Moti i acartë në Shqipëri, ushtria fillon shpërndarjen e ndihmave

Moti i ftohtë me temperatura që shkojnë deri në -19 gradë ka vijuar edhe gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri, duke krijuar probleme në qarkullimin rrugor dhe jetën e përditshme të banorëve në zonat malore, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndërkohë sot në mëngjes kanë nisur reshjet e borës në Sarandë, Pukë dhe Dibër. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka informuar nëpërmjet një njoftimi zyrtar se Forcat e Armatosura kanë filluar shpërndarjen e ndihmave ushqimore me helikopter në zonat e izoluara.

“Në përgjigje të kërkesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, helikopterët e Forcës Ajrore kanë kryer disa fluturime për shpërndarjen e ndihmave në zonat e izoluara. Janë shpërndarë ndihma ushqimore dhe batanije për banorët e fshatrave Arrën dhe Kalis në Kukës. Ndihmat e shpërndara për banorët e këtyre fshatrave të izoluar janë siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Gjithashtu, efektivët dhe mjetet e rënda të Forcave të Armatosura janë të angazhuara edhe në hapjen e rrugëve rurale që janë ende të bllokuara nga bora.

Në një njoftim zyrtar, nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë bëhet e ditur se në qarqet Kukës, Shkodër, Dibër, Lezhë, Korçë, Elbasan, Vlorë dhe Berat megjithëse nuk ka pasur reshje, për shkak të temperaturave të ulëta dhe erës së fortë, në disa akse rrugore ka pasur prezencë akulli. Sipas MPB-së, të gjithë akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme, disa pjesërisht me zinxhirë.

Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit për shkak të motit të ftohtë 3 persona humbën jetën, ndërsa ka patur edhe ngjarje aksidentale në rrugët e vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button