“Heronjtë e heshtur” të luftës për mbijetesë në Shkup

Persona të papunë, përkundër dimrit të ftohtë, mundohen të nxjerrin një kafshatë të bukës duke mbajtur mallra me karroca të vogla pa motor të cilat i ngarkojnë dhe i shtyjnë me vështirësi rrugëve të qytetit të Shkupit. Vendi ku më së shumti këta persona të prekur nga varfëria presin që t’i shërbejnë dikujt është Çarshia e Vjetër e Shkupit, ku sipas tyre ka më tepër lëvizje, mbajnë mallra të lokaleve të çarshisë, por edhe të qytetarëve në nevojë.

Karrocat e tyre të vogla të cilat janë përdorur edhe në mesjetë, në atë kohë të quajtura “araba” me anë të të cilave punëtorë të thjeshtë kanë mbajtur mallra duke e shtyrë atë me krahë, janë të punuara nga druri, ndërsa skeleti i përbërë nga hekuri.

Pamjet e Anadolu Agency (AA) tregojnë se që në orët e hershme të mëngjesit, në hyrje të çarshisë vërehen të rinj e të moshuar në radhë me “arabatë” e tyre duke pritur që t’i shërbejnë dikujt për pak para, sa që në mbrëmje kur të kthehen te familjet e tyre të dërgojnë pak bukë.

Shumë prej tyre të cilët me vite të tëra ushtrojnë këtë profesion, tashmë e pranojnë fatin e tyre, falënderojnë Zotit që ende janë në gjendje të punojnë, por edhe e respektojnë profesionin që e ushtrojnë. Ata theksojnë se vendi më i përshtatshëm për të fituar para është Çarshia e Vjetër, edhe pse kohëve të fundit nuk mund të fitojnë aq para sa kanë fituar në të kaluarën.

Njëri ndër to është edhe 56 vjeçari, Zekir Loki, i cili tashmë 18 vite mundohet të nxjerr një kafshatë buke, duke punuar dhjetë orë në ditë me arabanë e tij për të cilën ka paguar 70 euro për ta blerë. Ai thotë se ajo araba është jeta e tij, pasi që me atë arrin të ushqej familjen e tij, ku Loki është i vetmi që punon.

“Tashmë 18 vite jam duke punuar këtë profesion. Me këtë araba unë mbajë shumë gjëra, si mallra, hekur dhe gjë sende të tjera. Në ditë arrij të fitoj 300-400 denarë, mirëpo më parë kur stacioni i autobusëve ishte këtu fitonim më shumë, duke mbajtur mallra nëpër lokalet e çarshisë dhe duke u shërbyer qytetarëve në nevojë”, shprehet Loki për AA.

Loki thotë se araba e tij duhet edhe të mirëmbahet dhe për atë kujdeset shumë, pasi që shpesh herë ndodh që t’i prishen rrotat nëpër rrugët e qytetit dhe kalldrëmin e çarshisë, ndërsa aktualisht ajo araba është e vetmja gjë që i mundëson pak të ardhura për të mbijetuar.

“Më parë punoja punë fizikë, por pastaj ajo punë u ndal dhe vendosa të blejë këtë araba me anë të së cilës arrij të fitoj një kafshatë buke, sepse fëmijët nuk kanë ku të punojnë dhe unë patjetër duhet të punojë diçka. I gjithë trupi më dhemb, tashmë 18 vite jam duke punuar me këtë araba, por nuk kam rrugëdalje tjetër”, thekson Loki për AA.

Zekir Loki dhe dhjetëra punëtorë të tjerë me araba, nuk janë si heronjtë që jemi mësuar t’i shohim gjithmonë, të mëdhenj, me emër dhe famë, por mund të themi se janë heronj të fshehur dhe të heshtur rrugëve të Shkupit për të cilët kjo jetë është një luftë për mbijetesë.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në tremujorin e fundit të vitit 2016, nga gjithsej 949.525 persona aktiv në Maqedoni, 715.758 janë të punësuar, ndërsa 233.767 janë të pa punë. Norma e aktivitetit në këtë periudhë është 56.6 përqind, norma e punësimit 42.7 përqind, ndërsa ajo e papunësisë 26.6 përqind.

Mirëpo, në raportin e fundit të Bankës Botërore theksohet se në vitin 2017 rritja e ekonomisë në Maqedoni pritet të ngadalësohet në ndikim të rënies së investimeve, si pasojë e pasigurisë politike në vend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button