PA KULM

Është një ligj i pashkruar në familje që cigare para babës s’pihet.

E dyta, dhomat e tymosura disi ma kujtojnë fukarallëkun.

Kështu për ritualin e duhanit, edhe nëse jam vetë, dal në ballkon.

Në ato pak minuta, kur bën ftohtë, përherë më avitet i njëjti mendim.

Fiksacioni tek të pastrehët.

Si e kalojnë ditën dhe sidomos natën?

Kur acarri kaplon tejembanë dhe ngrijnë rrugët, xhamat, bora mbi degët, kur nga pullazet e shtëpive varen teposhtë currilat e akullit, ose në ditët me furtunë që ta dridh trupin dhe nofullën, në cilat qoshe të qytetit futen dhe si e gdhijnë mëngjesin?

Në këto temperatura polare njerëzit pa kulm mbi kokë më janë bërë obsesion.

…sa herë që dal dimrit në ballkon, më rrotullohet në kokë ideja për një shtëpizë druri si shtëpiza e Borëbardhës.

Dhoma ku bën ngrohtë, shtretër të shtruar, tavolina me pjatë për secilin, nga kuzhina kundërmon gjella.

E paramendoj se si duke shetitur në qytet, sidomos dimrit, shohim ndonjërin prej atyre që nuk kanë asgjë përveç jetës dhe vetes. Ngjajnë me njerëz nga të cilët

“diku larg ka tretur qeshja

rreth e rrotull si hijenë

ulurin e sillet vdekja”.

U afrohemi dhe u tregojmë se një shtëpi i pret ata. I hypim në taksi, japim adresën e Kepit të shpresës së mirë dhe vazhdojmë ecim me ndjenjën që është përtej ndjenjës së mirë.

Besoj se bëhet kjo punë.

Një peticion i njerëzve autoritativë në shoqëri, të gatshëm me emrin e vet dhe me kuletë ta ndihmojnë ngritjen e Kepit buzë qytetit.

Disa kompani ndërtimtarie ose vetëm një.

Supermarkete për produkte ushqimore e higjienike.

Dy rojtarë, raste sociale, që do punonin me ndërrime për të siguruar rendin shtëpiak dhe furnizimin.

Pasanikë nga ata për të cilët dihet që e japin zeqatin.

Organizata fetare.

Organizata bëmirëse.

Bëhet si s’bëhet.

Mjafton besimi në Kepin e shpresës së mirë. Në njeriun.

Dhe hapi i parë me të cilin fillon çdo rrugë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button