Çfarë na duhej ky “dreq” Fuko?

Mesazhi i votës shqiptare në këto zgjedhje është qartësisht i lexueshëm. Shqiptarët kërkojnë të zgjohen nga narkozat e deritashme dhe të futen në një dimension tjetër të politikës që identifikohet me më shumë dinjitet dhe reprezentim. Janë damarët e aspiratës të fillimit demokratik që tashmë kërkojnë të shkepën nga skemat e deritashme të manipulimit dhe degjenerimit politik.

Vota e këtyre zgjedhjeve në esencë e bartë këtë mesazh pavarësisht votave të shpërndara nëpër parti të ndryshme. Dhe kjo votë duhet të lexohet pikërisht në frymën e këtij ndryshimi dhe shndërrimi që tashmë ka marrë forcën e një zgjimi, por që akoma mbahet në mjegullat e situatave dhe diskurseve parazgjedhore. Asnjëra parti, asnjë lidër tashmë nuk do të mund të veprojë vetëm si somnabull në hapësirën politike, sepse vetë demosi e pamundësoi këtë “mendjemadhësi” me pasoja të shumta për shqiptarët.

Politika shqiptare detyrimisht do të duhet të futet në dimensione bashkëpunimi, por jo duke “përvetësuar” agjenda ose emra, jo duke shfaqur arrogancë mbizotërimi, por duke sinkronizuar bashkëveprimin në suaza të relitetit specifik të shqiptarëve të Maqedonisë dhe në suaza të një pluralizmi funksional dhe të dobishëm për shqiptarët.
Realisht, politika shqiptare në Maqedoni po hyn në një fazë të re që kërkon ndërkohë edhe një paradigëm të re funksionimi. Padyshim mesazhin e kësaj vote duhet ta lexojnë drejtë sidomos partitë shqiptare që kanë marrë pjesë në pushtet, sepse kjo votë tashmë ka rrëzuar për toke metanarracionet folklorike dhe funksionimin e tyre të korruptuar nga i cili urgjentisht duhet të çlirohen.

Në këtë fazë të re të politikës një parti tashmë nuk do të mund të mashtrojë dhe vetëmashtrojë me suflerë karrierash personale që vendosin gjithë infrastrukturën e partisë për pozicione partiake dhe shoqërore. Kjo kohë duket se ka marrë fund.

Fuqizimi dhe rrënimi i mëtejshëm i partive politike shqiptare do të varet kryekëput nga ky lexim i drejtë i këtij mesazhi që përkthehet me braktisjen e pallavrave dhe rikthimin e idesë së reprezentimit dinjitoz dhe institucionalizimit të veprimit politik si substancë kombatiriste dhe civilizuese.
Padyshim, figurat e korruptuara, tashmë do të jenë barometri i vëzhgimit dhe i ndjeshmërisë elektorale që do të performojë realitet politike dhe funksionimin e partive politike. Eksponatet e pashmangshme do të sigurojnë rënine e pafundme, sepse gjithë dështimi i politikës do të fokusohet në këto “simbole” që për gjatë kohë kanë mbajtur peng politikën. Edhe reformimet proforma më nuk do të kalojnë as glorifikimet me teza-antiteza të deshifruara lehtësisht nga demosi.
Politika shqiptare po futet në një dimension tjetër ndërvarësish me elektoratin që gjatë tërë kohës do të jetë në gjendje të avnacojë sensin politik në bazë të ofertës konkrete politike dhe në bazë të konsekuencës së veprimit politik. Edhe pse akoma nuk mund të shpresojmë në një ndryshim rrënjësor, në politikën shqiptare tashmë ka ndodhur, siç do të thoshte Fuko, dekonstruimi dhe në asnjë rast më nuk mund të kthehet në gjendjen e mëparshme. Çfarë na u desht ky dreq Fuko, do të jetë pyetja e të befasuarve, por përgjigja do të jetë gjithnjë e njëjtë: dështimi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button