‘Don’t worry, be happy’

Ekonomia globale gjatë vitit të shkuar në pjesë të madhe ishtë në rritje. Në një ekonomi globale ku barën më të madhe e mban ekonomia amerikane dhe nga fati I së cilës varen ekonomitë e mëdha, në një botë ku ekonomitë e vendeve të ndryshme janë më të ndërlidhura se kurrë më parë dhe ku globalizimi I tregjeve ka marrë dimensionin e të vërtetës faktike, sinjalet pozitive të cilat emitohen nga tregjet dhe bursat amerikane janë një dritë shprese për mbarë botën. Këtë e vërtetojnë edhe të dhënat se indeksi kryesor bursist S&P 500 – indeksi që sipas shumicës së ekonomistëve pasqyron ekonominë e vërtetë amerikane pasi për bazë ka të dhënat e mbi 500 kompanive më të fuqishme amerikane – kishte një ngjitje prej 30% gjatë vitit 2013, ndërkaq Nikkei japonez u ngjit me 57%. Dinamika negative e krijuar pas krizës së madhe të 2008 morri kahje tjetër gjatë 2013-ës si rezultat I këtyre lëvizjeve pozitive të tregjeve financiare.
Të dyja këto ekonomi, përfshirë edhe ekonomitë evropjane të BE janë ekonomi të lira tregu, ku liria investuese dhe inovacioni paraqesin motorin e një ekonomie që gjithnjë e më shumë fillon t’I ngjasojë asaj para krizës financiare të 2008, një kapitalizëm liberal me elemente darviniste. Duhet pranuar që kjo frymë ka filluar të humbet në ekonomitë e BE, ndoshta si pasojë e frikës që ekziston në Gjermani dhe Francë nga shkundjet e mundshme ndaj euro-s që do ta dobësonin akoma më shumë stabilitetin financiar evropjan. Prandaj edhe rekuperimi evropjan nga kriza e 2008 është më I ngadaltë .

Kundrejt kësaj, modeli ekonomik kinez që paraqet antitezën e ekonomive të tregut, në definicion është I ushqyer nga borxhi publik dhe I nxitur nga investimet kapitale të menaxhuara nga Korporata Kineze e Investimeve, një kompani gjysëm private e menaxhuar nga një miks I politikës dhe ekonomistëve e cila krijon dhe investon në programe të cilat më vonë bëhen shtytëse kryesore të ekonomisë kineze dhe është përfaqësuesja e interesave ekonomike kineze nëpër Botë. Pra një ekonomi e kontrolluar dhe e centralizuar me elemente të theksuara kapitaliste, ku shteti është ai që ka fjalën e parë dhe të fundit përsa I përket zhvillimeve ekonomike. Sipas kësaj filozofie, është detyrimi I shtetit të mendojë për mirëqenien e popullatës, faktikisht votuesve të vet.

Gjatë gjithë vitit të kaluar, ekonomia kineze ka humbur inercionin e zhvillimit të shpejtë që e gëzonte deri para shumë pak kohësh dhe që kapnin shifrat marramendëse të një rritjeje ekonomike prej 8-10% në vit. Me këtë po rrezikon hyrjen në një spirale negative që mund të ketë pasoja globale, sidomos tek ekonomitë më të vogla në zhvillim. Niveli industrial kinez është në rënie në 6 muajt e fundit. Eksporti i prodhimeve konsumatore po shënon rënie të dukshme. Vlera e valutës lokale Juan kundrejt dollarit po humb përparësinë e fituar kohë më parë dhe dëshira kineze për marrjen e statusit valutë plotësisht konvertibile duket gjithmonë e më larg. 
Logjika ekonomike thotë që Kina ka arritur limitin e këtij modeli dhe që fatkeqësia e këtij modeli është se mund të mos përfundojë me stagnim por me kolaps të tërësishëm. Pritjet për ekonominë kineze mund të kenë ndikim të madh tek investitorët për t’u larguar nga ekonomitë tjera në zhvillim duke u kthyer në atdhe nga frika e jostabilitetit. Gjithashtu mund të rezultojë në shtrëngim të kushteve për financim nga Bankat në këto vende – këtu vlen të përmendet rasti I Turqisë me dyfishimin e normave të interesit dhe pritjeve të ulta për rritje ekonomike, të fryra edhe nga jostabiliteti politik, që po rezulton më një inflacion të fryrë.

Qëllimisht u mundova që shkurtimisht të bëj krahasimin mes dy modeleve ekonomike më të eksponuara botërore, që të mund t’I kthehem ekonomisë sonë dhe të mundohem të diagnostifikoj problemet dhe mundësitë e saj.

Ku është Maqedonia në këtë mes? Cilat janë pikat në të cilat realiteti jonë ekonomik bie ndesh me realitetin ekonomik të ekonomive tjera në zhvillim? Cilin model ekonomik duhet ta zgjedhë Maqedonia për të shëruar ngërcet e veta? Cka na pret në të ardhmen?

Që një ekonomi të ketë sukses në përmirësimin e mirëqenies dhe begatimin e popullit, pikë së pari duhet të ketë të definuar pikën nisëse, pra të vlerësojë në mënyrë reale mundësitë dhe kapacitetet e veta, të definojë mënyrën e financimit të projekteve zhvillimore dhe së fundi në bazë të këtyre premisave të krijojë strategji ekonomike. Mënyra më e mirë për të bërë këtë për shtete të vogla dhe të reja është të marrë për bazë modelet e suksesshme të vendeve tjera që kanë treguar sukses në implementimin e tyre.

