PAS VITIT TË RI

Ka disa vjet që nuk e festoj Vitin e ri, por më pëlqen ta festoj çdo ditë të re.

S’më bën përshtypje atmosfera e gëzimit të sforcuar, as telefonatat as sms-at, bezdi e rradhës.

As nuk pyes “ku do ta kalosh…” e as “ku e kalove…”.

Ajo që më pëlqen është agu i 1 janarit, kur festimtarët akoma flejnë dhe qyteti gdhin më qetë se kurdoherë. Mëngjesin e kam pjesën më të dashur të ditës, orët më efektive për punë ose për kënaqësi. E saktë ajo thënia që dita shihet nga mëngjesi. Periudhat kur trupi na rëndohet dhe nuk i lëvizet vendit kur dielli bie mbi shtrat janë indikatorë që diçka duhet ndryshuar në botën tonë të vogël ose të paktën në mënyrën se si e shohim atë. Shikimi i çiltër e mban njeriun kureshtar, kurse të jesh kureshtar don të thotë të jesh optimist.

Do të dal pas pak nëpër qytetin që flen. Kafja e parë kryesisht në një vend të preferuara, duke lexuar, vetëm, si çdo ditë tjetër. Orë të çmuara kur “e hap ditën”, planifikoj, mendohem dhe pak a shumë e kthjell kokën. Prishet rituali nëse dikush, sado i dashur, bashkangjitet. Me vite në të njëjtën tavolinë që sheh kah lumi. Lumi nuk shihet si dikur, por kryesorja është në vend të vet, poashtu edhe unë.

E ulur aty do vazhdoj të bredh rrugëve të Stambollit, shoqëruar, si dje e pardje, nga personazhet plot kolorit të romanit të Elif Shafak, një nga autoret më të lexuara bashkëkohore turke. E lindur në Strazburg, rininë e kalon në Spanjë, kthehet mandej në Turqi por fati prap i buzëqesh dhe me të ëmën diplomate vazhdon në Gjermani, Jordan dhe SHBA. Për mentalitetin turk shkruan me bindshmërinë dhe pikturalitetin e dikujt që tërë jetën e ka bërë në atë mes. Por edhe në rastin e saj vërtetohet se nga larg sheh më mirë, më qartë.

Mandej do vazhdoj nëpër Çarshi. Ajo në këtë mëngjes duket si në Bajram, tek tuk ndonjë njeri. Por prap e bukur, si çdoherë. Rrugës do ta ndjek nga kufjet Radio Shkupin dhe transmetimin e koncertit të Vienës, fundi i të cilit shpesh më gjen në shtëpi.

..ëndërrova një natë një shtëpi të vogël dykatëshe, dola prej aty herët, për kafjall, rruga ishte gjarpërore, objektet e afërta dukeshin boshe. Por në një shtëpizë mes tyre kishte jetë. Dhe ishte e imja. Sapo u gjeta nën rrapin e vjetër tek Turisti, u zgjova. Nuk e di në janë sinjal ëndërrat apo duke i marr seriozisht e duke rendur pas tyre jam unë ajo që i kthej në shenja që duhen ndjekur. Ndonjëherë më ndodhin gjëra që vetëm atëherë më kujtohen se dikur moti më janë fanitur në gjumë. Interesant.

Në rastin tim, më reale janë ato se sa planet për Vitin e ri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Portalb-in sapo e hap vrapoj tek pjesa e kolumnave duke e kerkuar profilin tend per te lexuar fjalen tende te shkruar. Kenaqem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button