Maqedoni, politikanët e njëjtë edhe pas zgjedhjeve: Shpresë apo hyrje në një krizë të re?

Zgjedhjet e 11 dhjetorit nuk sollën ndryshime që mund të jepnin shpresa. Në skenën politike të Maqedonisë prap i kemi aktorët e njëjtë të cilët e sollën vendin në krizë. Njohësit e rrethanave politike në vend në deklaratat e tyre për Portalb.mk përveç mekanizmit të Prokurorisë Speciale Publike, potencojnë se edhe bashkëpunimi i domosdoshëm i dy e më shumë partive do të jetë një determinantë tjetër, për të ndikuar në kulturën politike të deritanishme.

Publicisti dhe njohësi i rrethanave politike Bardhyl Zaimi, vlerëson se edhe pse akoma nuk e dimë se çfarë formati do të jetë qeveria e ardhshme tashmë një gjë mbetet e sigurt, që aktorët e deritanishëm me filozofinë e deritanishme nuk mund të jenë bartës të vetëm të vullnetit politik te shqiptarët.

“Shpërfaqja e aktorëve të tjerë e bën të domosdoshme një bashkëpunim tjetër mes shqiptarëve, një princip tjetër përfaqësimi që shkon përtej përfaqësimit bosh dhe sa për sy e faqe dhe për interesa të ngushta partiake. Përpara përfaqësimit shqiptar po hapet domosdoshmërisht një horizont bashkëpunimi dhe bashkëveprimi në formën e një sinergjie elektorale që kërkon barabarësinë dhe dinjitet në reprezentim. Edhe takimet e fundit të liderëve duhet të kuptohen në ketë drejtim. Çdo përfaqësim jashtë kësaj logjike për principe tjera qeverisjeje që nënkupton barabarësi të plotë do të jetë një valë tjetër zhgënjimi dhe avaz i vjetër dështimesh politike”, tha për Portalb Zaimi.

Gjithsesi, thotë ai, çdo qeveri e ardhshme do të duhet patjetër të kaloj nëpër mekanizmin e Prokurorisë Speciale si parakusht për të pastruar të inkriminuarit dhe për t’i dhënë hapësirë pastrimit nga figura që tashmë e sollën këtë gjendje.

“Kjo në mënyrë eksplicite kërkohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare si një parakusht për një qeverisje të mirë dhe të pakorruptuar”, ishte decid Zaimi.

Politologu Mevlud Islami veçon se optimizmi për ndryshme ne politikën e Republikës së Maqedonisë sidomos të pala shqiptare është tej mase i madh dhe me shumë shpresë për një të nesërme me të mirë duke pasur parasysh edhe balancimin e forcave politike te subjektet maqedonase.

“Reformat janë të domosdoshme dhe pothuajse jetike për të ardhmen e vendit mirëpo paraqitet dyshim në momentin kur kuptohet që aktorët që sollën vendin në këtë pozitë përsëri po paraqiten si regjisor të një filmi me fund të dyshimtë. Sipas vlerësimit tim, pas rezultateve negative në zgjedhjet e fundit parlamentare, partitë politike shqiptare janë ngritur politikisht dhe nuk do të lëshojnë pe nga pozita dhe programi e tyre parazgjedhore. Hyrja në çfarëdo qeverie pa plotësuar kushtet e unifikuara shqiptare do të ishte vetëvrasje politike dhe dënim nga elektorati shqiptar tanimë i vetëdijesuar dhe i pjekur politikisht. Nga zgjedhjet e fundit mësuam se populli vonon por nuk harron”, deklaroi për Portalb Islami.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button