Botë spektakli e mediokriteti

 

Ankohet njeriu i librave se po ngec në punën e tij studimore; se i mungojnë dijet e mjaftueshme për studimin e radhës, në të cilin punon me vite; se nuk ka lexuar aq sa është dashur; se sa më shumë lexon, po aq e torturojnë dilemat e shumta. Asketi bën jetë të zakonshme. Është nga studiuesit erudit që e zë gjumi mbi libra. Ka pagë modeste, gjysmën e së cilës e harxhon për libra. Nuk ka mundësi që për qëllime studimi t’i vizitojë disa arkiva. Ka vite që nuk ka shkuar në pushime verore apo dimërore. Deri më sot ka botuar libra e studime të rëndësishme.

Në mjediset ku askush nuk ka përgjegjësi për fjalën, ku çdokush flet e askush askënd nuk e dëgjon, ai është më i heshturi. Lë përshtypjen se nuk di asgjë. Teksa të tjerët flasin marrëzira ai flet rrallë dhe me mirësjellje. Është gati i padukshëm në ambientet e zhurmshme dhe të rënduar nga refrenet e mërzitshme. Nuk i përket botës së spektaklit, botës së të kënaqurve, botës së derdimenëve, botës së atyre që përdorin njëqind fjalë, aq sa nevojiten për kërkesa ekzistenciale.

Mediat tona nisin e sosin me derdimenët që janë gjithkund e nuk janë për askund. Kush çka veshi, kush çka zhveshi, kush çka hëngër, kush me kë bëri dashuri. Janë titujt e mediave tona. “Artistat” tanë të lumtur (kështu e theksojnë në shumës fjalën “artist”) flasin edhe për probleme socio – kulturore e politike. Mjerim i pafund. Injorancë e pakufishme. Këngë shurdhuese. Tekste derdimenësh. Muzikë me dy nota. Kakofoni. Si e kemi muzikën, ashtu e kemi shoqërinë ku jetojmë. Ashtu e kemi edhe politikën. Kiçi kulturor ka prodhuar kiçin politik. Fusha politike, siç thotë Hanah Arendt, është bërë fushëbetejë interesash të anshme e konfliktuale, ku të vetmet vlera përbëhen prej kënaqësive të përfitimit, ideve partiake dhe epsheve për sundim. Ngjashëm e kemi ekonominë, arsimin, kulturën, shëndetësinë, gazetarinë, sportin. Kudo debate koti. Gjëra të stërthëna. Lartësim mediokritetesh. Bajraktarë që shpërfaqin pretendimet despotike të tërësisë.

Në botën e spektakleve të mëdha “vlerë” është bërë vjedhja, mashtrimi, krimi, përdhosja e sakrales. Aty hiperbolizohet marrëzia, lartësohet mediokri, heshtet krimi, lavdërohet keqbërësi. Liria është e shpifur. Ajo është përrallë. Flamuri i ngjan një pëlhure të zakonshme, me të cilën keqbërësit i fshehin fytyrat e pista.

Jetojmë në botë spektakli e mediokriteti ku të rinjtë nuk dallojnë prej pleqve, madje udhëhiqen prej vizioneve të tyre; ku sensacionet janë ushqimi i përditshëm; ku injoranca arrogante e dominon modestinë e të mençurve.

Në këtë botë njeriu i librave është qenie në zhdukje. Ai mund të bëhet i dukshëm vetëm nëse fillon që të japë opinione për politikën ditore. Nëse humb kohën duke komentuar deklaratat e politikanëve, pa thellësi mendimi, pa koherencë. Nëse jep spektakle. Nëse mediokritizohet. Por njeriu i librave i analizon ndryshe diskurset e veprimet e autoriteteve politike. Me “instrumentet e tij”. Prandaj askush nuk e honeps.

Në këtë botë mediokriteti e spektakli njeriu i librave ka mundësi ose ta bëj punën e tij në heshtje, me shpresën se do të vijë koha kur dijes apo artit të tij do t’i shkundet pluhuri i harresës ose ai të bie në dëshpërim. Shkenca dhe arti, për shumicën e studiuesve apo artistëve të njëmendtë, mjerisht, sot është njëfarë terapie personale.

Jetojmë në botën ku siç thotë Mefistofeli te “Fausti” i Gëtes: “Rrëmeti ngjitet vrap përpjetë. Secili shtyn e shtyhet edhe vetë”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button