Bota e djeshme e një europiani

“Aq shumë ngjarje brenda një jete njeriu”. Një fjali e cila sikur është shkruar për brezin tim fatkeq. Brezin e udhëkryqit. Një udhëkryq ku u shfaqën demonët e shekullit tonë dhe shekujve të kaluar. Ku fantazmat e lugetërit e historisë, apo më saktë mitologjisë, dolën nga varret dhe morën pjesë në ritualet makabre.

Ky brez përjetoi trauma të njëpasnjëshme. Ishte pjesë e të gjithë proceseve të tmerrshme, që u shoqëruan me dhimbje e lot. Ishte dëshmitar i rënies së murit të Berlinit, që e ngjalli shpresën për ardhjen e lirisë së munguar, por sakaq të verbuarit pas ideologjisë komuniste u bënë protagonistët e një fashizmi të ri. Ky brez ishte dëshmitar i tmerreve që ndodhën gjatë luftërave në Bosnjë, Kroaci, Kosovë dhe, më pas, dëshmitar i konfliktit në Maqedoni.

Në Ballkan secili brez e përjeton një luftë. Megjithatë ajo që ka ndodhur nuk korrigjohet. Fatkeqësisht e kaluara nuk shërben si leksion. Secili i beson mitologjisë, që e pandeh si histori.

“Aq shumë ngjarje brenda një jete njeriu”. Kështu thotë Cvajgu në librin “Bota e djeshme –  kujtimet e një europiani”, ku përshkruan me pedanteri, me sinqeritet, paanësi, humanizëm të thellë, pa urrejtje, atë që ndodhte në Europën e infektuar nga helmet e nazizmit. Shkruan kështu sepse “kushtet për të dhënë tablo besnike të një epoke” janë sinqeriteti dhe paanësia. Ai me sinqeritet e paanësi e jep tablonë e jashtme e të brendshme të Vjenës së atëhershme, këtij qyteti që po shpërfytyrohej. Në Vjenë, në këtë qytet ku “ishte i theksuar fanatizmi për artin, sidomos për artin teatror, tek të gjitha shtresat e popullsisë”, në këtë qytet të “indiferentizmit politik”, ku “ushtrimi i muzikës, i vallëzimit, i teatrit, i të folurit bukur, i sjelljes së hijshme e korrekte, të gjitha këto kultivoheshin aty si një art i veçantë”, ku “nuk mund të quheshe vjenez i vërtetë pa këtë dashuri për kulturën”, vlente motoja: “të jetosh e t’i lësh të tjerët të jetojnë”, derisa ende “instinkti i urryer i kopesë, i turmës, nuk e kishte fituar akoma pushtetin, aq të neveritshëm”, sikurse ndodhi pas depërtimit të nazizmit.  Para se damarët e njerëzve të helmoheshin me helmet e nazizmit “toleranca nuk përbuzej si shenjë dobësie e butësie”, por vlerësohej “si një forcë morale”, kurse pas depërtimit të nazizmit katastrofa morale kishte bërë “pluhur e hi një mijë vjet përpjekjesh njerëzore”. Shekulli njëzet “solli progres teknik, por edhe rrënim moral”. Nacionalizmi, siç thotë Cvajgu, kishte helmuar lulen e kulturës evropiane dhe kishte shkaktuar një kthim “një mijë vjet prapa në botën morale”.

Cvajgu nuk vajton, sepse i përket brezit që “e ka mësuar mirë artin e shkëlqyer që të mos vajtojë gjithmonë për atë që ka humbur, dhe ndoshta kjo mungesë dokumentesh e hollësish mund të kthehej madje edhe në dobi të jetës”.

Cvajgu kishte një ndjenjë sigurie ekonomike që e bënte të pavarur në idealin e tij tepër human. Ai nuk kishte pranuar dekorata e tituj, nuk ishte nëpër kryesi shoqatash, as anëtar i ndonjë akademie, komiteti apo jurie. Për të ishte torturë që të ulej në tryeza solemne. Vetëm mendimi, siç thotë, që t’i kërkonte dikujt ndonjë nder, edhe kur kjo kishte të bënte me një të tretë, i thante fytin pa shqiptuar fjalën e parë. Sepse Cvajgu kishte ndjesinë e lirisë së brendshme, të siguruar nga i ati. Ishte rritur në familje të kamur dhe nuk shpërqendrohej nga ana materiale. Bota e tij e brendshme është bota e një humanisti. Bota jashtë tij, ndryshe nga çfarë e kishte projektuar, kishte filluar të dekompozohej. Ajo po përjetonte një rrënim moral.

“Mendohet përgjithësisht se synimi i mirëfilltë e tipik i jetës së një hebreu është pasuria… Dëshira e mirëfilltë e hebreut, ideali i tij thelbësor është lartësimi shpirtëror, arritja e një niveli më të lartë kulturor”, thotë Cvajgu.

Shkrimtarit nuk i pëlqente fama. “Jeta anonime në të gjitha format e saj për mua është një nevojë”, shkruan ai dhe e citon thënien e Rilkes për lavdinë, e cila është “shuma e të gjitha keqkuptimeve që grumbullohen rreth një emri”.

Në kohën e përplasjeve të mëdha historike, kur brenda qenies njerëzore ngjallen demonët, njeriut të mendimit i bie hise që angazhohet për ta parandaluar katastrofën, për aq sa ka mundësi. Këtë synon ta bëjë nëpërmjet librave, mendimeve, ideve, artit të tij. Dhe Cvajgu, që kishte besuar për një botë më të mirë, atë po bënte. Por në shkrimet e tij ndjente se idealet e tij ishin cenuar tmerrësisht.

Shkruan për kulturën: “Çdo të thotë vallë kulturë, a nuk do të thotë që nga materia bruto e jetës të thithësh, përmes ngashënjimeve mikluese të artit e të dashurisë, atë gjënë më të këndshme e më të lezetshme që ajo mban fshehur brenda saj?”. Për shtetin: “Ky dordolec, ky makut i pamëshirshëm që quhet shtet”. Shkruan për lavdinë e së kaluarës, për dritën, ndërkohë që bota mbështillet me hijet e tmerrin dhe absurdit të luftës. Flet për njerëz të të artit e të mendimit. I përshkuan takimet me ta. “Kisha marrë mësimin e parë: njerëzit e mëdhenj janë gjithmonë më zemërmirët. Mësimi i dytë ishte se ata janë thuajse njerëzit më të thjeshtë në mënyrën e jetesës”. Të gjithë emrat e mëdhenj, që i kishte menduar të paarritshëm, i shfaqeshin të afërt, miqësor, të dashur. Cvajgu nuk dëshironte që t’ua merrte kohën e çmuar. “Sa më shumë e dua një njeri, aq më tepër respekt kam për kohën e tij”. Nuk harronte që t’u kthehej veprave të letërsisë botërore, falë të cilëve kishte arsye për ta dashur botën, atë botë që shpërfytyrohej, që pësonte katastrofë për shkak të pehlivanëve të politikës.

Pikërisht nga ky libër bota mund të mësojë edhe sot, sepse ajo sërish përjeton zhvillim të madh teknologjik, por edhe rënie morale. Të njëjtin libër ishte dashur që ta lexonin intelektualët e hapësirës së Jugosllavisë së dikurshme, para se të fillonte tragjedia që rezultoi me qindra mijëra të vrarë. Aktori Bekim Fehmiu, i cili jetonte në Beograd dhe i kundërvihej histerisë shoviniste serbe, e frymëzuar nga elita kulturore serbe, e veçonte librin “Bota e djeshme” të Cvajgut, për shkakun se është libër i shkruar nga një stilist i përkryer, sepse shihte ngjashmëri ndërmjet botës së djeshme dhe të sotmes së tij. Botës që e përshkruante Cvajgu dhe botës në të cilën jetonte aktori, ku fashizmi i përjetshëm, sikurse e quan Umberto Eko, ishte shfaqur kudo. Po aq edhe për shkakun se nga ky libër mund që të vetëdijesoheshin elitat intelektuale se çfarë rrënimesh morale sillte një ideologji vrastare. Po shumica e intelektualëve heshtën, duke e mbrojtur kokën, derisa, një ditë prej ditëve, vërejtën se, duke heshtur, kishin bërë tradhti. Të paktët që reaguan u desh që të paguanin çmim të lartë. Disa e përjetuan ekzilin. Sot ata quhen “vertikalja morale e Ballkanit”. Disa prej tyre janë: Nikola Kovaç, Predrag Matvejeviq, Filip David, Jevren Berkoviq, Izet Sarajliq etj. Në taborin e kundërt renditen shkrimtarë që u duartrokitën vrasësve ose jepnin urdhra për vrasje, sikurse: Nogo, Radovan Karaxhiq, Mateja Beçkoviq, Qosiq etj.

Sot ky libër duhet që të lexohet nga europianët. Kontinenti i vjetër është në dimensione të ngjashme si në kohën kur u shkrua ky libër. Një gjendje që e duroi Cvajgu, autori i novelave të bukura dhe i monografive të letrarizuara.

Në gjendje depresioni, i bindur se fantazma naziste po e ngulfaste botën, i dha fund jetës në Brazil. E parandjeu se bota nuk do të ishte e njëjtë pas luftërave botërore. Ajo nuk është më e njëjtë. Kujtesa e saj është e rënduar. Herë pas here rëndohet me skena e krime të njëjta edhe në shekullin tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button