Sikur të kishim koalicione parazgjedhore…

Në periudhën parazgjedhore është folur shumë për mundësitë që subjekte të ndryshme të dalin bashkarisht në zgjedhje. Më aktual gjithsesi ka qenë koalicioni i mundshëm mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, por tentime për bashkim partish ka patur edhe në kampin politik maqedonas. Gjatë kohë për shembull ka qenë në lojë një koalicion opozitar i të djathtës maqedonase mes partive që në zgjedhje dolën në dy koalicione të ndara: VMRO për Maqedoni dhe Koalicioni për Ndryshime dhe Drejtësi. E hapur ka qenë edhe mundësia që opozitës maqedonase, gjegjësisht LSDM-së, t’i bashkangjiten partia e sapokrijuar E Majta dhe Partia Liberale.

Tani që kemi rezultatet e zgjedhjeve mund të bëhen simulime për të parë se si do kishin kaluar në zgjedhje koalicionet e këtilla, çdo të fitonin ata dhe kë do të dëmtonin. Poashtu mund të bëhet simulim se si do ishin rezultatet nëse zgjedhjet do të mbaheshin nën një sistem tjetër të shumëpërfolur: sistemi me një njësi zgjedhore.

Gjithsesi duhet patur parasysh se të gjitha simulimet po i bëjmë me supozimin se partitë do të kishin po të njëjtat vota në koalicione. Në realitet shfaqja e koalicioneve me siguri do të kishte krijuar sinergji të reja që do të sillnin rezultat më të volitshëm se shuma e thjeshte e votave që partitë kanë marrë veçmas. Duke patur parasysh këto kufizime, të shohim tani si do kishin rrjedhur punët sikur partitë të kishin hyrë në koalicione.

1. Koalicioni BESA-ALEANCA. Me votat që morrën në zgjedhjet e 11 dhjetorit, BESA në koalicion me Aleancën për Shqiptarët do të kishin fituar 10 deputetë. Dy deputetë shtesë do të ishin fituar njëri në zonën 2 dhe njëri në zonën 6. Ç‘është më e rëndësishmja në këto dy zona deputetët do t’ia kishin marrë VMRO-së. Me këtë koalicion nuk do të kishim skenarë si ai i Tearcës, madje i rrezikuar do të kishte qenë deputeti i gjashtë i BDI-së në këtë zonë.

Pra me një koalicion Besa-Aleanca rezultati përfundimtar i zgjedhjeve do të ishte ky: VMRO 49, LSDM 49, Koalicioni Besa-Aleanca 10, BDI 10, PDSH 2. Natyrisht në realitet ky koalicion do të kishte edhe më tepër deputetë, sepse sinergjia e dy partive do të tërhiqte një numër votash që kanë shkuar në vende tjera, kryesisht te LSDM.

2. Koalicioni LSDM-E Majta – PL. Koalicioni i partive maqedonase të qendrës dhe të majta nuk do të kishte sjellë asnjë ndryshim në rezultat. Partia Liberale ka dalur parti më e dobët në këto zgjedhje dhe nuk do të kishte kontribuar asgjë në asnjëfarë koalicioni. Ndërkaq E Majta ka patur vota solide vetëm në zonën 1, aty ku LSDM edhe ashtu ka qenë vetë e fortë, kështuqë ndihma e “Levicës” në atë zonë nuk do t’i kishte sjellë asnjë dobi.

3. Koalicioni VMRO për Maqedoni – Koalicioni për Ndryshime dhe Drejtësi. As ky koalicion nuk do të kishte shkaktuar ndryshim të rezultatit të përgjithshëm. VMRO-së për Maqedoni i është dashur pak ndihmë për të fituar ndonjë deputet në zonat 3, 4 dhe 5, por aty KND ka qenë e dobët. Anasjelltas, në zonat 1 dhe 2 ku KND ka patur pak më tepër vota, VMRO për Maqedoni nuk ka qenë aq e fuqishme. Në përgjithësi zgjedhjet treguan se asnjëra nga këto parti e koalicione nuk ka më kapacitet për të fituar deputetë në këtë sistem.

