PDSH: Deklarata e partive nuk i përmban kërkesat thelbësore të shqiptarëve të Maqedonisë

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike Shqiptare në mbledhjen e mbajtur më 9 Janar 2017, analizoi Dokumentin e disa partive të quajtur “Deklaratë e përbashkët e partive politike shqiptarë në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, Koalicioni Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët” dhe mori qëndrimin në vijim:

Kumtesa në vijim është në formë integrale

Ky dokument nuk i përmban kërkesat thelbësore të shqiptarëve në R.M. Përveç zhurmës folklorike dhe fotografimeve plot zgërdhirje të 6 bajraktarëve, shqiptarët nuk fituan asgjë, përveç një deklarate që vetëm modifikon kushtet e robërisë aktuale.

Shqiptarët në fakt me këtë Deklaratë, kuptuan edhe të vërtetën tjetër , kuptuan që “sharjet” e Besës dhe të Ziadinit gjatë fushatës zgjedhore për politikën antishqiptare të BDI-së që po burgoste e shfaroste shqiptarët, ishin vetëm si ai manifestimi i xhelozisë për një dashuri që nuk e ke.

Ata që e kanë analizuar me vëmendje Deklaratën , e kanë kuptuar tashmë se liria, drejtësia, apo barazia për shqiptarët nuk ofrohet përmes pikave të saj. Liria, barazia dhe drejtësia, fitohen vetëm me ndryshimin e statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni, me Parlament dy dhomash , me vendimmarrje konsensuale mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe më e rëndësishmja, me ndarje të drejtë dhe të barabartë të buxhetit. Tashmë 16 vite me radhë, po bëhet e qartë se barazia dhe drejtësia, nuk vijnë përmes Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës. Ardhmëria e vendit nuk mund të ndërtohet mbi një marrëveshje të vdekur dhe mbi një Kushtetutë jo funksionale që nuk ka fuqi mbi ligjet. Deklarata as nuk e zyrtarizon gjuhën shqipe, e as nuk ka asnjë kërkesë apo plan konkret e të afatizuar, përveç fjalisë së bërë bajat tashmë të nënshkruesit kryesor të saj , që me fjalë gjuhën shqipe e zyrtarizon në çdo cikël zgjedhor. BDI edhe të tjerët që e vunë firmën mbi këtë deklaratë, treguan se nuk e kanë fare problem të zyrtarizojnë gjuhën shqipe sipas mënyrës së Ali Ahmetit, pra vetëm në mënyrë deklarative. Por tashmë ata e bënë të qartë se fjalët për zyrtarizimin e shqipes edhe kësaj radhe ishin vetëm retorikë zgjedhore dhe asnjëri prej tyre nuk ka as plan e as ide se si ta bëjë shqipen të barabartë me gjuhën maqedonase.

Sa i përket barazisë ekonomike, BDI mbron me këmbëngulje, madje është e bindur se çdo buxhet që ka sjellë deri tani, duhet cilësuar si historik sepse, gjithnjë sipas tyre, buxheti është ndarë në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Sipas Deklaratës së tyre, nënkuptohet se do të vazhdojë e njëjta mënyrë e ndarjes së Buxhetit si deri tani, pra sërish do të kemi buxhet diskriminues për shqiptarët.

