Hetimi i OJQ-ve të Maqedonisë, akuza ndaj pushtetit për presion

Inspektorët e drejtorisë së të ardhurave publike dhe të policisë financiare edhe të enjten kanë vazhduar kontrollet në zyrat e më shumë organizatave joqeveritare lidhur me burimin e financimit e tyre dhe të aktiviteteve tjera në Maqedoni.

Nga këto institucione nuk kanë dhënë detaje mbi këtë aksion, duke theksuar se bëhet fjalë për kontrolle të rregullta, por drejtuesit e organizatave joqeveritare këtë e cilësojnë si formë të presionit për shkak të qëndrimit të tyre kritik ndaj pushtetit, shkruan REL.

Ato thonë se këtë qëndrim të tyre e forcon edhe më shumë fakti, se aksioni ndodh disa ditë pas protestës së VMRO DPMNE-së, para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku u paralajmërua “lufta për desorosoizimin e organizatave joqeveritare”. Në fakt, organizatat joqeveritare në të shumtën e rasteve financohen nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, pas të cilit thuhet se qëndron filantropisti miliarder, George Soros.

“Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, shumë qartë e kishte bërë me dije se cilat janë planet e tij me sektorin civil, dhe nuk është hera e parë që dëgjojmë diçka të tillë. Prandaj, nuk vlerësoj se kontrolli i institucioneve financiare është i rregullt, por përkundrazi bëhet fjalë për presion ndaj organizatave joqeveritare që kanë qëndrim kritik ndaj pushtetit. Ish kryeministri dhe lideri i VMRO DPMNE-së po shkon në drejtim të politikave autoritare të disa shteteve tjera”, thotë Uranija Pirovska, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Maqedoni, organizatë kjo e cila ishte e para në shënjestër të inspektorëve tatimor.

Ajo thotë se është e njohur se sektori civil në Maqedoni financohet në bazë të projekteve dhe donacioneve që merr nga jashtë, por e gjithë kjo bëhet në përputhje të plotë me ligjet e vendit.

Drejtuesja e Fondacionit për Shoqëri të Hapur në Maqedoni, Fani Karanfilova-Panovska, thotë se kontrolle janë paralajmëruar në zyrat e më shumë se njëzet organizatave joqeveritare. Ajo thotë se nuk është kundër kontrolleve, por forma se si këto bëhen lënë dyshime për qëllimin e tyre.

“Drejtoria e të Ardhura Publike ka të drejtë të bëjë kontrolle çdoherë kur të vlerësojë se ka nevojë, në cilëndo qoftë organizatë joqeveritare, edhe pse kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 25 vite të funksionimit tonë, pasi gjithmonë kemi qenë të krye të detyrës në respektimin e ligjit. Pra, momenti kur ndodhin këto kontrolle, menjëherë pasi zgjedhjeve, na lenë të dyshojmë se bëhet fjalë për formë të presionit për të heshtur zërin e tyre”, thotë Panovska.

Edhe Xhelal Neziri, drejtues i Qendrës për gazetari Hulumtuese SCOOP, thotë se bëhet fjalë për presion dhe asgjë më shumë. Ai vlerëson se OJQ-të kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në demokratizimin e shtetit, në kohën kur të gjitha institucionet e tij janë vënë në funksion të partisë në pushtet.

“Është një aksion për të ushtruar presion pikërisht mbi shoqërinë civile, e cila gjatë gjithë kësaj kohe sa institucionet e shtetit ishin vënë në funksion të partive në pushtet dhe në funksion të aktiviteteve ilegale dhe korruptive të tyre, sektori civil ka qenë ai zëri i cili ka mbajtur kontrollin mbi këto institucione dhe ka bërë që këto të jenë më afër qytetarit dhe e jo më afër partive politike”, thotë Neziri.

Organizatat joqeveritare ishin edhe pjesë e asaj që njihet “revolucioni shumëngjyrësh”, i cili gjatë gjithë këtij viti ka organizuara protestave të shumta rrugëve të kryeqendrës së Maqedonisë në mbrojtje të Prokurorisë Speciale, e cila ka nisur hetime të shumta kundër zyrtarëve të lartë shtetëror, të dyshuar për vepra të ndryshme penale. (

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button