NDASITË

Historia jonë, them unë, është shkruar me gjak e me lotët e nënave tona  të shkreta. E tillë, tragjike, ka mbetur të dëshmojë, kryesisht, në vargjet e këngës popullore. Thuajse në çdo fjalë të epikës sonë, por jo vetëm të saj, duket si kullon gjaku i njerëzve të pafajshëm të cilët kanë rënë duke e mbrojtur pragun, oxhakun, fytyrën.

Por edhe pushtetin e të huajve… Madje më shumë. Fatkeqësisht.

Besnikëria ndaj pushtetit të huaj është një sindrom që u bë nga shkaqet kryesore të vonimit të vendosjes së themeleve të shtetit shqiptar.

Dhe, mbrojtja e pushtetit të huaj është  absurdi që i dha trajtën dhe përmasat tragjikes së historisë sonë.

Asgjë s’kanë bërë vezirët shqiptarë në kolltukët e huaj për mbrojtjen e popullit të vet, asgjë s’kanë bërë pashallarët, revolucionarët që themeluan Greqinë, gjeneralët që shërbyen në ushtritë e huaja. As mbretërit romakë e bizantinë, egjiptian me etni shqiptare s’kanë çarë kokë për vëllezërit e vet..

Ata vetëm kanë shërbyer… Kurse mbi kurrizin tonë:

Njëherë Roma, shekuj të tërë, pastaj Bizanti, pastaj bullgarët, Nemanjiqët, pastaj turqit osmanlinj, pastaj serbët, grekët dhe ku ta di se kush tjetër… Kurrë, kurrë – të lirë! Deri në vitet 1912 e 1913, pra në luftërat ballkanike (që u bënë me qëllim të zhbërjes së shqiptarëve) kur mezi u shpëtua një copë dheu, një e treta (ndoshta edhe më pak) e trojeve ku jetonin me shumicë shqiptarët. Të gjithë ata që mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar në këto vite të kataklizmit  tonë kombëtar, i priti llahtari.  Të shkretët njerëz ishin të detyruar që të vetmuar, me krejt botën kundër pafajësisë së tyre dhe me pak shpirt ta kapërcenin Golgotën dhe urën e xhehenemit, për ta shpëtuar kokën. Kuptohet dhe shpirtin – që është gjuha jonë shqipe. Për fat të keq këtë urë nuk ia dolën ta kalojnë shqiptarët e shumë qyteteve e fshatrave të cilat i shkeli çizmja e shteteve ballkanike. I fshiu fshesa e hekurt këta qindra, mijëra e miliona fatkëqij shqiptar. Disa  përfunduan në vdekje, të tjerët në fshatrat e lagjet e qyteteve të Turqisë për të mos u kthyer kurrë më në vendet e të parëve, disa të tjerë u detyruan të konvertoheshin në ortodoks, si në rastin e tmerrshëm që ndodhi në Malin e Zi në vitin 1926, kur ushtria malazeze i detyronte me dhunë shqiptarët të heqin dorë nga feja, ndërsa ortodoksët ta braktisin gjuhën shqipe. Pas kësaj dhune vendlindjet e tyre i braktisën shumë shqiptarë të besimit katolik e mysliman, kurse shumica nga ata që nuk e patën këtë mundësi u shkrinë në etnosin sllav malazias, bashkë me shqiptarët ortodoksë. Po nuk janë vetëm këto raste. Në puset e shumë fshatrave të braktisura shqiptare anë e mbanë ahpsirës së dikurshme etnike kanë mbetur plot njerëz të vrarë, njësoj si nëpër gremina, gryka e brigje shkëmbore të lumenjve e të maleve. Ngado që kanë qenë të parët tanë i  ka pritur thika, shpata e pushka, por edhe politikat e shteteve të reja ballkanike të formuara mbi indin tonë etnik, politika këto që nuk kanë qenë më pak vrastare se arma.

U përsërit drama që e përjetuan ilirët pas rënies së mbretëreshës Teutë, u përsërit edhe drama që ndodhi pas vdekjes së Skënderbeut. Jo një herë, por disa herë.

Halli i dështimeve tona gjithmonë kanë qenë, përveç sindromit të besnikërisë ndaj pushtetit të huaj, edhe ndasitë dhe përçarjet e natyrave të ndryshme. Dhe, ato pala tjetër i ka përdorur për hesapet e veta me shekuj deri në përpikëri.

Për fat të keq, i përdor edhe sot.

Fatkeqësisht, asnjëherë, përveç rastit të Skënderbeut nuk doli një lider që do të mundte t’i afronte të gjitha forcat politike, e me të edhe popullin, rreth vetes.

E kaluara nuk kthehet. Po çne sot të jetojmë me këtë mendësi dhe me politikat e ndasive dhe të përçarjeve?

Këto politika e kanë boshatisur Pirotin, Nishin Leskovcin, Vranjën, Lebanen, Kurshumlinë, Pazarin e Ri, Sjenicën, Tivarin, Podgoricën, Rozhajën, Plavën, Prilepin, Manastirin, Resnjën, Janinën, Pargën, Prevezën, Kretën e ku ta di unë se sa fshatra e qytete gjithandej. Të gjithë kanë kërkuar të na e humbin farën, të na tresin, të na zhbëjnë, mos të na mbetet nam e nishan. Deshi Zoti dhe e mbështeti pak rezistencën tonë të organizuar nga rilindësit për ta mbrojtur qenien dhe gjuhën shqipe e ja ne mbetëm deri në ditët e sotme të dëshmojmë për një vend ku u hodh fara e kulturës perëndimore, për një gjuhë të lashtë e të bukur, për një gjuhë dokument të rëndësishëm për trashëgiminë indoevropiane. Mbetëm ne, pa marrë parasysh politikat e fqinjëve tanë që nuk ndryshuan qe dy shekuj e që në fokus të politikave të tyre vazhdojnë ta mbajnë me këmbëngulje zhbërjen tonë.

Atëherë pse nuk shikojmë rreth e rrotull, pse nuk e largojmë pluhurin i cili e ka mbuluar ndërgjegjen dhe vetëdijen tonë?

Në vend se ta kuptojnë se shqiptarët janë element stabilizimi i të gjitha vendeve ku janë të detyruar të jetojnë, politikanët e fqinjëve mundohen të inskenojnë dredhi të ndryshme për t’i nxirë shqiptarët dhe për t’i paraqitur para botës si popull problematik.

Po ne deri më tash është dashur ta mësojmë leksionin.

Edhe tash kur derdhet urrejtja dhe kur hidhen parulla urrejtjeje, si : “vdekje  shqiptarëve” etj. gjithandej e kur në tubimet e absurdit para KSHZ, të organizuar këto ditë nga revolucionarët e shatorreve, u paralajmërua edhe Nata e thikave, në politikat tona nuk duken shenja vendosmërie për t’i ndihmuar të tjerët ta shohin të vërtetën.

Ende disa liderë shqiptarë parapëlqejnë shërbimin. Dhe ndasitë e përçarjet brendashqiptare. Jo të na nxjerrin nga pozita e qytetarëve të rendit të dytë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button