4. Koalicione opozitare maqedonase dhe shqiptare. Skenar tjetër interesant do kishte qenë bashkimi i të gjitha partive opozitare shqiptare e maqedonase në koalicione, duke izoluar VMRO-në e BDI-në, pra një garë pushtet-opozitë në të dy kampet. Në këtë variant Opozita Maqedonase do të kishte mposhtur VMRO-në me rezultat 50-48, ndërsa Opozita shqiptare do të kishe deklasuar BDI-në me rezultat 14-8. Por koalicionet e këtilla kanë qenë praktikisht të pamundshme, sepse do të nënkuptonin bashkimin e PDSH-së me Besën dhe rivalin e saj të përbetuar Aleancën. Nga ana tjetër bashkimi i LSDM me të djathtën maqedonase padyshim do t’a kishte dëmtuar rezultatin e saj te votuesit shqiptarë.

5. Opozita kundër pushtetit. Një skenar krejtësisht i pamundshëm, por që në realitet më së miri reflekton disponimin e qytetarëve, do të ishte një përballje direkte mes partive të pushtetit dhe atyre të opozitës, pa marrë parasysh përkatësitë etnike të partive. Po flasim pra për ballafaqim direkt të koalicionit qeveritar VMRO-BDI me gjithë opozitën në vend.

Në këtë skenar opozita del fituese e padiskutueshme. Ajo do të kishtë fituar me rezultat 12-8 në zonën 1, me rezultat 11-9 në zonat 2, 5 dhe 6, do të kishte barazuar 10-10 në zonën 4 dhe do të kishte humbur vetëm në zonën 3 me rezultat 11-9. Në total opozita do të shënonte fitore 64-56 ndaj pushtetit. Kjo në fakt është pasqyra më e mirë e prirjes së elektoratit në ditën e zgjedhjeve.

6. Një njësi zgjedhore. Për fund po analizojmë rezultatin e mundshëm sikur i gjithë shteti të ishte një njësi zgjedhore. Ky simulim është më interesanti dhe më i rëndësishmi, sepse lehtë mund të bëhet realitet nëse në pushtet vjen opozita maqedonase, e cila e pat kërkuar këtë variant qysh gjatë bisedimeve në Përzhino.

Përbërja e parlamentit sikur i gjithë vendi të ishte një njësi zgjedhore do të dukej kështu: VMRO 48, LSDM 47, BDI 9, BESA 6, ALEANCA 3, PDSH 3, VMRO për Maqedoni 2, KND 1 dhe E Majta 1. Kjo situatë e larmishme do të pasqyronte më mirë vullnetin e popullit, i cili në esencë ka votuar pro-opozitës. Siç shihet si opozita shqiptare, edhe ajo maqedonase, në këtë sistem do të kishin 3 deputetë më tepër se partitë e pushtetit.

Nga këndvështrimi shqiptar është i rëndësishëm fakti që me një njësi zgjedhore partitë shqiptare do të kishin në total 21 deputetë, pasi asnjë votë nuk do ishte djegur. Kur jemi të votat e djegura duhet cekur se në këto zgjedhje, me sistemin me gjashtë njësi, janë djegur rreth 50.000 vota të partive të vogla maqedonase.

 

Sido që të jetë zgjedhjet më kanë përfunduar dhe këto koalicione e sisteme hë për hë mbesin vetëm hipotetike. Por partitë bëjnë mirë të mbajnë në mend këto simulime si leksion për të ardhmen. Pas dështimit në vitin 2011, zgjedhjet e vitit 2016 ishin ripërsëritje e leksionit se sistemi proporcional me gjashtë njësi zgjedhore favorizon koalicionet dhe është i pamëshirshëm ndaj partive të vogla e të izoluara.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button