Rufi Osmani: Enver Osmani do të jetë Izet Zeqiri i dytë i RDK-së

Gjatë një turi promovues në diasporën shqiptare kryetari i RDK-së Rufi Osmani së bashku me Enver Osmani prezentuan programin zgjedhor të RDK-së në vendbanimet zvicerane ku shqiptarët janë në numër të konsiderueshëm.

Në Cyrih, kandidati i RDK-së Enver Osmani shpalosi para tyre programin zgjedhor.

“Me njohje serioze të problemeve të diasporës shqiptare dhe mundësive institucionale për zgjedhjen e të njëjtave, kandidati i RDK-së, Osmani prezantoi programin e tij. Ai potencoi çështjet me urgjencë që lidhen me nënshtetësinë e dyfishtë, tejkalimin e problemeve me punësimin e shqiptarëve, rregullimin e statusit social, ekuilibrimin e diplomave universitare nga Maqedonia në sistemin arsimor zviceran.” lajmërojnë nga RDK.

Enver Osmani tha se problemet e diskriminimit gjatë udhëtimit në vendlindje, gjatë transferit të parave të mërgimtarëve në vendlindje dhe kushtet e barabarta për investime në vendlindje të mërgatës shqiptare do të jenë në epiqendër të angazhimit të tij.

Kryetari Rufi Osmani kërkoi përkrahje plebishitare për kandidatin e RDK-së, që sipas tij është një veprimtar i dëshmuar i çështjes shqiptare, profesionist i dalluar dhe një intelektual me kapacitete shumë të larta që janë bazë e një përfaqësimi shumë dinjitoz të diasporës shqiptare.

‘’Diaspora shqiptare si pjesa më vitale kombit shqiptarë që i kontribuoi gjatë disa dekadave çështjes shqiptare me dhjetëra miliona euro në të gjitha projektet kombëtare sot është e lënë pas dore dhe e margjinalizuar në tërësi nga pushteti aktual. Ky pozicion diskriminues i diasporës shqiptare duhet të ndryshon me çdo kusht dhe kjo kthesë pozitive do të fillon me votimin e kandidaturës së Enver Osmanit dhe programit zgjedhor të RDK-së. Enver Osmani do të jetë Izet Zeqiri i dytë i diasporës shqiptare në Parlamentin e Maqedonisë’’ , përfundoi kryetari Osmani.

Lajme të ngjashme

Back to top button