Marrëveshjet për platformën e përbashkët

Hynë në zyrë,  udhëheqësit e disa partive politike: Alija, Gëzimi, Sela, Veseli.  Dikush i kishte vendosur aparatet e përgjimit që të dëgjojë se çfarë do të merren vesh këta në këtë pat pozicion që u gjetën partitë maqedonase pas zgjedhjeve. Ai dikush që përgjonte vazhdimisht pinte kafe që të mos e zinte gjumi, eventualisht. Ndonjëherë e lëvizte kokën majtas e djathtas, për një helbete nëse “do ta tradhtonte për një çast, për një minutë, kafeja e hidhët espreso. Ndërkohë, u fut një mace te dera ku ishte vendosur përgjuesi e po mjaullinte. Përgjuesi u ngrit thuajse i dalë nga lëkura e tij, e përzuri macen, e mbylli derën me bravën speciale dhe u kthye me ngut te aparatet. Katër udhëheqësit e partive politike bisedonin qetë për çështje të pushimeve.
Flisnin se ku i kishin kaluar pushime vjetore për vitin e ri. Dhe qeshnin me zhurmën që bënin disa klerikë duke shpërndarë afishe se qenka haram i madh të pritet viti i ri. Por, tha njëri, neve na e kanë zënë bishtin klerikët e publikisht do të sillemi sipas dajreve që u bien ata. Sepse ata mund të na dënojnë në zgjedhjet tjera duke i kthyer votuesit kundra nesh. “Mirë”, tha përgjuesi, ende nuk ia kanë nisur bisedës për të cilën po pres kaq kohë që të fillojë. Ndërkaq biseda vazhdoi edhe pak duke i përshkuar kushtet e hoteleve ku kishin kaluar ose atmosferën shtëpiake. Pastaj u dëgjuan cingërimat e gotave të çajit: cingërr, cingërr, cingërr…

Epo t’ia fillojmë Alija. Vëllezër, tha ai kurse çiftelia i rrinte pranë, pas shpine, ne kemi ardhur tani të bisedojmë…

Çfarë të bisedojmë? pyeti Gjenerali.

Po të bisedojmë për problemet tona.

Ne s’kemi probleme! u përgjigja Alija dhe heshti.

Ndërkohë pëshpëriti dikush qetë dhe qeshi. Tha:

Menduhi s’qenka!…  As Bilalli… përsëriti dhe i fërkoi duart. Megjithatë të gjithë e dëgjuan.

Menduhu! tha në gjuhën letrare Sela, s’ka çfarë kërkon këtu. Unë kam thënë ai duhet të shkojë dhe shkoi.

Po Bilalli?

Tani, sipas disa amalizavet për zhvillimet në vënd që i kemi ba ne në BDI, ata kanë dashur të jenë para meje.  Ata dhe të tjerët nuk më dëgjuan. U thashë mblidhuni bashkë se do ta shpërndani votën shqiptare, ata s’më dëgjuan dhe kështu ndodhi. BDI-ja fitoi, kurse ata mbetën parti minore.

Për kë e pate fjalën? Pyeti gjenerali.

Kuptohet për të gjithë ata që morën pesë, tre ose dy deputetë.

Sa për këtë aluzion që po e bën për mua ti Ali, se kam marrë tre deputet, po të them se partia jote bëri që unë ta humb një deputet! Ia ktheu Sela. Fjala ishte këtu për Bilallin. Pse s’erdhi ai këtu.

Tani duhet ta shikojmë realitetin në sy,  tha Aliu. Realiteti është se BDI-ja fitoi dhe kjo është e vërteta.

Pyete Bilallin! ndërhyri Veseli. Ai të tregon se sa jeni fitues Ju. Ju jeni humbësit më të mëdhenj. Keni humbur  nëntë a dhjetë deputet.

A e dëgjove Ali, si tha Bilalli. Me Alinë nuk shkojmë askund! As në pozitë as në opozitë.

Po tani… buzëqeshi Aliu. Ne kemi hallet e vëndit… Inkuadrimin në NATO, BE, zgjidhjen e problemit me emrin të Maqedonisë.

Po ç’thua për gjuhën shqipe?

Tani… Gjuha shqipe me Marrëveshjen e Orit, si të them… Duhet të jemi realë e të themi… Ne vazhdimisht kemi thënë…

Çfarë keni thënë? pyeti Veseli.

Kemi thënë se populli është me ne.

Si qenka me ju? Nëntë a dhjetë deputetë u kanë shkuar në LSDM…

Këtë ne do ta bisedojmë në BDI, do ta analizojmë a është kështu, pse është ose pse s’është… Pastaj u hap dera dhe hyri kamerieri tabllën me plot çaj. Përsëri ra një heshtje e filluan të dëgjohen cingërimat e çajit: cingërr, cingërr, cingërr…

Ali, më fal, ne ishim te gjuha shqipe. U larguam shumë. Tjetër temë është populli…

Për gjuhën ne kemi bërë shumë… Ja, e sollëm Skënderbeun… E hapëm Universitetin. E larguam PDSH-në nga Instituti…

Cilin universitet? pyeti Veseli dhe shtoi.

E legalizuam atë të Tetovës dhe e hapët këtë të Shkupit që nuk funksionon. Pastaj këto nuk lidhen me çështjen e gjuhës shqipe si gjuhë e barabartë në tërë territorin e Maqedonisë.

T’i lëmë këto! ndërhyri njëri. Të flasim për platformën tonë në rast se bëjmë ndonjë koalicion me VMRO-në ose LSDM-në.

Ej u bë vonë tash!… tha Aliu. Do të flasim një ditë tjetër. Dhe, u ngritën e dolën.

Ndërkohë VMRO-ja dhe LSDM-ja heshtin. Me ditë. Ndoshta e kanë dëgjuar këtë muhabet të përgjuar…

Dhe, mund ta përgatisin ndonjë sihariq për partitë shqiptare të cilat bisedojnë  thuajse me ndonjë skenar seriali turk.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button