Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euro-atlantik

Pyetja: Çfarë prisni nga 2017-ta?

Përgjigjja:

Në aspektin politik, pres të formohet qeveri për ndryshime, me gjasa mes LSDM-së dhe partive shqiptare. Kam përshtypjen se në këtë qeveri do të kthehet në normalitet institucionet e shtetit dhe do të fillojë implementimi i Raportit të Pribes dhe Komisionet Evropian. Pres që me ndërhyrje më të madhe të faktorit ndërkombëtar të realizohen çështjet nacionale që parashihen në platformën e partive shqiptare, d.m.th. sa i përket gjuhës, prokurorisë speciale dhe të bindet opozita (VMRO DPMNE-ja) për vazhdimin e mandatit.

Disa çështje që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese për avancimin juridiko-kushtetues të shqiptarëve në fazën e parë do të jetë problem për shkak të mungesës së numrave, sepse duhen 80 deputetë. Sido që të jetë e para që është me rëndësi normalizimi i shtetit dhe institucioneve, pavarësia e gjyqeve (funksionimi i gjyqësisë që përfundimisht të del në shesh e vërteta për Monstrën, Sopotin, Kumanovën).

Na presin zgjedhje lokale, që besoj se tani po krijohen kushte që zgjedhjet të jenë të drejta, demokratike. Pres të rikthehet Maqedonia në rrugëtimin euro-atlantik;  të fillojnë investimet nga jashtë në Maqedoninë më stabile; lufta kundër kriminalizimit dhe korrupsionit të vazhdojë (kjo do të jetë detyrë kryekëput e Prokurorisë Speciale, me ndihmën e institucioneve tjera ndërkohë që qeveria e re do të kujdeset që të mos i bëhen obstruksione ndaj prokurorisë speciale dhe një departamenti special në gjyq që do të merret me këto raste)… E gjitha do të varet nga vullneti i atyre që do ta udhëheqin shtetin.

VMRO DPMNE-ja do të bëjë përpjekje ndoshta të një destabilizimi eventual, por unë mendoj se do të ndodh ndonjë reformim i partisë për shkak të procedurave penale që do të ngriten ndaj anëtarëve të partisë së tyre dhe ekzistojnë dhe e gjithë kjo do të kalojë  në një VMRO DPMNE të reformuar, e cila do të jetë opozitë më konstruktive.

Në aspektin ndërkombëtar mendoj se Maqedonia nuk ka ndonjë rol të rëndësishëm. Mirëpo është e rëndësishme që të mbajë diskursin pro-perëndimor, që sa më larg të jetë ndikimi pro-rus. Partitë politike shqiptare duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë, të japin impulse që Maqedonia të bashkëpunojë më ngushtë dhe më shumë me Shqipërinë, Kosovën dhe fqinjët tjerë. Kështu do të hapen tregje të reja ekonomike, bashkëpunimi kulturor, ai arsimor dhe do të rritet cilësia e jetës.

Mendoj se me një kryeministër si Zoran Zaevi dhe ajo që e promovoi gjatë fushatës parazgjedhore, do të realizohen shumë çështje në favor të shtetit dhe në favor të shqiptarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button