Deklarata luan edhe me ndjenjat e shqiptarëve, me rastet e montuara nga shteti. Ata përmendin në dy rreshta të saj, shqiptarët që dergjen të pafajshëm burgjeve. Nuk japin afate se kur do të dalin nga burgu këta të pafajshëm, nuk parashikojnë miratimin e asnjë ligji të amnistisë së menjëhershme, por ata vazhdojnë të tallen, tani në grup, me ndjenjat e njerëzve që vuajnë burgjeve maqedonase dhe me familjarët e tyre që çdo ditë përballen me fyerjet që ua bëjnë institucionet e sistemit. Nënshkruesit e deklaratës, angazhohen se “Do të formojnë komision anketues”. Sa herë janë formuar komisione të tilla, a mbani mend shqiptarë të dashur ndonjë rezultat? Jua rikujtojmë Komisionin hetimor për rastin Sopoti. Rezultati i vetëm i tij është kalbja në burgje e sopotasve të pafajshëm. Komisioni hetimor për tejkalimin e kompetencave të policëve, që rrahën gjatë transportit të burgosurit e Lagjes së Trimave, vetëm tërboi sistemin e tani ata i keqtrajtojnë jo vetëm gjatë rrugës por edhe në burg. Mbani mend dikush të jetë dënuar? Ky është rezultati i Komisioneve të BDI-së të cilat tashmë i mbështesin edhe 2 koalicionet e tjera shqiptare.

Nuk ka afate konkrete, nuk jepen zgjidhje konkrete, kjo do të thotë se deklarata është një tallje e madhe me shqiptarët. Një debat pa afat, pra një debat pa fund siç propozohet në këtë Deklaratë, nuk i de-etnizon simbolet. Vetëm hap debat publik për këtë çështje. Shumë çështje të tjera me rëndësi, fare nuk janë përmendur në këtë deklaratë, siç është regjistrimi i popullsisë, ndarja e re territoriale, decentralizimi i mirëfilltë në kompetenca dhe në financa. Nuk parashihet as afatizimi për ndërrimin e emrit të Maqedonisë, që duheshe të ishte një ndër pikat kryesore për de-bllokimin e menjëhershëm të procesit euro-integrues.

Ka madje një pikë mjaft ofenduese kjo Deklaratë, atë të krijimit të Ministrisë së Komuniteteve ku nënshkruesit pranojnë me vetëdije , se shqiptarët duhet të mjaftohen me rolin e të qenët pakicë ekstreme, njësoj si romët, turqit, vllahët, serbët e boshnjakët. Nuk kemi se si ta quajmë ndryshe këtë ide të çmendur , kur në vende të tjera, ministritë e tilla ekzistojnë vetëm për komunitetet që përbëjnë më pak se 5 % të popullsisë. Edhe termet që përdoren për shqiptarët në këtë deklaratë, janë tejet ofenduese, sepse shqiptarët quhen komunitet , popullsi. Këto terme nuk dallojnë aspak nga termet diskriminuese të cilat për ne i përdornin të tjerët në të kaluarën, kur na quanin kombi maqedonas dhe kombësia shqiptare, rome, serbe , turke etj. E dhimbshme është se tani na nënçmojnë këta që thonë se do të na mbrojnë, prandaj shqiptarët nuk duhet ta pranojnë këtë nënçmim. Ne jemi kombi dhe populli shqiptar, nuk jemi as popullsi e as komunitet

Kur e analizon, kupton se deklarata pra nuk parasheh avancimin thelbësor të të drejtave të shqiptarëve, por është folklor madje në disa pika është nënçmim . Po t’i heqësh aktorët e kësaj deklarate që thonë se janë shqiptarë, po të heqësh surratet e tyre të lumtura, me gojën vesh më vesh sikur bënë bashkimin e madh të Skënderbeut, po të heqësh folklorizmin që po sponsorizohet me të madhe nga disa media brenda e jashtë Maqedonisë, atëherë përballesh me një deklaratë lakuriqe, që nuk ofron asgjë përveç paturpësisë së radhës. Kjo deklaratë nëse e sheh me kujdes, u ngjan ofertave të Millosheviqit që ua bënte herë pas here shqiptarëve të Kosovës në vitet e 90-ta, por që kurrë nuk u pranuan as nga kosovarët e as nga elitat politike. Ose që ta themi të vërtetën në sy, kjo deklaratë është njësoj sikur sapo të ketë dalë nga zyrat e VMRO-së

