ANALIZË: Rregulla të reja për bllokimin e llogarive!

Rritet numri i llogarive të bllokuara për transaksione të qytetarëve. Në fund të muajit të nëntë, gjithsej 76.504 qytetarëve u janë bllokuar pothuajse 180.000 llogari për transaksione. Së shpejti, gjegjësisht që nga 1 janari hyjnë në fuqi rregullat e reja për bllokimin e borxhlinjve nga ana e përmbaruesve. Në muajin e fundit të këtij viti, Drejtoria për të hyra publike e publikoi “Listën e zezë të borxhlinjve”. Viti përfundon me 4.470 qytetarë dhe firma që kanë borxhe për shkak të taksave të papaguara vetëm ndaj shtetit. Në mesin e borxhlinjve ka mijëra qytetarë, medie, firma shtetërore, ndërmarrje publike, firma private, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Mbi 230.000 llogari për transaksione të bllokuara…

Deri në fund të shtatorit të bllokuar kanë qenë 112.612 firma dhe qytetarë. Në krahasimin me gushtin është regjistruar

zvogëlim shumë i vogël i deponuesve të bllokuar. Në periudhën e njëjtë të analizuar, numri i llogarive të bllokuara për transaksione është 234.126. Nga Viti i ri në fuqi hyjnë rregulla të reja për bllokimin e llogarive në bazë të vendimeve ekzekutive. Para se të realizohet operacioni për bllokim, borxhliu patjetër duhet të informohet.

“Ligji i ri i tejkalon të gjitha problemet me të cilat ballafaqoheshin edhe përmbaruesit edhe kreditorët edhe të gjitha palët e tjera të përfshira. Zbatimi i ligjit duhet të fillojë nga një janari, dhe do të sjellë përparësi të shumta, veçanërisht për qytetarët që u takojnë kategorive të rrezikuara”, deklaroi para do kohësh Zoran Petreski, kryetar i Odës së përmbaruesve dhe shtoi:

“Në ligjin e ri parashihet se për llogaritë e papaguara komunale përmbaruesi nuk guxon ta bllokojë llogarinë e qytetarit pa e njoftuar atë paraprakisht se ka një borxh dhe të kërkojë prej tij të propozojë mënyrë se si do të paguhet borxhi. Poashtu, futja e pagesës jashtëgjyqësore është një moment shumë i volitshëm që do të mundësojë, para se të fillojë cilado qoftë procedurë, qytetari ta paguajë borxhin e tij pa shpenzime më të mëdha, ndërsa momenti i tretë dhe më i rëndësishëm është lidhja elektronike e përmbaruesve me të gjitha institucionet prej ku do të merren të dhëna pa pagesë nga të gjitha institucionet me çka do të zvogëlohen shpenzimet”, potencoi Petreski.

Përmbaruesit thonë se me zgjidhjet e reja ligjore duhet t’u jepet mundësia borxhlinjve që të reagojnë para se të realizohet përmbarimi.

“Nëse borxhliu është person fizik, ndërsa kreditori person juridik që ofron shërbime komunale, përmbaruesi do ta thirre borxhliun me urdhëresë, që në afat prej 3 ditësh ta paguajë atë. Përmbaruesi do ta ftojë borxhliun që ta paraqesë gjendjen e tij pronësore dhe çfarë të ardhurash ka. Kjo urdhëresë është e detyrueshme para se të jepen urdhëresa të tjera”, sqaron përmbaruesi Gordan Stankoviq, duke theksuar se urdhëresa tani është e detyrueshme.

Poashtu, përmbaruesi është i obliguar ta njoftojë borxhliun për urdhëresën e dorëzuar për bllokim, transmeton Portalb.

“Vlera më e ulët e pensionit dhe pensioni më i ulët në bazë të moshës dhe pensioni familjar nuk mund të jenë lëndë e përmbarimit dhe e sigurimit, përveç për kërkesën në bazë të përkujdesjes që është përcaktuar me vendim gjyqësore dhe me pëlqim të dhënë nga shfrytëzuesi i pensionit edhe atë më së shumti deri në një të tretën e vlerës mujore të tij”, thotë përmbaruesi Stankoviq.

Sipas të dhënave nga Oda e përmbaruesve, në nëntë muajt e parë përmbaruesit kanë pranuar 134.740 kërkesa për përmbarim, ndërsa prej tyre janë realizuar 38.266 kërkes për përmbarim ose 28 për qind. Vlera e përgjithshme e arkëtuar nga përmbarimi është 75.715.471 еuro, që është 2 milionë euro më pak se sa vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Oda e përmbaruesve, zona më e mirë në bazë të mjeteve arkëtuara nga përmbarimi në periudhë prej nëntë muajsh është zona që i përfshin dy gjykatat e Shkupit, Gjykata themelore Shkup 1 Shkup dhe Gjykata themelore Shkup 2 Shkup, me vlerë të përgjithshme të mjeteve të arkëtuara prej 45.727.057 eurosh.

Shteti i ka borxh shtetit…

Drejtoria për të hyra publike e publikoi “Listën e zezë të borxhlinjve” për këtë vit në të cilën u gjetën 4.470 firma dhe qytetarë të cilët në i kanë përmbushur në kohë obligimet ndaj shtetit.

Në dhjetëshen e parë – borxhlinj më të mëdhenj, përveç firmave të cilat me vite të tëra janë të falimentuara, janë edhe tre firma, subjekte nën kontrollin e shtetit ose të vetëqeverisjes. Kështu, në vendin e katërt është ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë”, me borxh prej 6,4 milionë eurosh. Ndërmarrja shtetërore “Pyjet e Maqedonisë” nëpërmjet të së cilës për disa vite u realizuan qindra punësime në aparatin shtetëror, sipas lartësisë së borxhit është në vendin e tetë, me obligime prej 2,9 milionë eurosh, ndërsa në vendin e nëntë është ndërmarrja publike “Komunalec” nga Gostivar, me borxh prej 2,6 milionë eurosh.

Në borxhe akoma është edhe Radio Televizioni i Maqedonisë, që është i ranguar në vendin e 17-të me obligime të përgjithshme prej 1,6 milionë eurosh. Përderisa nga njëra anë RTM-ja paraqitet si borxhli, nga ana tjetër nëpërmjet arkëtimit të detyrueshëm gjatë vitit u përpoq që t’i arkëtojë mjetet që ia kanë borxh për shkak të taksës së radiodifuzionit, me ç’rast u bllokuan me mijëra qytetarë. Nga lista e zezë nuk u largua as ndërmarrja shtetërore “Еurokompoziti – Prilep”, për të cilën pushteti kërkoi, mirëpo nuk gjeti investues strategjik. Kështu, borxhet e kësaj firme vetëm ndaj shteti ishin 1,4 milionë euro. Borxh prej pothuajse gjysmë milionë eurosh ka edhe “Ohis”-i, ndërsa rreth 300.000 еuro është borxhi i “Emo”-s nga Ohri ndaj shtetit.

Borxhlinj janë edhe mediat, e këtu bën pjesë TV Alfa, e cila ka borxh prej pothuajse 61.000 eurosh.

Borxhi i përgjithshëm listën e borxhlinjve të dhjetorit është 230.012.286 еuro. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button