PËRBALLJE ELEFANTËSH

Jetojmë në një botë të trazuar, botë interesash të mëdha, që prodhojnë përplasje e konflikte të shumta. Bota shkon drejt rirenditjes së fuqive të mëdha. Ky proces shoqërohet me paqartësi të shumta. Qytetarët e rëndomtë shpesh këtë rirreshtim e konsiderojnë si lojë të paracaktuar, me epilog të ditur. Mund të mos jetë ashtu. Historia njerëzore ka dëshmuar se shumëçka del jashtë kontrollit të atyre që duan të kontrollojnë gjithçka. Shumë balance interesash të fuqive të mëdha kanë pësuar plasaritje. Në këtë përballje të mëdhenjsh “të vegjlit” gjithmonë janë pjesë pazaresh. Aty ku përplasen elefantët e pësojnë speciet më të vogla, që jetojnë në territorin ku ndodh dyluftimi i tyre.

Përplasja e elefantëve ka filluar. Në vitet e fundit po vërehet se fuqive të mëdha u mungon përgjigja e saktë për shumëçka që ndodh në botë. Njerëzimi po rend drejt një katandisje të re morale. Efektet e kësaj katandisje po i shohim në vende të ndryshme të botës, ku viktima janë civilët.

Kësi rrënimesh morale bota ka përjetuar në prag luftërash të mëdha: luftërave botërore, luftërave ballkanike, luftërave në hapësirat e Jugosllavisë së dikurshme. E luftërat me armë janë pasojë e dështimeve të politikës dhe rënies morale.

Fuqitë e mëdha, që kanë përgjegjësi të madhe për të ruajtur ekuilibrat në botë, që evitojnë përplasjet e frikshme në përmasa globale, duket se nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme. Janë tejet të mëdha interesat dhe ambiciet për shtrirje në zona problematike gjeografike, për interesa ekonomike. Disa zona janë delikate. Aty priten interesa jetike fuqish të mëdha, por me strategji antagoniste. Trillet e tyre paguhen shtrenjtë nga njerëzit e pafajshëm. Në kësi rastesh të pafajshmit nuk janë subjekte, por vetëm statistikë.

Ne njerëzit shpirtmirë mund të klithim sa të duam, por interesat e shteteve e vënë humanizmin në plan të dytë.

Në skenë, me vite, e kemi ariun rus. Fuqia e tij reale qëndron te projektimi i kuajve të Trojës, që i ka futur kudo. Europa ka qenë e paaftë për t’i parandaluar. Ajo është e përçarë përbrenda. Nuk funksionon si trup i vetëm. Më shumë se sa ide, vizion e zgjidhje problemesh, Europa po prodhon dilema. Duke u marrë me problemet e brendshme është bërë e ngathët ndaj rreziqeve që i kanosen pranë kufinjve të saj.

Ekspertët e shumë thonë se botës i kanosen rreziqe të shumta, që shfrytëzohen nga ariu rus. Janë korrupsioni në shtetet europiane, por që janë jashtë BE; mungesa e mirëqenies; radikalizmi fetar.

Diplomacia europiane, në vend që të jetë më e drejtpërdrejtë, shpesh pajtohet me zgjidhjet e përkohshme në shtetet e këtilla dhe problemet i fut nën rrogoz. Kjo i ka trimëruar nëntokat politike edhe në Ballkanin tonë. Nëntokat e këtilla funksionojnë jashtë kontrollit të aleatëve tanë jetik dhe kanë fuqi financiare për të shkaktuar probleme të paparashikueshme. Nëntokave politike u duhen trazime, sepse kështu përfitojnë e mbijetojnë. Prandaj, sot faktorët ndërkombëtare duhet më shumë të veprojnë e më pak të teorizojnë. Duhet strategji për nevoja të shpejta, që do të synonte ndëshkimin e nëntokës politike, të korruptuar dhe të paparashikueshme, si dhe krijimin e një perspektive të re, duke i afruar shtetet më pranë NATO-s dhe BE-së.

Problemet në rajonin tonë nuk i shkaktojnë njerëzit e thjeshtë. Ata duan paqe dhe jetë më të mirë. Problemet i shkaktojnë nëntokat politike, të cilat kanë hapësirë të madhe veprimi, për shkak të mosndëshkueshmërisë së tyre të shpejtë.

Të gjithë e dimë se disa grupacione politike funksionojnë si banda, që cënojnë edhe vullnetin e lirë të njerëzve. Bandat e këtilla janë probleme shtesë për Europën. Kurdoherë ajo do t’ua sheh sherrin. Deri atëherë ata janë sherri ynë i përditshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button