Këtu banon BOTA…

Unë, i pangrënë,
bërë asht e lëkurë,
papandehur i gjinda,
tek varfanjakët
në atë vatër,
folen e bujarisë që mirëpret,
ngrohtë, njerëzor, ofruan sofrën,
gjeta strehën e kafshatës,
bukë të ngrohtë, shpirt bujar.

Ulur jemi, sytë enden,
emocionuar tepër ndihem,
si të haj llokmën,
e fëmijëve ende të njomë!
por,
zorrët tradhtojnë,
posi stuhia e vjeshtës së vonë,
tingujt përfshijnë odën,
më vështrojnë me dhimbëshuri,
buzëqeshja e tyre më përshëndet,
uritur je, kafshatë edhe një merr!

Burrërisht bën ballë
plaka e oxhakut,
në kënd qëndron,
heshtur është,
plaka e oxhakut bën ballë,
syulur bëhet se flen,
pranë koftorit ushqehet me varfëri.

-Huaj është për te kënaqësia-…

Ndjenjat,
bërë me janë det i hapur,
shtërngatë e paparë.
ndëgjova,
u largua Molière këmbëzbathur,
sa më larg fisnikërisë së shoqërisë
tej oreksit të borgjezisë !

Yni, kurrë i ngopuri,
shtriu dorën e hollë , pafuqishëm,
matanë legjendës së misrit,
syhapur,
qetësinë në rini gjeti Migjeni…

Tani,
shtrirë është muzgu,
mbuluar ka turpin njerëzor,
jashtë varfërisë,
enden përrallatorët monden,
vrazhdë janë,
posi errësira të pangopur.

Unë,
akuzoj veten,
jam pjesë e orgjisë së njerëzimit …

Poezi nga Tyran Prizren Spahiu

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button