Ja si lidhet gazetaria me spinin politik, e jo me informacionin

[Recension: “Lëvizja BESA dhe lidhja e tyre me dervishizmit”]

Analiza e analiza, konstatime mbi konstatime, qëndrime personale… as L prej lajmi. Këto janë kualifikimet për këtë tekst, që ka tentuar të shfaqë një lloj skeme ose kauze të fshehtë fetare brenda një subjekti politik, por gjithçka që është bërë është degradim i shkrimit, besueshmërisë së medias dhe profesionit.

levizja-besa-dhe-lidhja-e-tyre-me-dervishizmitLinku për te artikulli origjinal: Lëvizja BESA dhe lidhja e tyre me dervishizmit

Data dhe koha e publikimit: 07.01.2017

Data e recensionit: 08.01.2017

Recensuese: Ferikan Iljazi

Gjithçka fillon me një thirrje për të gjithë shqiptarët kundër një subjekti politik, pasi gjoja paska lidhje me dervishizmin (po çka edhe nëse ka, nuk është kjo thirrje për mostolerancë fetare?!?), por këto elemente nuk i arsyeton askund.

Gjithçka bazohet në një dokument që u publikua ditë më parë për një organizatë joqeveritare, që gjoja e financon këtë parti politike. Por, teksti nuk ka dhënë as parafjalë për dokumentin e publikuar, as nuk ka dëshmuar se si ka arritur të bëjë lidhje të dervishizmit me këtë parti, e as nuk ka treguar se si ka arritur të lidhë inidividë të caktuar me një kauzë, pasi kjo është një kualifikim shumë serioz, i cili rrezikon padi serioze.

“Shqiptarë kujdes, se askush nuk të dërgon miliona euro kot. Në Xhamitë e Tetovës kan filluar të vallëzojnë dhe të rrotullohen brenda në Xhami. Parat e huaja edhe pakë edhe do të na i shëndrojnë Xhamit në vende ku xhemati do të rrihet me kamxhika dhe do të shpohen me hekura dhe thika. Miliona euro para të transferuara nga Katari, Omani, Arabia Saudite dhe Turqia për themeluesit e Lëvizjes Besa? Të gjithë e dimë se askush nuk të jep para kotë, pa arsye”

Të paktën, në një pjesë mund të pajtohemi me autorin. Askush nuk të jep para kot, pa një arsye. Por, përse autori nuk e zbuloi arsyen, e më pas ta shkruajë tekstin? Nuk bëhet lajm me dilema dhe teza të pakonfirmuara, vetëm me gojëdhëna të çajtoreve. Sidomos jo, kur shkruajmë tekste për publik masovik, e që trajtojnë çështje që janë shumë të ndjeshme dhe shumë të mëdha.

“Kur dikush të dërgon miliona Euro d.m.th që ti e ke shitur kombin dhe fenë, dhe ke pranuar të futesh në shërbime të errëta kundër fesë tëndë dhe kundër kombit tëndë. Vetëm nga dokumentet që u publikuan dje pamë se në konton e organizatës të Adnan Ismailit Fondacioni për Civilizim Islamik ishin transferuar 46 milion euro!!!! Me të madhe po publikohen edhe dokumente të tjera ku shihen transfere me miliona Euro për organizata të ndryshme në Maqedoni, të gjitha këto pa u kontrolluar aspak nga shteti dhe shërbimet shtetërore”

Ato dokumente që përmenden në tekst duhet të vendosen ngjitur me të, që lexuesi ta ketë të qartë se për çfarë po flitet.

“Mbi 30-t vite po transferohen miliona euro për grupacionet e njëjta për të shkaktuar përcarje ndërfetare tek shqiptarët, por tani misioni i tyre është zgjeruar edhe me themelimin e Lëvizjes Besa për përcarje kombëtare”

Në përmbajtje është shkuar edhe më tej. Përveç një subjekti politik, përmenden edhe individë. Dhe kjo gjë nuk është gjë që tolerohet në gazetari, sidomos për persona që nuk kanë asnjë post publik. Ndryshe është nëse zbulohen keqbërje ose thyrje të ligjit nga ana e tyre, por veprimet e tilla duhet të dëshmohen në përmbajtje, e kjo gjë mungon.

“Metin Izeti i cili është mik i ngusht i themeluesve të lëvizjes Besa, Adnan Ismailit, Zejd Rexhepit dhe të tjerëve me vite të tëra ka filluar që të praktikon sekte të ndryshme iraniane në xhamitë e Tetovës, duke ju shpërndarë fletushka të ndryshme xhematit dhe duke i mësuar se si të bëjnë vallëzime të ndryshme në formë të ritualëve të cilat janë në kundërshtim të plotë me traditat fetare ndër shqiptarët”

Ky tekst duket që ka tendenca të tjera dhe kjo gjë është e pafalshme në gazetari. Është dashur që të paktën të kontaktohen edhe personat që janë përmendur dhe të verifikohen dokumentet për të cilat shkruhet, e që nuk janë publikuar bashkë me tekstin. Pa palën e dytë, teksti është i njëanshëm dhe nuk nxjerr të vërtetën në tërësi. E, në momentin që nuk ke interes për të vërtetën, është e qartë se dëshiron të propagandosh ose spinosh.

Kodi Etik i gazetarëve të Maqedonisë dikton se:

  • Vërtetimi i të dhënave dhe saktësia janë imperativ moral i gazetarisë, prandaj gazetari është i obliguar ta provojë informacionin prej sa më shumë burimeve, të paktën prej dy burimeve të pavarura.

  • Gazetari duhet të sigurojë “palën e dytë”, respektivisht t’u japë mundësi të dy palëve të interesuara të produktit gazetaresk ta shprehin qëndrimin e tyre. Kjo edhe më tepër vjen në shprehje kur gazetari shpreh dyshime ose akuza ose kur dikush është objekt i sulmit apo kritikës.

  • Nëse gazetari vlerëson se informacioni i paprovuar është me interes publik, është i obliguar ta publikojë, por duke saktësuar se bëhet fjalë për informacion të pakonfirmuar.

  • Gazetari patjetër duhet ta mbrojë lirinë e shprehjes, të ruajë pavarësinë e qëndrimeve të tij ndaj çdo përpjekjeje për të shtrembëruar ose për të çenzuruar informacionin.

     


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button