GJUHA DHE KOMBI

Letërnjohtimi material dhe shpirtëror i një kombi është gjuha të cilën ai e flet në jetën e përditshme, ndërsa letërnjohtimi formal dhe fizik i tij është flamuri që ai a ka valvitur nëpër beteja dhe luftëra gjatë gjithë historisë së ekzistencës së vet! Doket dhe zakonet dhe tradita e kultivimit të kulturës kombëtare janë djepi ku është rritur dhe zhvilluar trupi dhe është kultivuar shpirti i kombit, i artikuluar me anë të gjuhës së personifikues i tij. Prandaj kur dikujt i mohohet dhe ndalohet përdorimi i gjuhës, reagimi i tij është sikur dikush ia ngulfat frymëmarrjen dhe ia çrregullon gjithë metabolizmin e trupit, nga mesazhet e trazuara të shqetësimit emocional, si pasojë e rrezikimit që i shkaktohet jetës dhe shpirtit të një njeriu.

Jo rastësisht gjuha u ka mbijetuar të gjitha sfidave pushtuese dhe u mbijeton akoma sfidave moderne globalizuese që aspirojnë drejt shuarjes dhe relativizimit të gjuhëve si mjet komunikimi dhe faktorizimit të një gjuhe dominante, si faktor i domosdoshëm për komunikim global dhe ndërkombëtar ndërmjet të gjithë kombeve në tërë universin.

Disa gjuhë, si ajo e vjetër greke dhe gjuha latine, janë zhdukur dhe konsiderohen të vdekura edhepse kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe kulturën e gjithë njerëzimit.  Të tjera, në vise të largëta dhe të padepërtueshme, janë në tendencë të zhdukjes pasi vdesin edhe folësit e fundit të saj. Numri i gjuhëve sa vjen dhe zvogëlohet, kur rrëzohen kështjellat e ruajtjes dhe kultivimit të tyre, gjegjësisht kombët që i flasin dhe shtetet që i ruajnë dhe kultivojnë.

Megjithatë, është iluzore prirja drejt përqafimit një gjuhe të perbashkët të tërë njerëzimit dhe krijimit të një kombi global pa marrë parasysh etninë, rasën apo origjinën. Gjatë historisë, edhe më herët nuk kanë munguar tentativat e krijimit të gjuhës së përbashkët, fillimisht në mënyrë artificiale, si gjuha esperanto (me fjalët shqipe: tungjatjeta, besa, buka, është, etj.), me shpresën se ajo do të rritet dhe përqafohet nga të gjithë dhe do të ngritet në piedestalin e gjuhës gjithëbotërore, por edhe ata kanë dështuar, pasi kanë munguar folësit burimorë të saj.

Prandaj, pushtuesit gjithandej në rruzullin tokësor, pas okupimit të një vendi, hapin e parë që kanë ndërmarrë ka qenë zhdukja e gjuhës dhe me këtë edhe të vetëdijes për ekzistencën kombëtare, në mënyrë që pastaj me ndërrimin e gjeneratave, falë asimilimit, nëpërmjet të arsimit dhe shkollave në gjuhën e pushtuesit, të krijohet bindja kolektive e përkatësisë së përbashket kombëtare të gjithë banorëve që tash e flasin gjuhën e njëjtë. Kjo sepse kur e harron gjuhën, s’mund ta kuptosh edhe historinë, si edhe letërsinë dhe traditën shekullore të këngëve dhe tregimeve të përcjellura brez pas brezi, të cilat si rrjedhojë të duken të huaja, sikur i përkasin dikujt tjetër!

Tendenca e mëhershme e dominimit ushtarak dhe fizik të një kombi mbi tjetrin, në kohën moderne është bërë e pamundur falë ndryshimit të armëve të luftës, të cilat janë bërë aq shkatërrimtare, sa që nuk mund t’ia lejojnë askujt luksin ta provojnë sepse mund t’u kthehet si bumerang, nga kundërpërgjigja e palës së sulmuar edhepse në dukje më e dobët ushtarakisht. Madje edhe në kohën e sotme nuk ka ndryshuar prirja njerëzore për dominim dhe sundim mbi të tjerët, përkundër rritjes së vetëdijes për pasojat shkatërruese të një tendence të tillë inherente të atyre që janë të vetëdishëm për fuqinë e tyre më të madhe, si ekonomike ashtu edhe ushtarake.

Edhe tendencat utopiste për krijimin e sistemeve socialiste dhe komuniste,  dhe si rrjedhojë të shteteve internacionaliste ku të gjithë do të punojnë dhe fitojnë njësoj dhe do të jetojnë të barabartë, kanë dështuar falë neglizhimit të faktit se të gjithë njerëzit por edhe kombet nuk janë të barabartë, as nga inteligjenca, as nga prirja për të punuar apo për të mbajtur përgjegjësi për vete dhe për të tjerët!

