Analistët “e padukshëm” si mashë për vërtetimin e tezave të redaksisë

[Recension: ANALISTËT: E natyrshme që kjo Lëvizje të bojkotojë takime që kanë të bëjnë me platformë shqiptare]

Tekstet e tilla që thirren në qëndrime të analistëve, e analistët nuk i kanë askund në përmbajtje, shfaqen shpeshherë në media të caktuara. Ndonjëherë, aty-këtu merret ndonjë status nga rrjeti social Fejsbuk i ndonjë analisti, ose merret pa leje deklarata e dhënë për ndonjë medium tjetër e shpesh edhe në kontekst tjetër, ose analistët flasin në mënyrë ‘anonime’. Gjithë kjo ndodh si duket ose nga qëllimi tendencioz, nga përtacia ose nga mungesa e brumit të vërtetë – fakteve dhe opinioneve të personave kompetentë realë, që janë të patjetërsueshme që një informatë të bëhet lajm. E gjithë kjo – në dëm të gazetarisë së mirfilltë dhe interesit të publikut.

analistet-e-natyrshme-qe-kjo-levizje-te-bojkotoje-takime-qe-kane-te-bejne-me-platforme-shqiptare-aktuale-mkLinku për te artikulli origjinal: ANALISTËT: E natyrshme që kjo Lëvizje të bojkotojë takime që kanë të bëjnë me platformë shqiptare

Data dhe koha e publikimit: 23.12.2016

Data e recensionit: 28.12.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi

Teksti që po recensojmë është një prej atyre që thirren në analistët “fantom”,  të cilët gjoja kanë adresuar kritika ndaj një partie politike. Por, kur bëhet fjalë për kësi lloj kritike ose akuzash, gjithmonë në përmbajtje duhet patur emër dhe mbiemër. Po e përcjellim një pjesë të tekstit në tërësi, me gjithë gabimet drejtshkrimore, me siguri të bëra nga shpejtësia për ta vendosur tekstin në ueb.

“Pas bojkotit nga ana e Lëvizjes “Besa” për të mos marrë pjesë në takimin e iniciuar nga kreu i BDI-së Ali Ahmeti me liderët shqiptarë, kanë reaguar edhe analistët. Ata kanë thënë se është ky një hap i pritshëm dhe i natyrshëm, që të bojkotojnë takime që kanë të bëjnë me platformën kombëtare.“Lëvizja e sponzorizuar kësisoj është krijuar për të dëmtuar kauzën shqiptare dhe është e natyrshme të bojkotojë takime që kanë të bëjnë me platformë shqiptare”, kanë thëënë analisëy.”

Vetëm kjo deklaratë anonime paskësh qenë e mjaftueshme për të krijuar një arsye, një shkak dhe një pasojë të një ngjarjeje. Aq më keq kur bëhet fjalë për gjeneralizim, pasi që kjo deklaratë, lëre që është anonime, por është edhe e gjeneralizuar në emër të të gjithë analistëve.

“Koalicioni “Rilindje me Besë” përmes një qëndrimi të saj tha se mbështesin çdo nismë për interesat shqiptare, por nuk marrin pjesë në takimin e ftuar nga Ali Ahmeti”

Gazetari nuk guxon të japë konstatime si ky më lartë – se takimi i thirrur nga një kryetar partie qenka për bashkim politik të shqiptarëve. Këtë mund ta thonë politikanët në arsyetimet e tyre, ose ndonjë njohës i çështjeve, mirëpo assesi vetë gazetari.

Duhet përshëndetur faktin se në këtë tekst të paktën është përcjellur arsyetimi i Lëvizjes Besa, e cila nuk ka qenë në takim, si palë e dytë në këtë përmbajtje.

“…duke mos harruar në asnjë moment se jo më larg se javën e kaluar BDI dhe PDSH – si anëtarë të KSHZ-së – edhe një herë i shërbyen VMRO-DPMNE-së, duke ia minusuar një deputet shqiptar koalicionit ‘Rilindje me BESË’ dhe duke ia dhuruar Gruevskit, koalicioni ‘Rilindje me BESË’ ka vendosur ta respektojë vullnetin e votuesve të tij dhe mos të marrë pjesë në takimin që e ka ftuar kryetari i BDI-së nesër (e shtunë, më 24.12.2016) në Shkup”, theksuan nga ky koalicion”

Përmbajtja ka mundur ta strukturohet shumë më ndryshe. Për shembull, të kontaktohen më shumë burime dhe të marren analista me emër dhe mbiemër, që ndoshta edhe do të mbështesnin tezën që ka tentuar ta përcjellë teksti. Mirëpo, për fat të keq, është zgjedhur rruga më e lehtë, ajo e shkrimit kokë më vete, pa pasur asgjë që dorë që mund të shërbejë si dëshmi apo fakt për përpilimin e lajmit.

Kodeksi i Gazetarëve të Maqedonisë dikton se : 

Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve.

Gazetari duhet të sigurojë distancë profesionale prej subjekteve politike.

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button