Nishani dhe Meta takojnë kryediplomatin e Malit të Zi

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Srđan Darmanović (Srdjan Darmanoviç), gjatë vizitës së tij në Shqipëri, sot është takuar edhe me Presidentin Bujar Nishani dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca e Shqipërisë bëhet e ditur se Nishani gjatë takimit me kreun e diplomacisë malazeze vlerësoi bashkëpunimin dhe raportet midis dy vendeve, duke i konsideruar ato si një model i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në rajon.

“Nishani dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Darmanoviç, ndanë mendimin se të dy vendet duhet të flasin me një zë kur bëhet fjalë për projekte të përbashkëta të rëndësishme zhvillimore dhe konkrete në fushën e mjedisit, turizmit, infrastrukturës rrugore, etj. Presidenti Nishani vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Mal të Zi si kontribuues në zhvillimin e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor si dhe në mbështetje të proceseve integruese në vendin fqinj dhe rikonfirmoi rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

Ndërkohë edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti sot në një takim ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, Srdjan Darmanoviç, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje si strategjike për tërë rajonin.

“Meta u shpreh se si Shqipëria ashtu edhe Mali i Zi kanë një destinacion të përbashkët dhe theksoi se stabiliteti i Malit të Zi është stabiliteti ynë dhe i shërben mbarëvajtjes së paqes në tërë rajonin e Ballkanit, ku të gjithë vendet duhet të punojnë më ngushtë me njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë.

Në fillim të vizitës së tij në Shqipëri, ministri Darmanoviç u takua me homologun shqiptar, Ditmir Bushati.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button