Dashuria nuk njeh kufij

Se dashuria e vërtetë nuk njeh kufij dhe është më e fuqishme se çdo pengesë dëshmon edhe historia e dashurisë mes policit kufitar nga Maqedonia, Bobi Dodevski (35) dhe refugjates nga Iraku, Nora Arkavazi (20).

Duke folur për Anadolu Agency (AA) Bobi dhe Nora bujarisht ndanë historinë e tyre të dashurisë, duke rrëfyer momentin e njohjes së tyre deri në vendimin për të filluar një jetë bashkëshortore. Siç rrëfejnë të dy, as që e kanë menduar se kampi për pritje të refugjatëve në Tabanoc në kufirin verior të Maqedonisë, ku punon Bobi dhe ku Nora duhej të kalonte udhëtimin e saj të shpresës, do të jetë vendi ku në shikim të parë do të lind dashuria mes tyre.

20 vjeçarja Nora Arkavazi, duke rrëfyer udhëtimin e saj që filloi së bashku me familjen e saj në fillim të vitit 2016 nga krahina lindore e Irakut, Dijali, me synim të arrijnë në një vend të Evropës Perëndimore, theksoi se pasi ka hyrë në territorin e Maqedonisë, në Gjevgjeli ka qëndruar vetëm një ditë dhe më pas është nisur për në kufirin verior në Tabanoc, për të vazhduar më tej drejt Serbisë.

Në mëngjesin kur ka arritur në Tabanoc, Nora ishte e sëmurë me temperaturë të lartë, por ishte e vetmja që fliste gjuhën angleze në grupin prej 300 refugjatëve që atë ditë udhëtuan nga kufiri jugor dhe kishte nevojë që t’i njoftojë refugjatët tjerë mbi gjendjen.

“Njerëzit filluan të thonë se vetëm unë flas gjuhën angleze dhe më kërkuan të pyes ndonjë polic se kur do të largohemi. Unë fillova të pyes, por të gjithë policët më thonin Bobi flet gjuhën angleze. Unë kërkoja që të përgjigjen, por asnjëri se bëri dhe më drejtonin tek Bobi”, shprehet Nora, duke shpjeguar momentet e para kur është njoftuar me policin Bobi, për të cilin thekson se që nga fjalët e para është ndier se ai është i interesuar në të.​

Duke folur për mënyrën se si ai u njoh me gruan e tij aktuale Norën, polici Bobi Dodevski thotë se ai atë ditë nuk duhej të ishte në punë, por për shkak të rritjes së fluksit të refugjatëve, udhëheqësi i tij e ka thirrur në punë. Siç tregon Bobi, ishin ditët e para pas mbylljes së “rrugës ballkanike” për refugjatët dhe organizatat joqeveritare nuk ishin në gjendje për t’i përmbushur nevojat e refugjatëve, prandaj dhe disa policë ndihmonin ata.

Dashuria në shikim të parë 

“Norën e vërejta që në shikim të parë. Para asaj kalonin shumë njerëz, por askush nuk më impresionoi si Nora. Nuk ishte te pamja, por te sytë e saj atëherë kishte diçka të veçantë. Ajo më pyeti ‘kur dhe a do të hapen kufijtë’, ndërsa unë iu përgjigja ‘mos u shqetëso, sepse gjithçka do të jetë mirë në jetën tënde’”, thotë Bobi, duke shpjeguar se që atëherë filloi të besojë në fatin e tij dhe se “dikush nga lartë e kishte menduar të jetë ashtu”.

Pastaj, edhe pse Bobi i ka ndihmuar të vazhdojë drejt Serbisë, ajo është kthyer prapa nga ana e policisë kufitare serbe dhe është vendosur në kampin për pritje të refugjatëve në Tabanoc, ku edhe Bobi kryente detyrën e policit. Nora theksoi se gjatë kohës së qëndrimit në kamp ka ndihmuar aktivistët dhe organizatat joqeveritare si përkthyese, si dhe shtoi se pas disa ditësh duke punuar, papritmas i është afruar Bobi duke ia shtrënguar dorën dhe duke i kërkuar një bisedë të shkurtër.

