QYTETI BERKIAN

‘Poezia është punë e alkimistit të patëmetë’ – thotë Bodler-i. Ilhan Berk (1918-2008), alkimisti vetë, “beu skajor i poezisë”, “Ualt Uitman-i turk”, lajmëtar i lëvizjes poetike të ardhshme të emërtuar ‘İkinci Yeni’ (E reja e dytë), përkthyes i poetëve të mëdhenj Arthur Rikbaud dhe Ezra Paund, një kokë e ndritur e mendimit dhe fjalës së shkruar figurë dominante e rrymës postmoderne të poezisë turke. Berk, një vargshkrues i kalibrit botëror, tani i përkthyer edhe shqip, që në vargjet e veta përdor imazhe që tregojnë se është ndikuar nga poezia simboliste, ndërkohë është edhe një poet që mjeshtërisht sociologjizon përmes poezisë. Dashurinë, historinë, sendet e ndryshme, qytetin, sokakun e të tjera i ka shndërruar në poezi në një mënyrë të hollësishme e konkrete, pikërisht si ajo e letërnjoftimit. Ilhan Berku është një lumë shumëdegësh i poezisë që dashuron prozën, aforizmat, shkronjat, sendet, lagjet etj.

Tema e qytetit, e skajeve dhe frymimit të tij, janë nga më të shpeshtat në poezitë e tij. Berk është autor që jeton dhe shkruan për qytetin, për anonimitetin në të, për qytetin si hapësirë me më shumë njerëz të privuar nga liria, për zemrën e qytetit copë e grimë, për qytetet besnike, mizore, të gjakosura, për qytetet e bardha e të thata, për qytetet që ndërtohen në saje të dashurisë, për qytetet që duhet çliruar karshi të gjithë barbarëve. Ai flet për qytete që  punojnë tërë ditën e lume, për qytete rrugët, sokakët e të cilëve vrapojnë nën urdhrin e qiellit. Tek Berku qyteti dhe poeti janë në korrelacion: Poetët kanë qytete, më së paku kanë lagjet, sokakët e vet. “Në xhepat e tyre mbajnë njerëz, qytete, lumenj, rrugë. Shëtisin bashkë me ta.” “Disa poezi krijojnë qytete nënujore.” Sipas tij ka qytete ku shkohet për të jetuar, për të vdekur. Në vijim do japim një fragment nga vepra Përmbledhje poezish, Logos-A, 2016, fq. 52-55, përkthyer nga autori i këtij shkrimi, ku Berk bisedon emocionalisht e gjallërisht me simbolin e civilizimit, me qytetin:

Të shikova prej pas grilave

Të pashë në dorë të skamjes e robërisë

Çdo herë ishe më i vetmuar, më i pambrojtur, më i varfër

Çdoherë i pikëlluar, i hidhëruar, i vetmuar

Të pash edhe të uritur edhe të ngirë

Çdoherë ishe i bukur me njerëzit modestë, shumë të vyeshëm e të zellshëm

Mjegullat, tymi, vaji yt ishin tonët

Para nesh qëndrojnë kështjellat, muret, kullat vrasëse

Në zemrën tënde të mirë ndalen e ikin anijet, gëzimet, hidhërimet, pezmi yt i vjetër

Kalon para nesh me shikimin tënd të pavdekshëm, me pamjen me trille, me grushtin e fortë

Prapa teje dashuritë, vdekja, punët e panisura

Ti je qyteti i dhembjes sonë të madhe

Je dora e këmba jonë

Ti, uria, pezmi, mjerimi i viteve

Ti, për të cilin këndonim këngë, thurnim legjenda

Me shekuj të tërë njerëzit kanë qenë hasret për ty

Ty të kemi pritur

Ti po kalon nëpër çarshi, shtëpi, burgje

Para teje, presin gëzime e ditë të mira

Qyteti i vuajtjes sonë të madhe

Vetëm ti je i vjetër në botën tonë  

Me kullat, minaret dhe muret e kalave

Me anijet, limanet e bankat

Vetëm ti je i vjetër

Nuk vjetrohet vetëm mundi i punëtorëve

E re është vetëm puna, drita e syve dhe djersa e tyre

Je i bukur në duart e tyre

Dora, syri, nuri, zemra e ngrohtë e tyre

Të prek çdo pjesë tënden

Qytet i popullit të zellshëm

Shtetet, kombet, vatanet kaluan, mbeti vetëm e mira

Kaluan vetura, njerëz me grada, të tjerë të mërzitur e të lënduar

Tregtia, politika, historia, një grusht mirësi, kaluan njerëz të çdo race

Prapë vetura, njerëz të dobët e të trashë, të gjatë e të shkurtër, të shëndoshë

Dallkaukët, vdekja, trysnia, erdhën një pas një

Poetë, të pasur, të varfër, ia behën armiq të lirisë nga të gjitha sojet

Askush s’ta dha hakun

Të dashuruan të gjithë, të rinj e pleq, popuj të çdo race

Çdokush që erdhi, të dashuroi, u lidh me ty, të braktisi e iku

Çdokush që erdhi la qostek, pranga e zinxhirë të rinj

Çdo njeri që erdhi shijoi urinë, hidhërimin, makinat, muret

Edhe më tepër zgjeruan zandanët, vetminë e ashpër, mjerimin

Të lanë si ishe e ikën luftërat, paqja, njerëz të çdo lloji

Ti, muret e pikëllimin tonë edhe më tepër i forcove

Ti e more trysninë që brez pas brezi forcohet e bëhet e pavdekshme

Kështjellat i forcove dhe më tepër me dije të reja

Kështu, ty çdoherë me urinë tonë të gjenim më të përtërirë, më të shëndoshë

Pikëllimi ynë s’u pakësua as një ditë

As një ditë s’e harruam veten

Ti, qyteti më i pafat

Në çdo anë u shpërndanë me bollëk të këqijat, fëlliqësirat

Kaluan mbretër, sulltanë, perandorë

Njerëzit e rinj themeluan kombe të reja, shtete e qytete të reja

Këtë radhë, i fshinë e i bënë pikë e pesë të këqijtë

Ti, qyteti më i pafat

Vetëm ti je i vjetër në botën tonë

Vetëm ti je i vjetër në botën tonë

Ty të presim me shekuj plot vuajtje, pikëllime e zullume të pafundme

 

Vetëm ti i nget vazhdimisht të krisurit, budallenjtë, shërbëtorët e tu

Pas teje, të këqijat, vuajtjet të panumërta e të rënda

Pas teje me qëndrueshmëri presin fytyra të ngathëta e të brengosura, shkujdesje

Ah, dhunti ku je

Ah, shpresë

Ah, shpëtim

Ah, fëmijë, gra, burra, këngë, paqe

Tani e tutje, me ty, para teje përkulje, lutje

Tani e tutje, punët, shtetet, tokat, republikat janë me ty

Tani e tutje, poetët e pavdekshëm të botës janë me ty

Tani e tutje, ndal fëlliqësive, ndyrësive, dhunës

Ndal kusarëve, baltës, prangave, zgjedhës

Ndal, zinxhirëve, ditëve të zeza, ndal një herë e përgjithmonë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button