Struc

Kur mezi pret të vijë nata, nën jorgan për t’u fshehur,
Thua se ashtu do t’ikësh na gjërat që hapin bunare në tënden zemër!
Struc!
Me të futur kokën nën jastëk, brenga nuk mbaron!
Jorgani plumb i rëndë, për asnjë gram peshën mbi shpirt s’ta lehtëson. Struc!
Por, mezi pret të ikë dita. Nën sqetullat e natës për t’u fshehur! O i mjerë!
E di si thonë? Të nesërmet s’kanë të sosur!
Vijnë ditë të reja, dhe sa shumë peshojnë, o Zot! 
E ti s’guxon të derdhësh asnjë pikë loti, se ti je e fortë.
Por, lot! Lot është çdo atom ajri që brenda teje hyn. 
Helm është çdo thërmijë buke që me zor e përpin.
Dhe nuk di si të rrish, se edhe ulur edhe shtrirë të dridhen këmbët, a nuk mërdhihesh.
Trishtohesh. 
Dhe ke frikë të vetmohesh! Se të sulet mendja me ofanziva mendimesh që të tmerrojnë.
Hedh mbi ty miliona bombash që çdo fije qetësie ta demolojnë.
Lëshohen vrrullshëm lumenj ndjenjash me ujra kanalesh që të helmojnë, 
Male frikërash ngriten papritmas në sytë e tu, dhe, si çdo që tjetër, të tmerrojnë.
Çdo hap imagjinar veç në gremina të çon, dhe, si gjithë të tjerat, edhe kjo të tmerron.
Dhe për një çast, edhe frymëzimi të shterron. 
Sa sinqeritet i mbetet dhimbjes kur menjëherë ta shndërrosh në poezi vrapon!

Ç’mëngjes është ai kur ke frikë jorganin ta shpalosësh!
Kur e lut gjumin të mos ikë, se të ngrihesh në këmbë ke frikë.
Kur të menduarit për ditën këmbët t’i pret.
Kur mendja që s’ndalon së kalkuluari, çdo pikë guximi ta vret. 
Ç’mëngjes është ai kur s’këndon asnjë këndes! 
Ç’do gjë përreth është e qetë gjer në vdekje dhe kjo të tmerron.
Se e di, pas kësaj, furtuna e çmendur çdo qelizë tënden e viziton. 
Dhimbje!
Sikur të kishe fuqi kohën prapa ta kthesh. Veç një herë! Një herë të bekuar!
Dhe ta vrasësh këtë dhimbje të mallkuar, se të tmerron, pra! Të tmerron. 
E mendja, si për inat, rri e alarmuar si ushtar roje, dhe për asnjë çast dhimbjen s’e harron. 

Shqipe Palloshi
08.12.2013

Lajme të ngjashme

Back to top button