“Ne filluam të flasim, por dy pyetjet e para të Bobit ishin a ke të dashur dhe a je e martuar. Unë të dyja pyejtjeve iu përgjigja jo dhe se jam plotësisht e lirë, pastaj filluan të flasim dhe të bëjmë shaka”, shprehet Nora.

Pas një muaji takimesh dhe bisedash, Bobi i ka kërkuar që të mos largohet nga Maqedonia dhe të vazhdojë jetën e saj në Maqedoni bashkë me Bobin, gjë të cilën Nora e ka pranuar pa u menduar.

Pas një periudhe qëndrimi në Tabanoc, Nora dhe familja e saj shkuan për të qëndruar në Vizbeg të Shkupit, ku qëndrojnë azilkërkuesit. Dashuria ndaj Norës nxiti këmbëngulje te Bobi, pas së cilës ai vendosi t’i kërkojë të takohen.

“Unë nuk munda të përmbahem, nuk kisha unazë, nuk kisha asgjë dhe në një kohë i thashë ‘Nora a dëshiron të martohesh me mua? Ajo më tha po’“, thekson Bobi, duke shpjeguar momentin e propozimit për Norën.

Edhe pse ai ka insistuar të bisedojë me prindërit e saj në lidhje me martesën e tyre, sepse ai ka konsideruar se është e rëndësishme të jenë në njohuri prindërit e saj, Nora atë nuk e ka pranuar duke i thënë “lëre kohën ta bëj të veten”.

Nora thotë se Maqedonia i pëlqen dhe në këtë vend nuk ndihet si refugjate, pasi që njerëzit në këtë vend e trajtojnë sikurse të njiheshin me vite. Ajo shton se tashmë ka krijuar një rreth shoqërie me të cilët komunikon çdo ditë.

“Njerëzit që nuk flasin gjuhën angleze mundohen që të shpjegojnë sa para duhet të paguaj në dyqanin e ushqimoreve. Ata qeshin me mua dhe bëjmë shaka. Unë kam filluar të mësojë gjuhën maqedonase dhe asnjëherë nuk kam ndier se vij nga një vend tjetër, por ndihem sikurse jam në vendin tim dhe vetëm nuk di të flas gjuhën”, shprehet Nora.

Ajo për një kohë ka punuar në Kryqin e Kuq të Maqedonisë si përkthyese, megjithatë që nga koha kur filloi të reduktohet numri i refugjatëve nuk ka nevojë për përkthyese dhe momentalisht ajo nuk punon.

Çifti më 13 korrik të vitit të kaluar, pikërisht në ditëlindjen e Norës e bënë dasmën e tyre në Kumanovë dhe festuan dashurinë e tyre së bashku me shumë miq nga komunitete të ndryshme etnike, ku siç rrëfen çifti, janë respektuar zakonet edhe të dhëndërrit, edhe të nuses.

Ata bëjnë të ditur se janë duke përgatitur një film të metrazhit të shkurtër, përmes së cilës do t’i dërgojnë një mesazh botës për fuqinë e dashurisë. Bobi dhe Nora thonë se me atë duan të tregojnë se të gjithë kufijtë tejkalohen, sepse siç theksojnë ata, “feja duhet të shërbejë për të bashkuar dashurinë, e jo për ta ndarë atë”.

“Mua nuk më intereson se kush është personi që do t’i ndihmojë, musliman, i krishterë apo i ndonjë feje tjetër, sepse gjëja më e rëndësishme për mua është t’i ndihmojë këtij personi që të ketë një jetë më të mirë. Ndjenja më e mirë në botë është kur sheh buzëqeshjen te personi të cilin e ke ndihmuar”, thotë Nora.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button