Mënyra e pregatitjes së bozës dhe vetitë e saj ushqyese

Boza është pije e ëmbël që prodhohet nga mielli i misrit dhe njihet ndër vendet e Ballkanit si një pije me vlera ushqyese. Boza shqiptare është më e verdhë dhe më e ëmbël se llojet e tjera të bozave që prodhohen në Ballkan e në vende të tjera, shkruan tesheshi.com.

Përbërësit:

  • 500 g miell misri,
  • 5 litra ujë të vakët,
  • 20 g tharmë (maja) buke
  • 500 g sheqer

Përgatitja:

Në një enë (tenxhere) matet mielli, i qitet uji i vakët dhe lihet të qëndrojë disa orë (më së miri është të përgatitet në mbrëmje).

Pas qëndrimit, tenxherja vihet në zjarr të mesëm dhe zihet rreth dy orë. Përzihet here pas here, më së miri me garuzhdë.

Mielli i zier pastaj hiqet nga zjarri dhe lihet të ftohet.

Ndërkohë përgatitet tharmi, përzihet me dy decilitra ujë të vakët dhe qitet në miellin e zier.

Përzihet mirë dhe lihet ashtu.

Në mëngjes, ditën e dytë, lëngu kullohet nëpër një pëlhurë të bardhë.

Bozës i shtohet sheqer sipas shijes, ftohet mirë dhe shërbehet me pak akull.

Boza e përgatitur kështu është më mirë të shpenzohet për dy-tri ditë, sepse pas kësaj kohe, mund të marrë shije shumë të thartë.

Vlerat (dobitë) nga boza

Boza ka disa dobi për shëndetin, siç janë: normalizimi i tensionit të gjakut, rritja e prodhimit të qumështit tek gratë që sapo kanë lindur dhe kanë fëmijë në gji dhe ndihmon në tretjen e ushqimit në stomak. Boza është një ushqim i vlefshëm për njerëzit që merren me aktivitete fizike, pasi përmban vitamina A, C, E dhe katër lloje B.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP