Shkupi përsëri në protestë: Franca të mos e ekstradojë Haradinajn në Serbi (FOTO+VIDEO)

Në temperatura të ulëta, me thirrje “liri për Ramushin”, “Haradinaj i pafajshëm”, “kriminelët kërkoni në Serbi”, nën organizimin e Këshillit Organizativ, të përbërë nga studentë, profesorë, gazetarë dhe ish ushtarë të UÇK-së, qytetarët e Shkupit, sot kanë protestuar përpara Ambasadës së Francës, për të shprehur revoltën ndaj arrestimit të ish komandantit të UÇK-së dhe ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze, raporton Portalb.mk.

“Jemi sot këtu për të kërkuar lirimin e menjëhershëm nga autoritetet franceze të ish kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe njëherit për të dënuar këtë akt të padenjë, të padrejtë dhe fyerës”, tha anëtarja e Këshillit Organizativ, Miranda Beqiri.

Përfaqësuesi i studentëve, Egzon Zendeli, porositi që autoritetet franceze të mos bien pre e Serbisë dhe ta ekstradojnë Haradinajn, pasi që siç tha ai “do të ketë trazira”.

“Ftojmë autoritet franceze që të mos bien pre e ndikimeve që t’i prish marrëdhëniet me Kosovën dhe të mos lejojë që të bëhet ekstradimi i zotit Hardinaj, ashtu siç kishte kërkuar shteti serb. Në të kundërtën nga vet ky fakt, nënkuptojmë si inicim të trazirave të mëdha në vend por edhe më gjerë”, tha Zendeli, transmeton Portalb.

Protesta e sotme përpara Ambasadës në Shkup kundër arrestimit të Haradinajt, është e dyta me radhë, pas asaj të 6 janarit, ku dhjetëra qytetarë vullnetarisht dolën për ta shprehur revoltën e tyre me porosinë “liri për Ramushin”.

Përndryshe, Serbia dje ka dorëzuar kërkesën për ekstradimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në paraburgim në Colmar të Francës.

Mediat serbe raportojnë se kërkesa për ekstradimin e Haradinjat është dorëzuar tek autoritetet franceze nga Ministria e Drejtësisë.

Bashkë me kërkesën për ekstradim, siç raporton “Kurir” i Serbisë, është dërguar edhe dokumentacioni përcjellës në gjuhën frënge në bazë të të cilit sistemi francez i drejtësisë do të vendos nëse janë përmbushur kushtet për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.

Haradinaj, është ndalur më 4 janar në Francë, për shkak të një fletë-arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 me të cilin ai konsiderohet si kriminel lufte me rolin e tij si udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në anën tjetër, AAK-ja përmes një komunikate për shtyp ka thënë se vendimi për ta mbajtur Haradinajn në paraburgim, në bazë të një fletë-arresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat ai dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor.

Zyrtarët më të lartë të institucioneve të Kosovës, Shqipërisë dhe të shqiptarëve të Maqedonisë, e kanë quajtur provokim fletë-arrestin serb në bazë të së cilit është arrestuar Haradinaj. Sipas tyre, ky është një tentim për destabilizim të Ballkanit.

Sot protesta ka pasur edhe në disa qytete të Kosovës dhe në Tiranë.

15970072_10211853686680272_1770696684_n

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button