Ekonomia është një materje e gjallë, shpeshherë e papërcaktueshme që nuk mund të kopjohet nga një vend në tjetër për shkak të karakteristikave të cdo vendi. Prandaj duhen zgjedhur elementet kyce zhvillimsjellëse dhe të implementohen në vend. Nëse një gjë e tillë nuk është bërë në Maqedoni para dhe fill pas pavarësimit të vendit nga një organizëm jugosllav, për këtë janë fajtore strukturat politike të asaj kohe; sidoqoftë fajin e njejtë e kanë edhe strukturat e mëpasshme për dështimin e tyre në krijimin e politikave të drejta ekonomike dhe sociale. Nëse strukturat socialiste fajin e tyre e paguajnë me humbje të njëpasnjëshme në zgjedhje, fajin e dështimit të këtyre të tashmëve ndoshta do e paguajmë të gjithë ne në vitet e ardhshme nga xhepat tona.

Tendenca e politikës së tashme ekonomike është që të kombinojë dy modelet e mëdha ekonomike, ndoshta me qëllime të ndershme por me sukses të pakët. Kopjojmë modelin perëndimor duke pretenduar treg të lirë – megjithëse politikisht po izolohemi nga të gjithë. Kërkojmë investime nga jashtë, themi që kemi kushtet më të mira për të investuar në rajon. Edhe e vërteta është se investimet janë aty, vijnë. Por jo mjaftueshëm. Jo aq sa për të mbuluar gropat e hapura përgjatë rrugës. 

Kopjojnë modelin kinez të zhvillimit ekonomik duke bërë investime kapitale nga buxheti I shtetit. Japin mesazhin që po mbajmë gjallë ekonominë vendase me këto harxhime – projekti madhor Shkupi 2014, sallat sportive me idenë e edukimit fizik të popullsisë në stilin e Tai Chi-së kineze edhe të tjera të ngjashme nga të cilat realisht përfitojnë vetëm një numër I vogël personash dhe disa kompani të caktuara – të tjerat presin troshkat poshtë tavolinës. E vërteta e hidhur është se harxhimet më të mëdha buxhetore janë ato që ju korespondojnë transfertave sociale për të mbajtur gjallë një popull që gjithsesi mbetet I urritur: pagat e një administrate të stërmadhe, penzionet dhe ndihmat financiare rasteve sociale dhe harxhimet për projektet e shumta të kësaj qeverie. Ndërkaq investimet infrastrukturore zhvillimore jua kemi lënë kinezëve t’I bëjnë me para të cilat I kemi marrë borxh prej tyre.

 Mesazhi të cilin po na e transmetojnë është mesazhi i Bobby McFerry-t – Don’t Worry be happy! “Duhet të kemi besim në zgjedhjet e tyre sepse jua kemi dhënë legjimitetin për ta bërë këtë” më thotë një shok, paksa me ironi të trembur. Ndoshta kanë të drejtë ATA dhe ky shoku jem, duhet durim sepse një gjë që është prishur duhet kohë për t’u ndrequr. Por ajo që mua më shqetëson është se rezultatet nuk janë të dukshme. Si optimist I sëmurë që jam, vlerësoj iniciativat, por në fund të ditës mbetem me rezultatet. 

Ne kemi mbetur si Liza në botën e cudirave, e kemi humbur rrugën moti kohë. Nëse ekonomisë maqedonase I bëjmë një analizë psikologjike diagnoza do të ishte psihiatrike. Të zhytur në nostalgji dhe melankoli për një të kaluar jugosllave, të shëruar ose më mirë të përkeqësuar nga një diagnozë e dhënë keq dhe të përdhunuar akoma më keq nga njerëzit që vetë I kemi zgjedhur 22 vjetët e kaluara (për mua është një jetë e tërë e shkuar me mundim). Të demoralizuar, të humbur, të paqartë. Krijojmë konflikte dhe kërkojmë armiq iluzorë aty ku ska gjë. Krahasimet me Don Kishotin dhe mullinjtë e tij janë bërë klishe, prandaj nuk do e përdor këtë personazh. Por do e them një diagnozë tjetër që I përshtatet shumë politikës dhe ekonomisë së këtij vendi. Skicofreni bipolare. Kemi momente kur jemi shumë lucid, por kemi edhe kompleksin e madhështisë të paspjegueshme. Sa për shembull, derisa të gjithë shtetet e rajonit ishin në betejë përsa ju përket projekteve madhështore të energjisë dhe gazsjellësve, politikanët tanë flenin. Tani kur kjo cështje u zgjidh me sukses për vendet fqinje përvec për ne, ne tani dalim me tezën që do të ndërtojmë vetë krahë të këtij gazsjellësi që të mos mbetemi “noksan”. Pra përsëri mbesim me troshka, me presh në duar. 

Si gjithmonë, nga kopjimi nuk del asgjë e vlefshme, por vetëm dicka që mund të shitet në Bit Pazar. Nga kopjimi kah-të-mundim që politika jonë po bën pak nga perëndimi, pak nga lindja, druhem se përvec kënaqjes së epsheve megalomane të liderëve tanë nuk mund të del dicka që do ketë efekte pozitive afatgjate. Ah, po ndoshta një New Economy! Apo një nga ato manualët “How NOT to create economic models – for dummies”. 

Këtij vendi I duhen rezultate të menjëhershme. Në të kundërt, as letargjia klasike e këtij populli për të qëndruar duarkryq e këmbëlidhur, nuk do e ndalojë popullin e skamur të shpërthejë në një revolucion me pasoja të paparashikueshme për tërë rajonin.

Autori është ekonomist i diplomuar

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button