Ali Ahmeti t’i mbledhë partitë politike shqiptare në një tryezë!

Gara politike nuk duhet të kulmojë me vëllaurrejtje. Mendoj se është parimi i parë që duhet mësuar dhe aplikuar gjithë politikbërësit, me theks të veçantë shqiptarët. Organizimi shoqëror/politika ka këndvështrime të ndryshme të perceptimit të gjërave mbi shtetin. Të menduarit ndryshe nuk do të thotë se njëri është absolutisht gabim dhe tjetri kategorikisht saktë. Të menduarit ndryshe nuk është gabim! Polemikat, dyshimet, … për çështje të caktuara na sjellin deri tek e vërteta.

Zgjedhjet e fundit duhet analizuar nga leksioni i mësipërm. Vota shqiptare u polarizua dhe kjo është në dobi të demokracisë. Sipas meje, shqiptarët u ngritën në një piedestal më lartë në kulturën politike. Dalja ishte relativisht e madhe, që do të thotë se prej dje, nesër e një kohë afatgjate, në të ardhmen, populli do të dijë të marrë qëndrim dhe të votojë për opsionin që mendon se është më i mirë dhe se i përshtatet idesë personale për një të ardhme të caktuar dhe në dobi të shoqërisë.

Zgjedhjet e 11 dhjetorit në bllokun politik shqiptarë nxorën BDI-në me 10 deputet, Lëvizjen Besa me 5 deputetë, Aleanca për shqiptarët siguroi 3 ulëse në Kuvend, ndërkaq PDSH ngeli me vetëm me dy vende në Kuvend. Numerikisht shqiptarët humbën deputet, por fatmirësisht fuqia politike nuk u humb. Tani shqiptarët janë faktori numër një që dikton mandatarin e Qeverisë së ardhshme. Mirëpo, bazuar në ciklet e tjera zgjedhore, përvojat e hidhura, … mendoj se shqiptarët kësaj here duhet të bëjnë një strategji TË PËRBASHKËT, jo për të hyrë domosdoshmërisht të gjithë në Qeveri, por për të hartuar një agjendë të përbashkët se si do të veprojnë në të ardhmen.

Ngase i pari, nga partitë shqiptare doli BDI është e rendit që i njëjta të organizojë një tryezë të rrumbullakët për t’i ulur protagonistët e skenës politike shqiptare në një vend. E di derisa po e lexoni këtë u kujtohet ndoshta urtësia me thuprat e bashkuara ose tubimet që organizonte Skënderbeu, … dhe do thoni duket shumë utopike për t’u realizuar, por është e mundur po të ngjallet një shkëndijë vullneti, nga vet protagonistët.

Mendoj se është koha ta zbehim vëllaurrejtjen për inate politike. Shqiptarët me votë dëshmuan se janë KUNDËR regjimit të Nikolla Gruevskit. Prandaj, mendoj se pika e parë në rend dite në takimin e mundshëm duhet të jetë mosbashkëpunimi me VMRO-DPMNE-në, pastaj vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, zyrtarizimi i gjuhës shqipe…etj.

Politika është dialog, politika është kompromis. Për shqiptarët, për interesin e përgjithshëm të shqiptarëve, PSE JO?!

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ali Ahmeti kësaj radhe është humbës dhe nuk ka aq kredi sa t’i mbledhë të gjitha partitë shqiptare rreth një sofre. Mirë do të kishte qenë që të gjitha partitë të mblidhen dhe të flasin e të vendosin si të barabartë, ta bëjnë një platformë për interesat shqiptare, por kurrsesi të jetë kryesuesi i aktiviteteve Aliu, sepse pikërisht politika e tij e inferioritetit dhe e nënshtrimit e solli këtë rezultat dhe doli në shesh politika pa kreativitet e BDI-së, në radhë të parë, e cila u interesua vetëm për nxjerrjen nga varfëria të aktivistëve të saj që janë në krye të partisë, kurse për interesat kombëtare na i servonin floskulat Maqedonia në NATO dhe Maqedonia në BE. Sa i përket kompromisit, ne shqiptarët çfarë kompromisi mund të bëjmë kur pasuria e krejt shtetit tonë është në duart e maqedonasve, të drejtat kombëtare askund nuk na realizohen, arsimi dhe kultura jonë nuk financohen, revistat kulturore na i kanë zhbërë, anise ato duhet të subvencionohen nga shteti, në buxhet ne nuk e marrim hisen tonë, lagjet tona shqiptare në të gjitha qytetet janë lagje mjerimi. Pra nuk është Aliu ai që duhet t’i mbledhë partitë politike, por Edi Rama, si autoritet i pakontestueshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button