Natyra e njeriut është individuale dhe ndryshon si brenda përkatësisë etnike ashtu edhe jashtë saj. Talenti mund të jetë i lindur por ai edhe duhet të kultivohet me përkujdesje dhe përkushtim. Konkurrenca në tregun ekonomik dhe kulturor ndërmjet njerëzve por edhe ndërmjet kombeve është e pamëshirshme. Individët dhe kombet që kanë arritur më përpara se të tjerët, si në rrafshin ekonomik ashtu edhe në atë kulturor dhe shkencor, normalisht se nuk kanë arsye t’i presin me durim të tjerët që kanë mbetur prapa, pa marrë parasysh arsyetimet, të qëndrueshme apo jo! Thjesht të tjerët duhet të përshpejtojnë hapin, nëse duan t’i mbërrijnë, ose do të pranojnë të bëhen vartësit e tyre, dhe do të luajne sipas rregullavë të punëdhënësit.

Njësoj qëndron puna edhe në garën kulturore ndërmjet gjuhëve dhe kombeve që i flasin ato gjuhë. Nëse ata lejojnë që dikush tjetër t’jua vizatojë kornizat sa dhe deri ku kanë të drejtë ta përdorin gjuhën e tyre, kjo dëshmon se vetë e kanë pasur fajin qe e kanë lejuar ketë me vetëdije, duke u dëshmuar të arsyeshëm dhe të kuptueshëm, (si palë më e dobët në bisedime?!), se duhet lëshuar pé, për hir të reagimit emocional të palës tjetër, edhepse palës tjetër s’i bëhet vonë për emocionet e tij, në mënyrë që pastaj të ankohet patetikisht, për rastin e lëshuar dhe pishmanet e tij që s’ka ditur të ‘garojë’ si i barabartë me të tjerët, por nga naiviteti ka lejuar t’ia fusin dhe ta mashtrojnë!

Në fakt, edhe Marrëveshja kornizë e Ohrit, ashtu e cunguar si është dhe e mishëruar ne kushtetutë, e ka rregulluar të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe, në paragrafin e dytë kur thuhet me parafrazim, se edhe gjuha të cilën e flet popullata e 20% (edhe për këtë vetë e kemi fajin që e kemi pranuar!). I vetmi përjashtim është paragrafi ku thuhet se në komunikimin ndërkombëtar është vetëm gjuha maqedonase. Pra, nëse duhet ndryshuar kushtetuta, kjo duhet bërë vetëm për shkak të këtij përjashtimi, sepse për pjesën tjetër nuk ka kufizime dhe ndalesa, por është lënë që kjo të rregullohet (dhe jo të kufizohet, me lejen tonë!) me ligj.

Pastaj, ligji për përdorimin e gjuhëve zyrtare, i sjellur poashtu me votat shqiptare të Badinterit, e lejon përdorimin e gjuhës së dytë zyrtare, por kjo nuk ka funkcionin obligativ per institucionet, dhe bën disa kufizime të tjera, të cilat në fakt janë kundërkushtetuese, sepse i vetmi kufizim që bën kushtetuta është komunikimi ndërkombëtar. Bëhet pyetja kush dreqin ia dha të drejtën partisë shqiptare në pushtet, të bëjë koncesione aty ku s’ka pasur nevojë dhe s’ka qenë e domosdoshme!

Pse thjesht të mos thuhet në kushtetute dhe ligj: “ne vend gjuhë zyrtarë janë gjuha maqedonase dhe shqipe, (si gjuhë të kombeve shumice, edhe pike!). Kjo fjali i përfshin të gjitha, biles e abrogon përjashtimin e komunikimit ndërkombëtar, sepse jashtë vendit përfaqësohen të gjithë individët dhe institucionet e shtetit, dhe jo vetëm një pjesë e tij.

Shikuar semantikisht, paragrafet ekzistuese janë kontraverse dhe përjashtuese njëri me tjetrin, sepse diplomacia është përfaqësuese e gjithë shtetit, dhe e reflekton vullnetin e të gjithë individëve dhe insititucioneve në vend, dhe jo pjesërisht. Ky paragraf duhet hequr se është skandaloz dhe komprometues për vetë shtetin, i cili më këtë diskriminon publikisht, si politikisht ashtu edhe kulturalisht, pjesëtaret e kombit që flet gjuhën e dytë zyrtare në vend, jo vetëm brenda por edhe jashtë.

Ja sa shumë ‘punë’ duhet për ta mbylluar këtë çështje, një fjali e vetme, por për këtë duhet këmbëngulur fort dhe pa asnjë hezitim, nëse jemi në nivel të detyrës dhe shansit historik. Nëse nuk insistojmë për këtë, do të vazhdojmë të qurravitemi se na kanë fajin të tjerët, që janë mashtrues, dhe ne nuk kishim faj hiç që ishim mendjelehtë dhe naivë, apo që i dhamë përparësi interesave të tjera, personale dhe jo të përgjithshme?!

Mos dhashtë Zoti, që ta lëshojmë këtë rast të fundit, se kam frikë se edhe historia do të heq dorë prej nesh, si të padenjë për të mbijetuar në këtë arenë të pamëshirshme të dominimit të më të fortit dhe më të diturit, ndaj më të dobëtit dhe më të paditurit, i cili rrjedhimisht do të përfundojë si punëmarrës dhe vartës, dhe do të luaj dhe jetojë sipas rregullave dhe ligjeve të punëdhënësit dhe të pronarit, sin në vend, ashtu edhe jashtë, si rrogëtar dhe çirak i tjetrit!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button