Alepo – varri i ndërgjegjes njerëzore

E gjitha nisi me pranverën arabe, për të kulminuar sot me xhehenemin e paparë njerëzor, ku, nën pretekstin e luftimit të rebelëve që rrezikojnë pushtetin e trashëgueshëm sirian, aleanca ruso-iraniano-asadiste masakron popullatën e pafajshme, të pranguar ndërmjet armësh të bandave ndërluftuese.

Lagje të shkatërruara, godina të shndërruara në gërmadha, rrugë të shtruara me kufoma fëmijësh, grashë, pleqsh, të sëmurësh, invalidësh…, sheshe të ngjyera me gjak viktimash, piskëllima të plagosurish, vaje nënash të pangushëllueshme me kërthinjtë e copëtuar granatash, gra të lemerisura mbi thëngjijë burrash të djegur për së gjalli, vasha të shfytyruara dhunimesh, mallkime, ofkëllima, përgjërime, lutje për mëshirë drejtuar Zotit dhe shpirtit të vampirosur njerëzor… Kjo është Alepo sot.

Alepo është kambana që bie për veshin e shurdhër, alarmi që duhet të zgjojë nërgjegjen njerëzore, para se të shndërrohet në varrin e saj.

Alepo është pasqyra e botës pise, të prirë nga të babëziturit pas pushtetit, parasë, kapitalit, sfrutimit, gabzherrit të pangopshëm… Alepo është dritarja për ta soditur të tashmen dhe, me shumë gjasa, të ardhmen e njerëzimit, të mbetur peng hegjemonishë idiote, që mbahen në këmbë me kërma njërëzish, varre masive, kanc-llogore fashistësh…

Alepo është shfaqje tragjedishë të përçudnueshme, ku rolet kyçe i luajnë fëmijët e larë në gjak, të mbetur pa gjymtyrët e trupit, madje dhe me gjysma kokash, që më kot kërkojnë ndihmë nga prindërit dhe të afërmit e bërë pluhur përpara syve të tyre ku banon dhembja e universit.

Alepo është vendi i shpresave të thyera, makthi i një shujte ditore, ëdrra e një gllënke uji të pijshëm, e një copë strehe të sigurt, e një nate pa granata e helme kimike, e një dite që sështë natë, e një agimi larg kësaj bote të mbarsur me djaj.

Alepo është kasaphana që reprizon hororin gjenocidist të Srebrenicës, Vukovarit, Kosovës…

Alepo është kanc-llogor gjakpirësish të lidhur me pobratimi të kobshme, që mund ta marrë në qafë gjithë globin.

Alepo është xhehenemi ku pushkatohen burrat, digjen fëmijët dhe përdhunohen gratë. Alepo është klithma e viktimës, drejtuar sehirxhinjëve të kasaphanës njerëzore:

  • Në Apelo po vdesim. Në Alepo jemi të uritur. Na i vrasin fëmijët. Na i shkatërrojnë gratë. Nuk na ka mbetur asgjë! Ku jeni ju që po na dëgjoni? Keni frikë Zotin! O ju muslimanë! O ju arabë! O ju njerëz që ju ka krijur Zoti, ku jeni? Po na therrin! Po na vrasin! Nuk na ka mbetur asgjë. As edhe ujë! Ku jeni të na shpëtoni! O Zot, o Zot, ata që mund të na dëgjojnë, ata që mund të na përgjigjen! O krijesa të Zotit, o njerëz! Paqja e Zotit qoftë mbi ju…

Alepo është vend xhelatësh dhe viktimash, vend vrasësish dhe të vrarish, vend masakruesish dhe të masakruarish. Alepo është fundbotë gjenocidesh të përsëritshme tim-për-tim. Alepo është varri i ndërgjegjes njerëzore dhe fundi i qytetërimeve. Alepo është apokalipsa pas së cilës njerëzimi do të jetojë me turp, nëse nuk sikteriset ndërkohë në rrot të sëmës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button