Ta luftojmë apatinë!

Kushedi për të satën herë dëshmohet se neve e keqja nuk mund të na befasoj, por vetëm e mira. Pasi e mira këtu mund të ndodhë vetëm për nga ndonjë rastësi e madhe. Jeta e stresuar, e pasigurtë, shpesh edhe me skamje, është standard konstant i gjeneratës sime. Këso jete buron nga deformime të rënda të institucioneve të sistemit në shtet. Pasiguria dhe stresimi janë produkte të një politike skajshmërish të retarduar, e cila nuk ka zgjedhur mjete për të forcuar veten dhe për të dobësuar popullin. Përfaqësuesit tanë pamëshirshëm shkelin mbi të drejtën tonë për të qenë normal, i lumtur dhe njeri. Shkelin mbi të drejtën tonë në qeshje natyrore. Shkelin mbi të drejtën tonë që jetën ta projektojmë sipas aftësive dhe angazhimeve tona.

Tani si duket shumëçka ka humbë karakterin natyror, madje edhe atë normal, si rezultat i veprimeve politike të papërgjegjshme dhe të mbrapshta. Kjo ka bërë që jeta të na shndërrohet në incident apo në barrë shumë më të rëndë se sa natyrisht na takon. Më duken të pakuptimta thëniet e shpeshta të prindërve të mi, të cilët rininë e tyre e përshkruajnë si optimiste, të lumtur e të begatshme. Madje shumë më të humanizuar. Politika e kriminalizuar si duket totalisht ka demonizuar atë që është normale në jetë.

Mos pasja demokraci, rend dhe drejtësi në shtet, ka bërë që këtu tejmase të zhvillohen antagonizmat, mosdurimet e përçarjet. Njerëzit më tepër se kurdoherë janë të ndarë në çfarëdo baze+  etnike, fetare, kulturore, historike, gjeografike, sociale. Madje jemi të ndarë edhe në patricë e plebenj. Të parët s’dinë çka me paratë, kurse të dytët s’dinë çka me jetën. Të parët s’punojnë asgjë e kanë gjithçka, kurse të dytët punojnë gjithçka e s’kanë asgjë. Të parët frikohet nga vdekja, kurse të dytët frikohet nga jeta. Disa janë në liri a duhet të mos jenë, kurse tjerë janë në burgje a duhet të jenë në liri. Disa s’dinë me luksin pa meritë, kurse shumica s’dinë me skamjen, poashtu pa meritë. E kjo na ka shndërruar në shoqëri me përplot urrejtje, pa shumë komunikim e mirëkuptim.

Në këso konstelacionesh, lirisht mund të themi se jeta jonë i ngjason një arene gladiatorësh ku të nënshtruarit janë të detyruar të luftojnë për jetë apo vdekje, kurse të lartët jetojnë duke kënaqur epshet nga vuajtjet e shumicës së nënshtruar. Shohim se sa nënçmohen do intelektual që t’u falet ndonjë koskë?! Shohim se si ligohen do shkrimtarë që t’u botohet ndonjë libër?! Se si përkulen biznesmenë që të fitojnë mëshirën e pushtetit e t’i kursejë nga vdekja financiare?! Thonë – dorën që s’mund ta rrëzosh duhet ta puthësh. E kjo si duket na është shndërrua në ritual. Pushteti vazhdimisht blinte gazetarë, profesorë, arsimtarë, mjekë, bankier, bukëpjekës, bujq, zanatçinj e çka jo?! Madje i blinte me para që u takonin vet tyre. Patricët për dhjetë vite zhdukën pesë miliardë euro. Rreth te mijë euro për çdo plebenj. Tani kemi shtet me borxh të dyfishuar dhe me skamje poashtu të dyfishuar. Matematikë që askush s’e kupton!

Me ndihmën e mediumeve të korruptuar, grabitqarët tani as që mund të shëtisin lirshëm. Popullariteti i madh ua pamundëson. Nga një pushtet jonormal as që mund të pritet diçka më normale, pasi ai as që jeton me normalen. Ai i ngjason një orkestra të deformuar rrugësh ku kemi një violinë të parë false dhe shumë bori që bëjnë shumë zhurmë.

Mbetet të kuptojmë se askush nuk do të na e ndryshoj jetën pos neve vet. Duhet luftuar apatinë, pasi apatikët as në jetën e vet nuk e luajnë rolin kryesor. Madje duhet ditur se dallimi në mes guximtarit dhe frikacakut qëndron në atë se i pari vdes vetëm një here, kurse i dyti për çdo ditë.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply to Muhamed alili Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button