Kerry sulmon Trumpin: Rrezikohemi nga autoritarizmi

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry paralajmëroi për rreziqet e populizmit autoritar dhe kritikoi ashpër përdorimin pa frè të “Twitter”-it nga ana e presidentit të zgjedhur Donald Trump, duke thënë se në këtë mënyrë, ai u shmangej përgjegjësive.

Në komentet më të drejtpërdrejta kundër miliarderit që prej zgjedhjes së tij president më 8 nëntor, kryediplomati në largim sugjeroi gjithashtu se, të emëruarit për poste në kabinetin e ri po lejohen nga Kongresi të mos paraqesin deklaratat tatimore para seancave të konfirmimit të tyre në Senat, transmeton Top Channel.

“Çdo vend në botë duhet të shqetësohet për populizmin autoritar dhe mungesën e përmbajtjes në dialogun politik. Nëse politikat do të bëheshin nga 140 shkronja në Twitter dhe nëse çdo llogaridhënie e arsyeshme do të anashkalohej, atëherë ne kemi një problem”, tha John Kerry.

Ai përmendi dallimin mes zgjedhjes së tij si Sekretar Shteti 4 vite më parë, kur – siç tha, – iu desh të siguronte një sërë dokumentesh, dhe pjesëtarëve të kabinetit “Trump”, të cilëve sipas tij po u ofroheshin një sërë lehtësirash para seancave të konfirmimit.

Në muajin dhjetor, drejtuesi i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Corcer deklaroi se paneli nuk i kishte kërkuar Rex Tillersonit, i zgjedhur nga Trumpi si Sekretar Shteti, të dorëzonte deklaratat tatimore.

Walter Shaub, drejtor i Zyrës Federale të Etikave qeveritare u tha në një letër senatorëve javën e kaluar se ishte tepër i shqetësuar për mosplotësimin e procedurave nga ana e të emëruarve të kabinetit “Trump”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button