Kosovë dhe rajon, është interes strategjik i Amerikës.

“Në jetën time, në kohë dhe rrethana të ndryshme, kam takuar shumë liderë botërorë. Por, padyshim, zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, për mua mbetet inspirim dhe modeli më i përkryer. Ajo çfarë e bën të veçantë zëvendëspresidentin Biden, ndër të tjera është urtësia, mençuria dhe sinqeriteti i tij. I tillë ishte dhe ka qenë në të gjitha takimet që kam pasur përgjatë gjithë këtyre viteve. I tillë ishte edhe në takimin e sotëm”, ka shkruar Thaçi për Bidenin.

“Përkushtimi i Amerikës dhe përkushtimi personal i zëvendëspresidentit Biden për paqen në Kosovë, në rajon dhe më gjerë mbetet i përhershëm, sepse është interes strategjik i SHBA-së”, ka shtuar presidenti i Kosovës.

Thaçi është shprehur i sigurt se ngjashëm si administrata e Barack Obamës, edhe ajo e presidentit të ri, Donald Trump do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën.

“Prandaj, jam i sigurt se ky përkushtim do të vazhdojë edhe gjatë administratës së re. Ndërsa, zëvendëspresidenti Biden dhe gjithë familja e tij, tani dhe përgjithmonë, Kosovën duhet ta konsiderojnë si shtëpinë e tyre”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndjehem njeri me fat dhe krenar që vendi im mbështetet nga njerëz të tillë të jashtëzakonshëm si zëvendëspresidenti Biden. Le të mbetet e përjetshme dhe e bekuar kjo miqësi ndërmjet Kosovës dhe Amerikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP