ANALIZË: Ekonomia 2017 – Sipër, shumë lartë, poshtë, shumë thellë!

Me një pasiguri të madhe politike, Qeveri të paformuar dhe ekonomi në „stand by”, fillon viti i ri 2017. Pritshmëritë dhe parashikimet lajmërojnë optimizëm – rritje ekonomike prej 3 përqind. Mirëpo, këtë vit do të shpenzohet buxheti më kolosal prej 3,3 miliarda eurosh, me pritshmëri që në arkën e shtetit në bazë të të hyrave të përgjithshme të derdhen 3 miliardë euro, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. A do të arrijë ekonomia ta plotësojë këtë që është shënuar si qëllim?

Ku dhe si do të ecë Maqedonia në vitin 2017

Është e qartë se vijon edhe një vit ekonomik që do të jetë në shenjën e pasigurisë, por në përgjithësi nevojiten „reforma” serioze të politikave të deritanishme, rritje e transparencës në shpenzimet publike dhe fund i qasjes populiste me paratë e popullit – komentojnë për Portalb.mk një pjesë e ekonomistëve dhe biznesmenëve. Nuk priten ndryshime dramatike në drejtimin ekonomik, por duhet të rritet kontrolli mbi shpenzimet, veçanërisht mbi huamarrjet e ardhshme, thotë analisti Visar Ademi.

„Nëse ka transferim të pushtetit unë nuk pres ndonjë ndryshim të madh të strukturës ekonomike të shtetit, gjegjësisht të politikave të deritanishme. Por, nga ana tjetër pres dhe mendoj që nevojitet një qasje ndryshe ndaj tre çështjeve universale dhe të rëndësishme. Së pari, një Qeveri e përgjegjshme, pastaj transparencë më e madhe dhe së treti, qëllime më të sinqerta në shpenzimin e parave publike, gjegjësisht parave të popullit”, thotë Ademi.

Sipas pozitave buxhetore të shënuara, gjegjësisht sipas Buxhetit për vitin 2017, i cili u miratua në mënyrë eksprese nga ana e shumicës së deritanishme qeverisëse të BDI dhe VMRO DPMNE, në vitin 2017 të gjitha pritshmëritë janë të sunduara nga optimizmi. Kështu, parashikohet një rritje e punësimeve për 1.8%, rritje e pagës mesatare për 1.8%, rritje e shpenzimeve private për 2.1%, e shpenzimeve publike për 1.3%. Sipas projektimeve, Investimet –Bruto do të rriten për 4.5%.

A do të, dhe sa do të realizohen këto parashikime, do të analizohet në vijim, duke pasur parasysh atë që edhe deri tani në letër shënoheshin pritshmëri optimiste të cilat më pas revidoheshin për tatëpjetë, me një alibi se për këtë e ka fajin kriza politike. Një pjesë e ekspertëve të vendit konsiderojnë se edhe këtë vit do të mbesë pyetja se sa nga qëllimet e vendosura në strategjinë Fiskale të sapopublikuar, do të realizohen.

„Strategjia fiskale nuk u vë rëndësi obligimeve potenciale të mbetura, por të pakthyera të shtetit, dhe as sanimit të problemit me pagesat e vonuara të shtetit ndaj kreditorëve të tij, veçanërisht atyre të sektorit privat vendor, që edhe më tej paraqet një mosfunksionim të madh të likuiditetit ekonomik ”- vlerësuan nga Instituti për hulumtime dhe politika ekonomike „Finance think”, njofton Portalb.mk.

Ku dhe si do të ecë Maqedonia në vitin 2017 para së gjithash varet edhe prej asaj se kush do t’i krijojë dhe do t’i zbatojë politikat ekonomike, mendojnë një pjesë e biznesmenëve.

„Nga ajo se cilët politikëbërës do ta formojnë qeverinë do të varen shumë edhe rastet ekonomike në vitin 2017. Nëse qeverinë e përbëjnë të njëjtët partnerë të cilët në tetë vitet e kaluara e krijojnë politikën ekonomike, nuk mund të priten ndryshime thelbësore që njëkohësisht domethënë se nuk ka as shenja përmirësimi të gjendjes së tanishme të keqe ekonomike. Kjo domethënë vazhdim i politikës së shpenzimeve marramendëse publike, buxhetore që do të shkaktojnë një rritje plotësuese të borxhit dhe stagnim të ekonomisë. Nëse nga ana tjetër vjen deri te formimi i qeverisë nga opozita e deritanishme në atë rast duhet të pritet ndryshim i politikave shtetërore të huamarrjes e veçanërisht i përdorimit të parave të huave, e më pas në nxitje të kompanive vendore. Duhet të pritet rritje e pagës minimale që do të shkaktojë edhe rritje të pagës mesatare që do ta rrisë shpenzimin personal që do të sjellë rritje të BPV” – thotë për Portalb.mk Fatmir Byityqi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Ajo që është e sigurt është se huamarrjet do të vazhdojnë edhe në vitin 2017. Pas Euroobligacionit të vitit të kaluar prej 450 milionë eurosh, huamarrje të re të huaj do të ketë këtë vit- nëpërmjet një Euroobligacioni të ri.

„Mjetet financiare për deficitin e projektuar për vitin 2017 dhe pagesën e borxheve do të sigurohen nëpërmjet një huamarrje të huaj me lëshim të një Euroobligacioni në tregun ndërkombëtar të kapitalit, me huamarrje në tregun vendor të letrave shtetërore me vlerë dhe me tërheqje mjetesh nga kreditë e përshtatshme prej institucioneve financiare ndërkombëtare dhe linjave kreditore të dedikuara për financime të projekteve të veçanta” – shënohet në propozim buxhetin.

Ajo qe duhet të ndryshojë sipas analistëve është koncepti i tërheqjes së investimeve nga njëra anë, dhe forcimi i kapacitetit të firmave të vendit nga ana tjetër.

„Një model ekonomik i këtillë nuk është i qëndrueshëm për tërheqje të investitorëve të huaj që bazohen tek përparësia çmimore para së gjithash për shkak të çmimit të ulët të fuqisë punëtore. Maqedonia prapë së prapë nuk gjendet në Azi, kështu që kjo politikë çmimore e borxhit nuk është e qëndrueshme për shkak të shtypjes së vazhdueshme për rritjen e pagave i cili do të rezultojë me largimin e kompanive ne destinacione të tjera, më të lira. Opsioni i dytë është modeli që përqendrohet tek tërheqja e investimeve nëpërmjet të dhënies së subvencioneve, e me këtë pa u realizuar qëllimi kryesor – integrimi me ekonominë lokale”, thotë për Portalb.mk Ademi.

Sipas të dhënave nga Instituti Shtetëror i Statistikës, kuartali i tretë përfundoi me rritje ekonomike prej 2.4%, por për shkak të pasigurisë së përgjithshme, Banka Popullore dhe Qeveria i reviduan pritshmëritë preliminare për rritje të ekonomisë më të madhe se 3.5 %./ Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button