Maloku: UDB serbe kreu vrasjen e pesëfishtë, shqiptarët vuajnë burgun (VIDEO)

Ish-oficeri ushtarak dhe eksperti për çështje të sigurisë në Kosovë, Naim Maloku dyshon se vrasje e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit është vepër e shërbimit sekret serb. Ai në një prononcim për Kosovapress ka ndërlidhur vrasjen e serbëve të rinj në vitin 1998 në lokalin “Panda” në Kosovë nga ana e shërbimit sekret serb me vrasjen e Smilkovcit që ndodhi në prillin e vitit 2012. Ai ka thënë se shumë vrasje të tilla ishin kryer dhe inskenuar nga UDB-ja serbe para luftës dhe më pas nga BIA serbe.

Maloku, thotë se shërbimi sekret serb vazhdon të jetë prezentë në Kosovë, me veprimet e tyre, por edhe në vendet e rajonit. Madje, Maloku dyshon edhe në një person konkret se ai është ideatori dhe realizatori i të tria vrasjeve me motive ndëretnike.

“Unë kisha tërheq një paralele, tri vrasje, sipas mendimit tim karakteristike, aq sa kam mundur t’i studiojë dhe informacionit që kam pasur, por edhe mënyrës se si janë kryer. Është vrasja, apo rasti i Paraçinit, kur Aziz Kelmendi, sipas tyre, i vranë një numër të ushtarëve dhe ata zgjedhën prej të gjitha komuniteteve në atë kohë, të gjitha republikave të ish Jugosllavisë. Është vrasja e të rinjve në Pejë, në kafeterinë ‘Panda’, në vitin 1998, dhe vrasja e vitit të kaluar që ndodhi në Smilkovc . Në këto tri vrasje unë gjejë shumë karakteristika të përbashkëta, dhe jam i prirë të besoj dhe jam shumë i bindur që është e njëjta kokë që i ka menduar, planifikuar dhe realizuar”, ka deklaruar Maloku.

Ai thotë për Kosovapress se shumë vrasje kanë ndodhur në Kosovë pas luftës, dhe gjithmonë bëheshin para ndonjë date të rëndësishme. 

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, ish anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi thotë për Kosovapress se agjentura serbe është më e fokusuar jashtë Serbisë.

“Shërbimi sekret serb më shumë është i fokusuar jashtë territorit të Serbisë, siç është Kosova, Maqedonia, Bosnja apo vende të tjera, pra ajo me shumë është e fokusuar të përqendrohet jashtë vendeve, dhe deri me tani më së shumti ka qenë e fokusuar kundër shqiptarëve duke vepruar në vendet ku kanë jetuar shqiptarët. Dihet mirë se shqiptarët janë shumicë në Kosovë, janë pjesë dërrmuese në Maqedoni, dhe në vende tjera. Pra, aty ku janë shqiptarët e përqendruar aty është mundur edhe shërbimi sekret serb të jetë i pranishëm duke bërë edhe aktet të cilat jo rrallë herë kanë mbetur të padënueshme, ndërsa, jo rrallë herë edhe të pakuptueshme”, deklaroi Selimi.

Dyshime për implikimin e shërbimit sekret serb në Smilkovc kishin qarkulluar edhe në qarqet politike dhe jozyrtare në Maqedoni, por asnjëherë nuk u ngrit ndonjë pistë hetimi. 

Lajme të ngjashme

Back to top button