TMERR DHE INDIFERENCË

Ishte një qytet i bukur me emrin Halep. Tani nuk është më. Ai është metaforë tmerri e indiference njerëzore. Më shumë u rrafshua jo nga bombat, se sa nga rrënimi moral i njerëzimit, i cili lejoi të përdoreshin të gjitha mjetet e terrorit kundër një popullate civile, kundër fëmijëve.

“Sot nuk ka më qytet, por paqe” (Adem Gashi). Ka një paqe të frikshme, të trishtë, një paqe që e sjell vdekja, një paqe OKB-je! Ka dhe mace. Ah macet e Halepit! “Macet e Halepit shurdhohen një nga një / Disa nga shpërthimet / Të tjerat nga heshtja…” Ato e frymëzuan poetin Lulzim Hazirin për të shkruar poezinë antologjike që nuk do të doja ta shkruante.

Ky është paradoksi.

Ndonjëherë luftërat “prodhojnë” letërsi të madhe. E tillë ishte lufta e Trojës.

Pas Halepit fytyrë tjetër do të ketë bota. Kështu, ngjashëm, shkruante Ali Podrimja për Sarajevën e shkatërruar nga engjëlli i zi, nga Radovani i zi…

O kohë! O tmerr! Mos nxirrni foto fëmijësh të Halepit! Ato na bëjnë me turp…

Qielli i Halepit nuk është i kaltër. Qielli i Halepit është i hirtë. Është mbuluar me pluhur dhe me klithma njerëzore. Qielli i Halepit është prej metali dhe kundërmon erë kerozine. Drejt këtij qielli adresohen klithma fëmijësh. Halepi ka qiell që nuk duket. Halepi ka fëmijë të trishtuar.

Vogëlushi trevjeçar i jep lamtumirën kësaj jete. “Do t’i tregoj Zotit gjithçka”, thotë teksa i mbyll sytë përgjithmonë.

Një vogëlushe i lutet fotografit: “Të lutem mos më fotografo, sepse jam e pambuluar!”

Fëmija tjetër lutet që të vdesë. “Dua të vdes e të shkoj te Zoti, se tek ai do të ha bukë deri sa të ngopem”

Pas kushedi sa vitesh fëmijët e Halepit sërish do të luajnë rrugëve. Do të flasin për gjithçka kanë dëgjuar prej prindërve me fat në tragjedi. Në këtë rrugicë ka pasur kaq këmbë të këputura e atje kaq krah të këputur. Këtu, në këtë skaj, një nënë e vdekur shtrëngonte foshnjen që jepte shpirt. Atje binin projektile dhe askush nuk e dinte sa të vrarë kishte. E megjithatë Halepi nuk do të jetë sikur ka qenë. Do të jetë njollë që do të rëndojë në ndërgjegjen e njerëzimit.

Poetët do të vazhdojnë që të shkruajnë poezi të trishtuara, gatuar prej dhembjes. Por njerëzit e veprimit, që shpesh i quajmë politikanë, e në fakt janë mediokër apo gjaksorë, nuk merakosen për letërsinë. Në emër të shtetit ata godasin çdo vlerë njerëzore…

Lamtumirë Halep! Këndon zemërthyer një burrë. “Lamtumirë Halep që je në brendësi të syrit tim… Po shkoj drejt një vendi tjetër ku dhimbja për ty do të rritet.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button