Kosova në vitin e gjashtë të pavarësisë

Në vitin 2008 Kosova shpalli pavarësinë. Ishte ditë e madhe dhe e tillë vazhdon dhe do të vazhdojë të jetë, me lejen e Allahut. Çlirimi nga një okupator që, përveç tjerash, na ka luftuar edhe pse jemi muslimanë, nuk ka pse të mos jetë datë e shënuar. Ndonëse Kosova pati dalë nga lufta afër një dekadë para shpalljes së pavarësisë, megjithëkëtë rëndësia e kësaj dite ndërlidhet me atë se tashmë shteti është në duart tona. Për herë të parë po qeverisnim me veten, ani pse me kushtëzime, të cilat po vazhdojnë. Ishte shpresë për të gjithë. Kishim vuajtur shumë ndërsa gjatë periudhave të mëhershme kishim treguar një afri dhe vëllazëri, që mendonim se do të vazhdojnë me këtë ritëm edhe pas marrjes së pushtetit në duart tona. Por, kishim gabuar. Afria dhe vëllazëria kishin qenë të zorit. Ideal dhe objektiv, më parë se populli, shteti, e gjithçka tjetër, kishte qenë interesi ynë individual. Për këtë shkak, edhe sot e gjashtë vite pas shpalljes së pavarësisë, nuk mund ta fshehë e madje as ta fshijë askush njollën e vetëvrasjes së dhjetëra ish-luftëtarëve të UÇK-së si rezultat i diskriminimit ndaj tyre, mjerimit dhe skamjes.

Edhe pas gjashtë vitesh pavarësi, gjendja ekonomike vazhdon të jetë tepër e rënd, zhvillimi ekonomik në minimum, varfëri e skajshme sa të duash, madje ajo sa po vjen e po shtohet. Shpresat për një përmirësim dhe përparim në fushën ekonomike gjithnjë janë më të vogla, në veçanti pas marrjes së lajmit të hidhur se as në Evropë nuk do na lejohet të udhëtojmë pa viza edhe për disa vite radhazi, gjë që i bëri njerëzit të jenë edhe më pesimist. Shumë prej tyre akoma e shohin zgjidhje të vetme ikjen për në Evropë për të marrë ndonjë azil, qoftë edhe duke shitur shtëpi e katandi nëse e kërkon nevoja. Premtimet e njëpasnjëshme të ministres se integrimeve se dyert e Evropës do të na hapën këtë pranverë e pastaj këtë vjeshtë, e jo këtë vit e jo atë vit, tashmë u ka dalë fala. Madje, përveç lakmisë për karrige, unë nuk di se pse ajo vazhdon të qëndrojë edhe më tej në atë pozitë.

Gjatë vikendit të kaluar pata rastin të jem për një vizitë të shkurtët në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kur pashë se çfarë kanë bërë ata dhe ku kanë arritur, për 42 vite pavarësie, kujtova vendin tim dhe bëra një krahasim të vockël duke rikujtuar se ku jemi ne pas gjashtë vitesh pavarësie, respektivisht 15 vite pas çlirimi nga okupatori dhe a thua ‘ku’ do të jemi pas 42 vitesh? A do të arrijmë nivelin e Dubait e Abu Dhabit apo do arrijmë të krahasohemi me Bangladeshin dhe Tanzaninë? Vërtetë për tu mërzitur e pikëlluar shumë pse ne nuk punojmë për shtetin tonë më shumë, pse nuk jemi të sinqertë, punëtorë e aktiv për vatanin tonë të dashur, pse të paktën nuk kemi xhelozi në këtë drejtim? Pse mos t’i marrim shembull shtetet tjera që janë zhvilluar për pak kohë si Emiratet, Singaporin etj? Apo ndoshta nuk jemi të denjë për të udhëhequr shtetin e për ta çuar para, apo mos vallë shteti ka ngelur në duar të gabuara e duhet ndërruar udhëheqësit?

Gjashtë vite pavarësie gjersa rrjetet kriminale në Kosovë lulëzojnë, korrupsioni, trafikimi me qenie njerëzore, përhapja e drogës, prostitucionit dhe shumë dukurive tjera të liga e të dhimbshme e kanë ngulfatur vendin tonë. Në anën tjetër, edhe pas gjashtë vitesh pavarësie qeveria jonë vazhdon t’i shkel të drejtat e muslimanëve në mënyrën më të ligë, duke tentuar që t’u ndërhyjë edhe në xhamitë e tyre, respektivisht në çështjen e thirrjes së ezanit, duke tentuar pa fije turpi edhe ta ndalin atë. Madje disa duke u krekosur edhe tallen me muslimanët duke fyer ata si “të pistë”.

Natyrisht se ka edhe hapësirë për ta falënderuar Zotin, për të qenë optimist, për të ardhmen e shtetit tonë, e ndër to janë edhe ndryshimet politike në zgjedhjet lokale, që veç i lamë prapa, e shpresojmë shumë që zgjedhjet e ardhshme do t’i sjellin në pushtet ata që meritojnë më shumë. Ndaj apeloj tek të gjithë dashamirësit e vendit tonë, Kosovës sonë të dashur, që mos të lejojnë në asnjë mënyrë që idealet tona të kthehen në plaçkitje e keqpërdorime.

Allahu na drejtoftë dhe na ruajt mëmëdheun tonë, shoqërinë tonë, dhe na bëftë shembull për të mirë e jo për të keq. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.

Lajme të ngjashme

Back to top button