Kosovë, Kushtetuesja vendos pro Avokatit të Popullit e kundër Qeverisë

Institucioni i Avokatit të Popullit ka triumfuar karshi qeverisë, e cila kishte tentuar që edhe institucionet e pavarura t’i fuste në qarkoren administrative për klasifikimin e vendeve të punës dhe katalogun e vendeve të punës.

Pas ankesës së institucionit të Avokatit të Popullit në Gjykatën Kushtetuese, institucioni më i lartë kushtetues e ka vlerësuar si kundërkushtetues dhe që cenon pavarësinë e institucioneve vendimin e nxjerrë nga ministria e Administratës Publike, raporton KTV.

Zëvendësja e Avokatit të Popullit, Shqipe Ibraj Mala, tha se ky është një triumf për të gjitha institucionet e pavarura dhe bazë e mirë për punën e mëtejshme.

Por, Albana Rexha nga Grupi për Studime Juridike e Politike ka thënë se pavarësia funksionale që e gëzojnë këto institucione të pavarura në Kosovë nuk nënkupton pavarësi absolute në strukturimin e këtyre institucioneve.

Thotë se janë rreth 40 institucione të pavarura dhe nëse secila prej tyre do të kishte strukturën e vetë organizative, del që kemi rreth 40 sisteme të shërbimeve civile të pavarura brenda administratës publike.

Komisioni i Pavarur për Media ka mbështetur pretendimet e Avokatit të Popullit.
Ndërsa, në komentet që Ministria e Administratës Publike i ka dorëzuar Gjykatës, thuhet se Katalogu i Vendeve të Punës dhe Metodologjia për standardizimin e vendeve të punës udhëzojnë dhe ndihmojnë të gjitha institucionet e shërbimit civil të sjellin standardizimin e titujve të vendeve të punës dhe përshkrimeve të detyrave të punës si dhe klasifikimin në grada në përputhje me legjislacionin e shërbimit civil ne fuqi.

Qëllimi kryesor, sipas tyre, është klasifikimi, standardizimi dhe unifikimi i titujve dhe përshkrimeve të vendeve të punës në shërbimin civil dhe zbatimi i planit “Pagë të njëjtë për punë të njëjtë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button