U promovuan dy libra të autorit Bekim Ramadani – “Dëgjo këngën dhe harro brengën” dhe “Meditim për artin tim”

Të shtunën u realizuan dy aktivitete përurimi të librave: “Dëgjo këngën dhe harro brengën” dhe “Meditim për artin tim” të autorit Bekim Ramadani.

Referuesi i parë ishte dirigjenti i mirënjohur kosovar z. Memli Kelmendi i cili foli për këngën korale shqiptare, zhvillimin e saj, mungesën e literaturës përkatëse, (mos)interesin e publikut, ballafaqimin e formacioneve korale me krijimet popullore, neglizhencën e institucioneve ndaj kultivimit të muzikës korale, pastaj kontributin e çmuar të autorit Bekim Ramadani në grumbullimin, përpunimin, sistemimin dhe botimin e këngëve korale me motive popullore në një format të ri etj.

Ndërkaq, referuesi i dytë, kompozitori nga Tirana, profesor Edmond Buharaja shtjelloi ca çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin historik të mendimit kritik për muzikën, me muzikën si shkencë, me rolin e muzikës në edukimin e nxënësve, me krijimtarinë, me interpretimin, me dëgjimin, pastaj me bashkimin kombëtar përmes kulturës, duke theksuar se pikërisht ky aktivitet është shembulli më i mirë i unifikimit të interesave, të veçorive, të  artit, të gjuhës, të vetëdijes kombëtare, sepse bëhet fjalë për dy referuesë shqiptarë që vijnë nga Kosova dhe Shqipëria si dhe për autorin, gjithashtu shqiptar, që është nga Maqedonia.

Autori i librave, profesor Bekim Ramadani nuk u ndal në përmbajtjet e librave, duke thënë se autori heshtë kur libri flet. Ai fillimisht sqaroi që motivi kryesor i angazhimit të tij në veprimtarinë krijuese është zbatimi i urdhrit hyjnor, se duhet lënë gjurmë dhe se duhet dëshmuar për ekzistencën tonë në këtë botë.

Pjesën më të madhe të diskutimit të tij ua kushtoi njerëzve që e kanë ndihmuar në përmbylljen me sukses të librave në fjalë. Një falënderim ia dedikoi ish kryetarit të Shoqatës për kulturë, art dhe sport – “Sofra gjakovare” nga Shkupi, të ndjerit Baki Maliqi për kontributin e çmuar në kultivimin e vlerave të mirëfillta, pastaj Qytetit të Shkupit për përkrahjen financiare të librit “Dëgjo këngën dhe harro brengën” si dhe recensentit të këtij libri, Milto Vakos, dirigjentit të mirënjohur nga Tirana. Bekim Ramadani falënderoi edhe babanë e vet të ndjerë, Idriz Ramadanin, për këshillat e çmuara, për përkrahjen intelektuale dhe morale gjatë gjithë procesit krijues, pastaj ekipin redaktues, si dhe Ministrinë e Kulturës së RM për mbështetjen materiale.

Në këto aktivitete morën pjesë edhe artistë të cilët përmes interpretimeve të bukura i sollën publikut emocione të fuqishme. Në “Librarinë e Çarshisë“ jehuan tingujt e violinës së Shkëlzen Pajazitit i cili në shoqërim të Jetmir Mehmedit me kitarë, arriti të krijojë një atmosferë të ngrohtë e miqësore e cila më vonë u pasurua edhe nga interpretimi pianistik i djalit të autorit, Albin Ramadanit.

Ndërkaq në klubin “Oda” në Tetovë, përveç formacionit kamertal të Fakultetit të Muzikës të UShT-së (klasa e Blerim Grubit) u prezantua edhe balerina Bora Kazimi me një fragment nga baleti “Liqeni i mjellmave” të Çajkovskit, si dhe artisti Aziz Sulejmani me monologun “Evokim nga provimi i Estetikës” të autorit Bekim Ramadani. Gjatë mbrëmjes në Tetovë u dhanë edhe ca pamje filmike nga prononcimet e disa autoriteteve nga fusha e muzikës (nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia) në lidhje me veprimtarinë krijuese dhe botuese të autorit Bekim Ramadani. Moderatorë të këtyre aktiviteteve ishin: gazetarja Valbona Zunçe – Pajaziti (në Shkup) dhe studentja e aktrimit (FD – UShT) – Shpresa Hashimi (në Tetovë).

Pas përfundimit të ceremonive dhe koktejeve të begatshme, autori u dhuroi libra të pranishmëve në shenjë falënderimi për pjesëmarrjen, kujdesin dhe respektin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button