Siri, Assad gati të dorëhiqet: Nëse flasim për presidentin, të ulemi për Kushtetutën

Presidenti sirian Bashar al-Assad ka bërë të ditur se qeveria e tij është e gatshme të negociojë “gjithçka” në bisedimet e propozuara të paqes në Kazakistan, aty ku ende nuk dihet me saktësi se kush do ta përfaqësojë opozitën, ndërsa as data nuk është përcaktuar, transmeton Top Channel.

Assad tha gjithashtu se armëpushimi i ndërmjetësuar nga Turqia dhe Rusia, aleati më i madh i tij, ishte duke u shkelur dhe se ushtria do të shtinte në dorë të gjithë territorin e Sirisë, përfshi zonën e kontrolluar prej rebelëve pranë Damaskut, ku është bombarduar dhe nxjerrë jashtë shërbimit një ujësjellës.

Ai i bëri këto komente për mediet franceze, të cilat janë publikuar gjithashtu edhe nga agjencia shtetërore e lajmeve të Sirisë, “SANA”.

Rusia njoftoi muajin e kaluar se kishte rënë dakord me Assadin, Iranin dhe Turqinë, se kryeqyteti Astana i Kazakistanit duhej të ishte vendi i organizimit të bisedimeve të reja për paqen, pasi rebelët pësuan humbjen më të madhe gjatë luftës civile, duke u zmbrapsur nga Aleppoja lindore.

Rusia dhe Turqia, një sponsorizuese e fuqishme e opozitës anti-Assad, kanë ndërmjetësuar paqen edhe si një hap drejt rinovimit të diplomacisë, pavarësisht se të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shumë shkelje.

Assad tha se delegacioni qeveritar ishte i gatshëm të shkonte në Astana “kur të përcaktohet data e konferencës”.

“Jemi gati të ulemi në negociata mbi gjithçka”, tha ai. I pyetur nëse kjo “gjithçka” përfshinte edhe pozicionin e tij si president, Assad u përgjigj: Po, por pozicioni im është i lidhur me Kushtetutën.

“Nëse ata duan të diskutojnë këtë pikë, atëherë duhet të diskutojnë edhe Kushtetutën”, tha ai. Sipas tij, çdo Kushtetutë e re duhet hedhur në referendum dhe se duhet lënë në duart e popullit sirian që të zgjedhë presidentin.

Assad, gjithsesi shtoi edhe pyetjen se “kush do të jetë në Astana nga opozita”. “Nuk e dimë ende, a do të jetë realisht një opozitë siriane atje?”.

Duke hedhur poshtë grupet, që sipas tij mbështeten nga Arabia Saudite, Franca dhe Britania, Assad tha se diskutimet e “çështjeve siriane” duhet të zhvillohen mes grupeve siriane. Në fakt, grupi kryesor i opozitës, Komiteti i Lartë për Negociata, është i mbështetur nga Rijadi. Grupet rebele që operojnë nën emrin “Ushtria e Lirë Siriane” njoftoi më herët gjatë këtij muaji se kishin ngrirë bisedimet në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në Astana për shkak të shkeljeve të armëpushimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button