Kompania që bën analizën e Marrëveshjes së Ohrit tërhiqet nga projekti

Çdo dështim eventual në këtë rast, do të dëmtonte rëndë imazhin e kompanisë tonë, andaj ne heqim dorë nga ky projekt dhe do të kërkojmë ndërprerjen e kontratës. Është shprehur kështu Rrahim Shaqiri, kreu i “TDS- Kiosk”, raporton Portalb.mk.

Reagimi i “TDS Kioski” vjen pas dyshimeve dhe akuzave të ngritura në disa media në vend lidhur me kapacitetet e “TDS-Kioski” për analizën e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe organizimin e Konferencës ku do të shpalosej analiza.

Sipas Shaqirit, shqyrtimet, kontrollet, rishikimet e procedurës tenderuese, dokumentacioneve që kërkohen nga kompania e tij, ua ka rënduar dukshëm punën, ndërsa paralajmërimet për vazhdimin e rishikimeve dhe kontrolleve të këtilla gjatë ditëve në vazhdim do të pamundësojë krejtësisht punën e tyre.

“Me këto pengesa ekziston rreziku që puna e kompanisë sonë të dështojë duke pasur parasysh kohën e shkurtër që ka ngelur deri në datën e Konferencës dhe publikimeve”, thotë ai.

Duke u bazuar në lajmet e fundit lidhur me shpalljen publike për Analizën cilësore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, të shpallur disa ditë radhazi, Kompania TDS shpreh këtë reagim duke ia bërë të qartë opinionit se:

  1. Emri i saktë i Kompanisë është TDS-KIOSKI, e cila ngërthen në vete një sërë veprimtarisë. Një ndër ato është edhe marketingu dhe hulumtimet. Për realizimin e veprimtarisë afariste për marketing kemi të themeluar njësinë numër 8, që nga fillimi i shtatorit të vitit 2016. Demantojmë se me datë 02.12.2016 është themeluar njësia për marketing, meqë me datë 02.12.2016 është bërë vetëm riemërimi I njësisë në TDS-ADVERTISING, që paraqet të drejtën tonë legjitime për të riemëruar njësinë organizative. Dëshmi për këtë është edhe vet dokumenti i regjistrit qendror ku është e cekur se me datë 02-12-2016 ka pasur ndryshim vetëm në riemërimin e njësisë organizative e jo themelim i njësisë organizative.
  2. Shpallja publike, apo tenderi për Realizimin e analizës kualitative për Implementimin e Marëveshjes Kornizë të Ohrit është marrë nga Kompania TDS në mënyrë të rregullt. Është hapur tenderi me datë 14-10-2016. Kemi kompletuar dokumentacionet e nevojshme dhe me datë 03-11-2016 kemi dorëzuar aplikacionin. Në bazë të procedurave paraprake të tenderimit, duke kaluar filtrat e Komisionit për vlerësim jemi kualifikuar për auksionin elektronik dhe me datë 14-11-2016 e kemi fituar tenderin nga Byroja për furnizime publike. Kontrata është nënshkruar me datë 21-11-2016.
  3. Sipas lëndës së shpalljes publike parashihen 5 pika kryesore, edhe atë: – Përpunimi I analizës kualitative për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit; – Organizimi I një konference ndërkombëtare – Gjashtë ANALIZA rajonale në formë të hulumtimeve (e jo 6 konferenca rajonale siç potencojnë mediumet) – Analizë të mendimit publik, si dhe – Kanale të reja të komunikimit për afirmimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit. Për realizimin e lëndës së shpalljes publike kemi angazhuar staf profesional, profesorë eminent, të cilët do të realizojnë analizën dhe do të shfaqin rezultatet e tyre në një konference ndërkombëtare. Nuk është e vërtetë se në aplikim Kompania nuk e ka paraqitur stafin profesional për realizimin e analizës. Në aplikacion, përveç paraqitjes së stafit profesional janë të pranishme edhe CV-të e stafit.

Kuadri i angazhuar është: – Prof.Dr. Abdilnaser Sinani – Mr. Daut Dauti – Prof.Dr. Salajdin Salii

  1. Nga sfera e analizave dhe hulumtimeve kemi punuar projekte për Ministrinë për Punë dhe politikë sociale dhe për Ministrinë e Ekonomisë. Gjithashtu kemi realizuar aktivitete të marketingut për afirmimin e turizmit të vendit në nivel rajonal.

Për t’i parë dokumentet e TDS- Kioski kliko KËTU!

Ndryshe, Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ende nuk ka përgjigje se nëse i ka angazhuar ekspertët të cilët do të hulumtojnë parregullsitë në procedurat e tenderit për analizën e Marrëveshjes së Ohrit të fituar nga kompania “TDS Kioski”. Edhe pse për një gjë të tillë ditë më parë njoftoi vetë kabineti i zv/ kryeministrit Festim Halili, Alsat M kërkoi qëndrim nëse veçmë janë angazhuar ekspertët, kush do të jenë ata dhe për sa kohë do të evidentojnë shkeljet, por deri më tani nuk kanë asnjë përgjigje.

As komisioni për parandalimin e korrupsionit nuk përgjigjet për parregullsitë e konstatuara në tender.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button