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 11 dhjetorit, vërtetë ishte katastrofal për shqiptarët. Humbësi më i madh i këtyre zgjedhjeve ishte BDI. Humbi gjysmën e elektoratit, humbi 80 mijë vota dhe 10 mandate. Populli shqiptar e ka mundur BDI-në me vota, 120 mijë vota kundrejt 80 mijë të BDI-së. Opozita ka 10 deputetë, po aq sa BDI, por përçarja e tyre dhe sistemi zgjedhor, bënë që këto vota të përkthehen në më pak mandate dhe të mos jenë mandate të bashkuara. Në këtë situatë rëndon edhe fakti se vota shqiptare në këto zgjedhje fitoi edhe partia maqedonase LSDM, që nxori deputetë me mbi 50 mijë votat që mori nga shqiptarët. BDI vazhdon të këmbëngulë se ka fituar besimin e shqiptarëve edhe pse nuk përfaqëson më , as çerekun e votuesve shqiptarë. Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, nuk e ndjen se politika e tij ka dështuar, nuk e ndjen të nevojshme të japë dorëheqje për humbjen e besimit të shqiptarëve në këtë shtet. Edhe partitë e tjera, që u mburrën se do të mundin BDI-në, nuk e pranojnë humbjen dhe liderët e tyre nuk japin dorëheqje. I vetmi që pranoi fajin për humbjen në zgjedhje, edhe pse nuk kishte asnjë faj për politikat qeveritare kundër shqiptarëve, ishte lideri i PDSH-së, Z. Menduh Thaçi. Ai mori përgjegjësinë mbi vete dhe dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i Kryetarit të partisë.

Të tjerët i ikën përgjegjësisë së tyre personale për dështimin e plotë të shqiptarëve në këto zgjedhje vetëm për t’i ruajtur postet e tyre personale në partitë që drejtojnë. Atyre nuk u intereson se shqiptarët humbën, ata shpikën idenë e bashkimit përmes një Deklarate, të atij bashkimi që aq shumë e luftuan që nga fillimi , që para zgjedhjeve ku po këta njerëz që nënshkruan, u bënë pikë e pesë duke sharë njëri tjetrin, e tani fotografohen plot dashuri me njëri tjetrin vetëm që ta bartnin temën diku tjetër duke i ikur përgjegjësisë dhe për të fshehur të vërtetën e dhimbshme.

Përfundimisht, ishte edhe një tentim për mashtrim dhe përhapjen e ‘mjegullës politike” te shqiptarët e Maqedonisë, për eliminimin përfundimtar të opozitës etnike shqiptare në Maqedoni.

Në këtë situatë, humbësi më i madh kthehet në fituesin më të madh, së paku në letër. Është Ali Ahmeti të cilit nënshkruesit e tjerë të deklaratës, i mundësuan që edhe më tej të vazhdojë të jetë në qeveri, me të njëjtin avaz të vjetër por kësaj radhe me një melodi të re. 15 Vjet kishte Marrëveshjen e Ohrit, tani, 15 vjet të tjera ai do të ketë Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare.

Një tjetër që mendon se nga kjo Deklaratë, ka shpëtuar veten është Ziadin Sela , njeriu që tradhtoi, copëtoi e në fund lëpiu gjithçka për të shpëtuar veten politikisht, që për një kockë pushteti, megalomaninë prej budallai e përfundoi në përqafimet HOT të Ali Ahmetit dhe të Lëvizjes “Besa”, këtij grumbullimi të njerëzve të kompleksuar nga akuzat se janë degë e LSDM-së nga njëra anë dhe të tjerëve që akuzohen se nuk janë shqiptarë nga ana tjetër e që mundohen me çdo kusht të vërtetojnë të kundërtën. Ulja e tyre në një tryezë dhe vendosja e nënshkrimeve bashkë me BDI-në, në të njëjtën Deklaratë, do të thotë se s’kanë lidhje nga shqiptaria.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP